Mbrojtja: Krasniqi nuk ishte përgjegjës për UÇK-në kur mungonte komandanti i përgjithshëm
Mbrojtja ka argumentuar se pretendimi i ZPS se si zëvendëskomandant për ndihmë, Jakup Krasniqi, nuk kishte kompetencat e komandantit të përgjithshëm, Azem Syla, kur ai nuk gjendej në Kosovë.
Avokatët thanë se ky pretendim mbështetet vetëm në dëshminë e shefit të shtabit, Bislim Zyrapit.
“Dëshmitarët e tjerë e kanë konsideruar Zyrapin përgjegjës dhe jo Krasniqin si përgjegjës në UÇK kur Syla nuk ishte në Kosovë”, tha mbrojtja.
Mbrojtja po ashtu tha se vetë Syla kishte thënë se vetëm Sokol Bashota ishte zëvendës i tij.
Mbrojtja: Zëdhënësi nuk ka kontroll ushtarak, Krasniqi nuk kishte kompetencë për të bërë emërime
Mbrojtja po trajton pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandnat i UÇK-së në nëntor të vitit 1998.
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS e pranon se para kësaj periudhe, si zëdhënës ai nuk kishte kontroll logjistik në terren që mund të çonin në veprime konkrete.
“Zëdhënësi nuk është komandant që ka kontroll ushtarak. Përgjegjësia penale mund t’i atribuohet zëdhënësit vetëm në rastet kur deklaratat specifike e lidhin me krime specifike. ZPS as nuk i është afruar vërtetimit të kësaj për këtë rast”, tha Alagendra.
Ajo argumentoi se ZPS thotë se Krasniqi ka marrë pjesë në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm ku janë bërë emërime, por shtoi se nuk përcaktohet roli i Krasniqit në këto emërime.
“Ai nuk ka pasur kompetenca për të emëruar askënd”, tha ajo.
Mbrojtja: Dokumentet serbe ishin të fabrikuara
Avokatja Alagendra tha se materialet e marra nga Serbia kundërshtoheshin nga verifikimet në terren.
“Gjykatësit duhet t’i trajtojë si materiale me interes, jo si provë nëse nuk janë të provuara”, tha ajo.
“Materiale të tilla janë fabrikime të skenave të krimeve nga autoritetet serbe. Fred Abrahams e bëri të qartë dallimin mes medias së pavarur dhe medias shtetërore duke iu referuar masakrës në Obri dhe HRW tha se ka shkelje serioze të rregullave të luftës”, shtoi ajo.
Alagendra tha po ashtu se disa dëshmitarë kanë treguar për pasaktësinë e dokumenteve zyrtare serbe. disa tha ajo, kishin dëshmuar se nuk kishin thënë ashtu siç paraqitej në dokumente, disa thoshin se janë shtuar pjesë në dëshminë e tyre. Ajo po ashtu i bëri thirrje trupit gjykues të ketë parasysh se Serbia ka përdorur “torturë” gjatë marrjes në pyetje të shqiptarëve.
Mbrojtja: Prokuroria është bazuar shumë në dokumentet që ka marrë nga Serbia
Avokatja Venkateswari Alagendra tani po shqyrton materialet që Prokuroria ka marrë nga Serbia. Ajo tha se ato janë përdorur pa iu nënshtruar një kontrolli.
“Prokuroria është bazuar shumë mbi dokumentet që ka marrë nga shteti serb pa një kontrollim të tyre. Pa këtë kontroll, trupi gjykues nuk mund të vlerësojnë ligjshmërinë apo edhe autenticitetin dhe besueshmërinë dhe vetëm ky gabim duhet të ngrejë shqetësime për këto dokumente”, tha ajo.
Sipas mbrojtjes së Krasniqit, dokumentet u grumbulluan në kohën kur Beogradi ishte dënuar nga ndërkombëtarët për “për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për dhunë në Bosnje dhe Kroaci”, duke shtuar se Kosova ishte në qendër të politikës serbe në atë kohë.
“Kjo rrit rrezikun që materialet të jenë të politizuara dhe falsifikuara”, tha Alagendra.