Ndërlidhjet

Rama i delegon kompetencat e MPJ-së Gent Cakajt


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, një ditë pas betimit në postin e ministrit të Jashtëm ia delegoi kompetencat për këtë post zëvendësministrit të kësaj ministrie, Gent Cakaj.

Rama e mori vet drejtimin e Ministrisë së Jashtme, pasi presidenti Meta refuzoi kandidaturën e Gent Cakajt, gjë që solli edhe një përplasje fjalësh mes tyre, arsye për të cilën kryeministri ka deklaruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Propozimi i zotit Rama për ministër për Punë të Jashtme dhe Evropë erdhi pasi presidenti Meta refuzoi të dekretojë ministrin e emëruar Gent Cakaj në këtë pozitë.

Presidenti nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit kishte thënë se “profili i zotit Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Megjithatë, të mërkurën, në ceremoninë e marrjes së detyrës, kryeministri bëri të ditur se ai nuk do ta drejtojë këtë ministri.

“Është fjala më e shkurtër në jetën time. Unë në funksionin tim si ministër i Jashtëm i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri.

Ministri i ri i deleguar, Gent Cakaj, në fjalën e tij pas marrjes përsipër të diplomacisë shqiptare, tha se Shqipëria nuk do të ketë asnjë ndryshim strategjik në politikën e jashtme duke shtuar se “Shqipëria sot është në kuotën e saj më të lartë të përfaqësimit politik“.

“Shqipëria qëndron më afër se kurrë hapjes së negociatave. Jemi në fazën e pakthyeshme për të kurorëzuar kryesimin e OSBE-së për vitin që vjen. Do të vazhdojmë me energji të reja dhe qasje proaktive”, tha Cakaj.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur pas delegimit të kompetencave të ministrit të Jashtëm nga kryeministri Edi Rama te Gent Cakaj. Ai tha se presidenti nuk mund të ndërhyjë apo të komentojë organizimin e brendshëm të ekzekutivit.

“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si president i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Shqipërisë, që është anëtare e NATO-s që nga viti 2009, i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014 dhe shpreson që negociatat për anëtarësim t’i fillojë këtë vit.

Edhe pse ka marrë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, zyrtarë të BE-së janë shprehur se Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë në pesë prioritetet, që përfshijnë: reformën në administratën publike, efikasitetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e mbështetjen e të drejtave të njeriut.

XS
SM
MD
LG