Ndërlidhjet

Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.
Avokatja Venkateswari Alagendra dhe Jakup Krasniqi në gjykatore më 13 shkurt 2026.

Çfarë tha mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit në deklaratat përmbyllëse?

• Më 13 shkurt u zhvillua dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.

• Mbrojtja e Selimit dhe ajo e Krasniqit deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm. Avokatët e Selimit thanë se kërkesa e Prokurorisë për 45 vjet burgim për secilin të akuzuar nënkupton burgim të përjetshëm. Vlerësime të ngjashme ka bërë më herët edhe ekipi mbrojtës i Thaçit.

• Mbrojtja e Krasniqit tha se ai ishte zëdhënës i UÇK-së e jo komandant, duke hedhur poshtë po ashtu pretendimet e Prokurorisë se Krasniqi kishte rol parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.

• Deklaratat përmbyllëse i kanë shpalosur Prokuroria, ekipi mbrojtës i viktimave, mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit. Ajo e Krasniqit do të përfundojë fjalën e saj të hënën.

• Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

• Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

18:14 13.2.2026

Në Gjykatën Speciale sot u mbajt dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së.

Gjatë ditës ekipi i Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke thënë se ai duhet të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ka prova që e lidhin me krimet në aktakuzë.

Mbrojtja e Selimit tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për Selimin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin nënkupton "burgim të përjetshëm".

Më pas mori fjalën mbrojtja e Krasniqit, që tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se klienti i tyre ka pasur lidhje me ndonjë krim. Mbrojtja madje tha se nuk ka asnjë dëshmitar që ka thënë se Krasniqi e ka rrahur apo keqtrajtuar.

Sipas mbrojtjes, Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe jo komandant me kontroll ushtarak. Po ashtu, mbrojtja hodhi poshtë pretendimin se Krasniqi ka qenë parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.

Ekipi mbrojtës i Krasniqit do të vazhdojë deklaratat përmbyllëse të hënën. Po të hënën, trupi gjykues ka dy orë kohë që të parashtrojë pyetje për palët dhe pasdite radhën do ta ketë Prokuroria.

Faleminderit që na ndoqët!

XS
SM
MD
LG