Ndërlidhjet

Gjykata Supreme në Shkup shqyrton ankesën për rastin e Kumanovës


Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut nisi të mërkurën seancën publike për rastin e Kumanovës.
Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut nisi të mërkurën seancën publike për rastin e Kumanovës.

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut nisi të mërkurën seancën publike lidhur me ankesën e palës mbrojtëse ndaj gjykimit të 33 personave për rastin e Kumanovës.

Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në Kumanovë kishte ndodhur një përleshje e armatosur mes forcave maqedonase të sigurimit dhe një grupi që prezantohej si ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Gjatë luftimeve që zgjatën dy ditë, ishin vrarë tetë pjesëtarë të policisë dhe dhjetë anëtarë të grupit të armatosur, që ishte pozicionuar në Lagjen e Trimave në këtë qytet, për t’u tërhequr autoriteteve vëmendjen për, siç është thënë, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Për veprën penale “terrorizëm”, Gjykata Penale e Shkupit, më 2 nëntor të vitit 2017, shtatë persona të grupit i dënoi me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20, një me 18, dy me nga 14, dy të tjerë me nga 13 dhe dy me nga 12 vjet burg.

Shumica e grupit të gjykuar janë shtetas të Kosovës.

Në korrik të vitit 2019 vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit. Pala mbrojtëse kërkon përsëritjen e gjykimit për shkak të shkeljes së procedurës së gjykimit, mosrespektimin e kërkesës për paraqitjen e më shumë dëshmitarëve, përfshirë drejtuesit e lartë të policisë sekrete, por edhe të politikanëve.

“Sikur Ali Ahmeti të dëshmonte bazuar në disa qëndrime të tilla nëpër media, do të dilnin fakte të reja se dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Dem Shehu dhe Andi Krasniqi, aspak nuk kanë qenë organizatorë të ngjarjes. Ata fare nuk kanë qenë organizatorë, pasi dihet se koordinimi është bërë nga dy të vrarët, Beg Rizaj dhe Mersad Ndrecaj. Seanca e sotme ka të bëjë vetëm me shtatë personat e dënuar me burgim të përjetshëm”, ka deklaruar avokati, Naser Raufi.

Ai sërish ka përsëritur qëndrimin se në rastin e Kumanovës është përfshirë Drejtoria e Zbulimit dhe Kundërzbulimit, e cila sipas palës mbrojtëse, ka inskenuar gjithë rastin për të shpërqendruar vëmendjen nga zhvillimet politike dhe protestat që paralajmëroheshin nga opozita.

“Drejtoria e Zbulimit dhe Kundërzbulimit është e përfshirë në këtë rast. Qëllimi ynë është të dëshmojnë se kjo agjenci është e përfshirë në këtë ngjarje dhe se qëllimi ka qenë për të shpërqendruar vëmendjen nga zhvillimet tjera në vend, pasi atë kohë kishte protesta të përditshme. Ishte paralajmëruar një protestë nga opozita e atëhershme për më 17 maj dhe duhej që paraprakisht të ndodhte diçka që të shpërqendrohej vëmendja nga zhvillimet tjera”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.

Pala mbrojtëse ka kërkuar edhe hetim ndërkombëtar të rastit, pasi pretendon se gjykimi i grupit të armatosur është i motivuar politikisht dhe me prapavijë etnike.

Në vitin 2019, pas zgjedhjes president i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kishte premtuar një rishqyrtim të ngjarjeve të Kumanovës, madje inteligjencia shtetërore kishte deklaruar se posedon informata se pas incidentit mund të kenë qëndruar motive politike dhe financiare.

Video nga arkivi i REL-it:

Shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e V. flet për ngjarjet e Kumanovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

XS
SM
MD
LG