Ndërlidhjet

Cilat janë raportet ndërmjet mjekëve dhe pacientëve?


Ilustrim

Raportet ndërmjet mjekut dhe pacientit, në institucionet publike shëndetësore në Kosovë, nuk janë në nivelin e duhur. Kështu thonë profesionistë të fushës, duke potencuar faktin se pacientët në Kosovë vazhdojnë ta kenë të cenuar sigurinë e tyre.

Ndonëse pacientët i kanë të garantuara të drejtat e tyre me ligj dhe kanë të drejtë ankese për çfarëdo shkelje që iu bëhet, hulumtimet e organizatave të ndryshme tregojnë se ata kanë pak njohuri për këto të drejta.

Petrit Beqiri, drejtor i kolegjit ‘’Heimerer’’ dhe themelues i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka një asimetri në mes të raporteve mjek-pacient. Sipas tij, për këtë qëllim është organizuar edhe një simpozium për të parë gjendjen reale dhe për ta përmirësuar atë, duke marrë praktika nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne flasim për asimetrinë që prodhon sistemi shëndetësor. Asimetria vjen nga rolet që kanë pacienti dhe mjeku. Në qoftë se mjeku ka informata për pacientin dhe ofron shërbime, pacienti duhet të ketë informimin e duhur, që të ketë mbështetjen për problemin e tij”.

“Mendoj se tash për tash nuk e kanë. Krijohet një disfavor për pacientin, dhe duhet të ketë një infrastrukturë ligjore që pacienti nëse ka problem me sistemin shëndetësor të dijë se ku duhet të drejtohet dhe cilët janë mekanizmat që duhet përdorë që të vijë tek e drejta e tij’’, thotë Beqiri.

Ai shton se kjo çështje duhet të rregullohet brendapërbrenda institucionit shëndetësor, pasi jo secili pacient ka qasje edhe në ballafaqim juridik.

“Nevojitet një avokim për pacientin, pasi jo çdo pacient është në gjendje që të ballafaqohet me çështje juridike dhe këtu ngecim qoftë nga aspekti legjislativ, sepse nuk e kemi pacientin të involvuar në vendimmarrje -kjo qoftë nga aspekti i informimit të pacientit për mundësitë e tij ekzistuese që të mbrojë të drejtën e tij si pacient’’, shton Beqiri.

Besim Kodra, udhëheqës i Shoqatës për të drejtat e pacientëve, thotë se nuk ka raporte cilësore mjek-pacient dhe duhet të punohet në këtë drejtim që të rritet cilësia e bashkëpunimit të pacientëve dhe komunikimit më të mirë me ta.

“Pacientët kanë të drejtën e informimit nga mjekët dhe nëse nuk informohen dhe mjeku nuk bashkëpunon me ta, kanë të drejtë ankese. Ka raste kur ankohen, por ankesat nuk janë të shpeshta, pasi mungojnë njohuritë te pacientët për të drejtat e tyre’’, pohon Kodra.

Institucionet publike shëndetësore janë të obliguara me Ligjin për Shëndetësi që t’i vendosin në hapësira spitalore kartat e të drejtave të pacientëve, këta të fundit duket se nuk i kanë vërejtur, bazuar në hulumtimet e bëra për njohuritë rreth të drejtave të tyre.

Në pyetjen tonë se sa dinë qytetarët se kanë të drejta që iu takojnë me ligj, në rast se frekuentojnë institucionet publike shëndetësore, ata thonë se nuk kanë dëgjuar se kanë të drejta dhe se nuk dinë ndonjë adresë se ku do të duhej ta adresonin problemin apo shkeljen e tyre.

Vlora Gjakova, studente në Fakultetit të Arteve thotë se raportet mjek-pacient lënë shumë për të dëshiruar.

“Në këtë rast ndoshta edhe nuk mund të fajësosh vetëm mjekët, pasi fluksi i madh i pacientëve në institucione publike shëndetësore, s’e di sa ua lejon atyre që të kalojnë kohë me secilin pacient”.

“Sa u përket pacientëve dhe të drejtave të tyre, unë nuk kam dëgjuar se ne, si pacientë, mbrohemi me ligj. As që di ndonjë ankesë se ku do të mund ta adresoja në rast të shkeljes së të drejtave të mia”, thotë Vlora Gjakova.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, përmes linjës falas për qytetarë, që kanë të drejtë ankese, kanë pranuar rreth 60 ankesa të natyrave të ndryshme dhe 90 për qind e tyre tashmë janë proceduar.

Ata kanë thënë se kryesisht, ankesat kanë qenë rreth mungesës së mjekut në vendin e punës, pastaj referimi i pacientëve në ordinanca private të caktuara, përdorimi i barnave pa banderola e të tjera.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG