Ndërlidhjet

Fituesit dhe humbësit e zgjedhjeve lokale


Një qytetar duke votuar në Prishtinë në rundin e balotazhit më 14 nëntor 2021.
Një qytetar duke votuar në Prishtinë në rundin e balotazhit më 14 nëntor 2021.

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka fituar garën më të madhe në Kosovë në zgjedhjet lokale – atë për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën. Këtë komunë, për dy mandate radhazi e udhëhoqi Shpend Ahmeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti nga e cila u largua më 2018.

Më 14 nëntor, në 21 komuna të Kosovës u mbajt rundi i dytë i zgjedhjeve lokale, pas atij të parit më 17 tetor kur u zgjodh udhëheqësia lokale në 17 komuna.

Në bazë të rezultateve preliminare, me 1,700 vota më shumë, Rama ka mposhtur kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, Vitia kishte fituar 42 për qind të vota, ndërkaq Rama 29 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje, pos Prishtinës, e ka humbur edhe Prizrenin, ku kishte qeverisur në katër vjetët e fundit.

Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mposhti tashmë ish-kryetarin Mytaher Haskuka, me 1,075 vota më shumë.

Nga 38 komuna, Vetëvendosje fitoi katër

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet parlamentare të shkurtit fitoi mbi 50 për qind të votave, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk arriti të fitojë asnjë komunë. Në rundin e balotazhit, partia e kryeministrit Albin Kurti fitoi në katër nga 12 komunat ku ishte në balotazh.

Vetëvendosje arriti të fitojë në Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe në Shtime.

Alban Hyseni i LVV-së, ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritashëm të Gjilanit, Lutfi Haziri. Edhe në komunën tjetër në rajonin e Anamoravës, në Kamenicë, Vetëvendosje arriti të fitojë.

Kandidati i kësaj partie, Kadri Rahimaj, mposhti Qëndron Kastratin e Partisë Socialdemokrate, i cili në vitin 2017 ishte zgjedhur kryetar sa ishte pjesë e LVV-së.

Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi arriti ta ruajë pozitën e të parit të komunës, pasi mposhti në balotazh kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni.

Partia në pushtet arriti të fitojë edhe në Shtime. Mjeku Qemajl Aliu mposhti kryetarin e deritashëm, Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës.

Për katër vjet PDK-ja do të qeverisë në nëntë komuna

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në rundin e balotazhit ka fituar në pesë komuna. PDK-ja arriti fitore në Prizren, duke rrëzuar nga pushteti kryetarin e deritashëm, Mytaher Haskuka.

Nga pushteti, PDK-ja e largoi edhe një kryetar tjetër. Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i LDK-së, humbi garën përballë Ferit Idrizit të PDK-së.

PDK-ja mposhti LDK-në edhe në Dragash. Shaban Shabani i PDK-së, ka fituar përballë atij të LDK-së, Bexhet Xheladini.

PDK-ja ka fituar edhe në Drenas dhe Kaçanik.

Ramiz Lladrovci do të jetë kryetar i Drenasit edhe për katër vjet, pasi mposhti Driton Ajazin, që ishte kandidat i Demokratëve për Drenasin.

Në Kaçanik ka fituar Besim Ilazi i PDK-së, duke mposhtur kandidatin e Vetëvendosjes, Jeton Raka.

Duke llogaritur edhe rundin e parë të zgjedhjeve, PDK-ja ka fituar në nëntë komuna. Vetëm Lista Serbe ka më shumë komuna të fituara, gjithsej dhjetë.

LDK-ja fitoi në shtatë komuna

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka fituar gjithsej shtatë komuna, dy në rundin e parë dhe pesë në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Përveç Prishtinës, kjo parti ka fituar në Fushë Kosovë, Viti, Junik dhe Istog në rundin e balotazhit.

Votuesit e rinj kërkojnë arsim më cilësor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:38 0:00

Fushë Kosova do të vazhdojë ta ketë kryetarin e njëjtë, pasi Burim Berisha fitoi sërish.

Ai ka mposhtur kandidatin e Vetëvendosjes, Enver Bajçinca.

