Ndërlidhjet

Reciprociteti, përplasje e re me SHBA-në


Albin Kurti dhe ambasadori Richard Grenell.

Qeveria e re e Kosovës, e kryeministrit Albin Kurti, ka marrë mbështetjen e SHBA-së e BE-së për heqjen e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia, por kjo përkrahje i ka munguar në tentativën proklamuar që taksën ta zëvendësojë me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka përsëritur të martën se taksa 100 për qind ndaj importeve nga Serbia duhet të hiqet.

Grenell përmes rrjetit social Twitter ka shkruar se taksa duhet të hiqet në mënyrë që investimet të vihen në funksion.

"Tarifat duhet të hiqen në mënyrë që investimet të funksionojnë. Është fundamentale", ka shkruar Grenell.

Një ditë më parë, zëdhënësit i ambasadorit Grenell, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

"Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit", shtoi ai.

Zëvendëskryeministri në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës po punon që të tejkalojë çështjet e hapura dhe se sipas tij, vendosja e reciprocitetit, “është qasje pragmatike”.

*Video: Qytetarët kundër skenarit "as taksë, as reciprocitet"

"As taksë, as reciprocitet"?
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:24 0:00

Përfaqësuesit e partive politike opozitare nuk pajtohen fare me idenë e Kurtit që ta heqë taksën doganore ndaj Serbisë. Sipas opozitës, Kosova e konsideron SHBA-në partner strategjik, por taksa ndaj importeve nga Serbia, duhet të mbete në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smail Latifi, tha për Radion Evropa e Lirë, se derisa nuk ka një situatë të qartë për dialogun Kosovë - Serbi dhe përderisa nuk ka një kornizë për marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa nuk duhet të hiqet. Sipas tij, nuk është momenti politik që nga taksa të kalohet në fazën e reciprocitetit.

"Unë mendoj se taksa duhet të mbetet dhe zoti Kurti ka prioritete tjera të cilat kanë të bëjnë me angazhimet në qeverisje. Natyrisht që qëndrimi ynë është objektiv, i arsyeshëm dhe i qartë që taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe duhet mbetet në fuqi sepse është argument edhe politik edhe strategjik edhe ekonomik. Po ashtu, është edhe një tendencë pozitive për trajtimin e Kosovës në tavolinën e bisedimeve si palë e barabartë me Serbinë", tha Latifi.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, konsideron se shfuqizimi i taksës doganore për mallrat nga Serbia dhe kalimi në masën e reciprocitetit, ende është në nivel të deklaratave dhe asgjë shumë.

"Unë besoj se më e rëndësishme se sa përplasja përmes deklaratave, do të duhej të ishte sqarimi që zoti Kurti të marrë nga zoti Grenell, respektivisht sqarimi që Kosova duhet të marrë nga SHBA-ja, në kuptimin se si e sheh SHBA-ja heqjen e taksës dhe pse reciprociteti nuk është masë e duhur. Flasim për një masë e cila është normale në ndërtimin e raporteve mes shteteve në të gjitha sferat dhe unë nuk besoj se një masë e tillë do të mund të dëmtonte qëllimin që ka SHBA-ja për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë", tha Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se institucionet e Kosovës, dhe në përgjithësi spektri politik, duhet të ketë një koordinim sa i takon dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave që duhet të ndërmerren.

"Unë besoj se Kosova, respektivisht struktura politike, duhet ta ketë të qartë se çfarë humbin dhe çfarë fitojnë me largimin e taksës. Të mos harrojmë se deri më tash, gjithçka edhe sa i takon taksës 100 për qind, ka qenë më tepër në fushën e deklarimeve politike dhe është shfrytëzuar vetëm për të bërë politikë", është shprehur Mushkolaj.

Ngjashëm me taksën doganore prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovinës edhe masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, nuk po hasë në mbështetjen ndërkombëtare.

Njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare në vend vlerësojnë që në rast se Kosova aplikon masa të reciprocitetit ndaj Serbisë, ato nuk janë në kundërshtim me parimet, të cilat janë të pranuara nga e drejta ndërkombëtare.

Sipas tyre, reciprociteti, në të drejtën ndërkombëtare, konsiderohet si një parim i pranuar në mënyrë universale, ku një shtet miraton një sjellje të caktuar simetrike, si përgjigje ndaj një veprimit të ngjashëm, i cili është miratuar nga shteti tjetër.

XS
SM
MD
LG