Mbrojtja: ZPS mbështetet në spekulime
Avokatja Venkateswari Alagendra tha se ZPS-ja mbështetet në “spekulime dhe pretendime të pambështetura” në akuzat ndaj Krasniqit.
Ajo tha se nuk ka asnjë dëshmitar që thotë se Krasniqi e ka keqtrajtuar.
“Të nderuar gjykatës, ju kërkoj që kur të shqyrtoni provat e paraqitura nga Prokuroria të mos harroni këto fakte. Në të gjitha provat nuk ka qoftë edhe një dëshmitar të vetëm që pretendon se Krasniqi e ka rrahur, e ka keqtrajtuar apo torturuar. Nuk ekziston një viktimë e vetme nga qindra dëshmitarë të Prokurorisë që pretendojnë ose akuzojnë Krasniqin që i ka rrahur abuzuar ose ka qenë i pranishëm kur ata janë keqtrajtuar. Kjo prokurori mbështetet kryesisht në spekulime dhe pretendime të pambështetura”, tha ajo.
Mbrojtja kërkon që Krasniqi të shpallet i pafajshëm
Në nisje të deklaratave përmbyllëse avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, tha se klienti i saj duhet të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet pranë familjes së tij.
Ajo tha se Krasniqi gjendet në paraburgim në Hagë që 1.926 ditë.
"Parashtrojmë që është vetëm një opsion që të merrni vendim pafajësie ndaj të gjitha akuzave të ngritura ndaj Jakup Krasniqit. Në fund të parashtrimit do t’iu bëjmë thirrje të nderuar gjykatës që ta shpallni të pafajshëm Krasniqin dhe ta lejoni këtë zotëri 75-vjeçar që të kthehet në familjen e tij dhe të kalojë vitet që i ka caktuar Zoti me familjen e tij", tha ajo.
Tri orë sot për mbrojtjen e Krasniqit
Trupi gjykues njoftoi se sot mbrojtja e Krasniqit do të ketë në dispozicion tri orë dhe të hënën edhe një orë e gjysmë dhe më pas trupit gjykues do të ketë pyetje.
Rinis seanca në Hagë, radha e mbrojtjes së Krasniqit
Në Hagë ka nisur seanca dhe tani është radha e mbrojtjes së Jakup Krasniqit që të shpalosë deklaratat përmbyllëse.