LDK-ja ka fituar edhe Vitinë. Sokol Haliti do të vazhdojë të jetë kryetar, pasi mposhti kandidatin e LVV-së, Arsim Ademi.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar edhe në Istog. Kandidati Ilir Ferati, arriti të mposhtë në balotazh kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.

LDK-ja ka mposhtur AAK-në edhe në Junik. Kryetari i deritashëm i Junikut, Agron Kuçi i AAK-së, ka humbur në garën e balotazhit me kandidatin e LDK-së në këtë komunë, Ruzhdi Shehu.

AAK-ja fitoi sërish në Gjakovë, por humbi Junikun

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka fituar tri komuna në garën e balotazhit.

Ardian Gjini që ka qeverisur në katër vjetët e fundit me Gjakovën, ka fituar edhe një betejë kundër ish-kryetares së kësaj komune, Mimoza Kusari-Lila, që ishte kandidate e LVV-së.

Gjini i AAK-së fitoi mandatin e dytë radhazi në këtë komunë.

Njëjtë sikurse në Gjakovë, AAK-ja ka arritur të fitojë sërish edhe në Rahovec e Klinë.

Kryetari i deritanishëm i Rahovecit, Smajl Latifi, mposhti kandidatin e LVV-së, Visar Korenica.

Kurse në Klinë, Zenun Elezaj do të jetë sërish kryetar pasi mposhti kandidatin e PDK-së, Esat Raci.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga një komunë në këtë garë kanë fituar Nisma Socialdemokrate, partia turke KDTP, Lista Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Edhe Obiliqi do të vazhdojë ta ketë kryetarin e njëjtë. Xhafer Gashi, i cili pas largimit nga AAK-ja, ka kandiduar si kandidat i Iniciativës Qytetare për Obiliqin, ka fituar kundër Halil Thaçit të Vetëvendosjes.

Partia Nisma Socialdemokrate ka arritur të fitojë një komunë. Kjo parti ka fituar në bastionin e saj në Malishevë. Kandidati i kësaj partie, Ekrem Kastrati, ka mposhtur kandidatin e PDK-së, Isni Kilaj.

Abdulhadi Krasniç i partisë turke KDTP, ka arritur të fitojë garën e balotazhit në Komunën e Mamushës.

E vetmja komuna me shumicë serbe që kishte shkuar në balotazh ishte Kllokoti. Edhe në këtë komuna ka fituar Lista Serbe me kandidatin, Vladan Bogdanoviq.

KQZ-ja tha se gjatë procesit zgjedhor nuk ka pasur incidente që do ta cenonin integritetin e zgjedhjeve. Dalja në rundin e dytë ishte rreth 38 për qind.

Kush fitoi në rundin e parë?

Rundi i parë i zgjedhjeve të rregullta lokale u mbajt më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale dhe kryetarët e komunave. Në këtë rund, nga 38 komuna sa janë në Kosovë, 17 zgjodhën krerët e rinj.

Nga partitë shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës më 17 tetor fitoi më së shumti komuna, gjithsej katër: Mitrovicë e Jugut (Bedri Hamza), Ferizaj (Agim Aliu), Skenderaj (Fadil Nura) dhe Han i Elezit (Mehmet Ballazi).

Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar dy komuna: Pejë (Gazmend Muhaxheri) dhe Lipjan (Imri Ahmeti). Numër të njëjtë të komunave ka fituar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Deçan (Bashkim Ramosaj) dhe Suharekë (Bali Muharremaj).

Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna: Mitrovicë e Veriut (Milan Radojeviq), Leposaviq (Zoran Todiq), Zubin Potok (Sërxhan Vuloviq), Zveçan (Dragisha Miloviq), Graçanicë (Liljana Shubariq), Novobërdë (Sasha Millosheviq), Shtërpcë (Dalibor Jevtiq), Ranillug (Katarina Ristiq) dhe Partesh (Dragan Petkoviq).

Sa i përket kuvendeve komunale, LDK-ja mori më së shumti vota (170,134), pasuar nga LVV-ja (168,084), PDK-ja (161,645), AAK-ja (90,863) dhe Lista Serbe (53,342).

Rundi i parë i zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe nga ekipi monitorues i Bashkimit Evropian u tha se u mbajt i qetë dhe pa incidente.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG