Në rreth 20 për qind të mostrave të analizuara të produkteve të qumështit në Kosovë, pati mospërputhje mes përbërësve dhe deklarimeve në etiketë.
Shumica e mospërputhjeve kishin të bënin me praninë, por jo me deklarimin e vajit të palmës.
Këto janë rezultatet e një kontrolli të përgjithshëm për rreth 3 muaj të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), një organ i pavarur që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, në një konferencë të përbashkët me Ministrinë, të martën, tha se kontrolli i zgjeruar pati qëllim “verifikimin e sigurisë ushqimore dhe autenticitetit të produkteve, përkatësisht saktësinë e deklarimit të përbërësve".
“Janë marrë 495 mostra, që janë analizuar për parametra të ndryshëm, përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, niseshtes e qumështit pluhur. Nga 93 mospërputhje, 46 raste kanë të bëjë me praninë e vajit të palmës”, sqaroi Hoxha.
Sipas AUV-së, mostrat e marra për analizë përfshinin produkte si qumështi, gjiza, ajka, krem qumështi e të tjera.
Mostrat, sipas këtij institucioni, janë marrë te prodhuesit, tregtuesit, përpunuesit dhe importuesit e produkteve të qumështit.
Sipas rezultateve të kësaj analize, ndonëse shumica e mospërputhjeve lidheshin me përbërës të detektuar, por të padeklaruar në etiketë, 8 për qind përfshinin përbërës të deklaruar, por të padetektuar.
Duke paralajmëruar për kontrolle të mëtutjeshme, Hoxha tha se “rezultatet e këtij aksioni nuk duhet të interpretohen si tregues se tregu i qumështit është i pasigurt”.
Në prezantimin e rezultateve të kontrollit foli edhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, i cili paralajmëroi “masa proporconiale” për shkeljet e gjetura.
“Qëllimi ishte që të gjendet e vërteta. Nga sot do të nxjerr vendim sa i përket procedurës të zbatimit të ligjit për rastin në fjalë. Qumështi i fermerëve tonë është qumësht që e teston AUV-ja, është cilësi që e garantojmë përmes kontrollit”, tha Muja.
Cilat kompani u testuan dhe ku u gjetën mospërputhje?
Debati për çështjen e sigurisë së produkteve të qumështit u intensifikua në fillim të muajit të kaluar, pasi inspektorët e AUV-së, më 2 korrik, kryen kontrolle në fabrikën Vita në Istog, ku morën mostra të qumështit me afat të gjatë përdorimi, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike.
Teksa priteshin rezultatet përfundimtare, kompania pezulloi përkohësisht punën duke çuar në përplasje mes drejtuesve të kompanisë dhe ministrit në detyrë të Bujqësisë.
Drejtuesit e kompanisë e konsideruan këtë kontroll selektiv dhe e akuzuan ekzekutivin se po i trajton sikur të ishin “kriminelë”.
Në rezultatet që AUV prezantoi në konferencën e së martës ishin listuar edhe disa mostra të kompanisë Abrazen, që është kompania amë e Qumështores Vita.
Në listën e prezantuar, shkruan se në mostrën “qumësht”, vaji i palmës është detektuar por jo i deklaruar.
Ministri në detyrë, Muja, u pyet edhe nga gazetarët për konfirmim se në qumështin “Vita” është gjetur vaj palme, për të cilën ai u përgjigj: “Pa fije dyshimi”.
“...Qumështorja Vita është konstatuar në disa mostra që ka plasuar në treg produkte të cilat janë tregtuar si qumësht, por në esencë përmbajnë vaj palme dhe në rastet e tjera edhe qumësht pluhur”, tha Muja.
Deri më tani, kompania Abrazen apo Qumështorja Vita nuk ka reaguar publikisht ndaj publikimit të këtyre rezultateve. Radio Evropa e Lirë ka bërë një kërkesë për koment në adresën e Qumështores Vita dhe është në pritje të përgjigjeve.
AUV-ja nuk e ka bërë të qartë saktësisht se te cilat kompani është bërë testimi, ndonëse e ka prezantuar një listë me 38 mostra ku janë gjetur mospërputhje, edhe pse në fillim të konferencës u tha se janë 93 mostra në total me mospërputhje.
Radio Evropa e Lirë ka bërë kërkesë për të marrë listën e plotë të mospërputhjeve dhe rezultatet e analizave në përgjithësi.
Lista e mostrave, që u shfaq në ekran gjatë konferencës, ku thuhet se u gjetën mospërputhje, përmban prodhues, përpunues e importues të produkteve të qumështit.