Ndërlidhjet

Haradinaj letër Kurtit: Mos e hiqni taksën


Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, të mos e heqë taksën ndaj mallrave serbe.

Përmes një letre drejtuar Kurtit, Haradinaj thotë se "në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

“Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me vetëmohim të pashoq të kanë qëndruar besnikë në kauzën tënde. Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur. Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të lutem të mos e largosh taksën ndaj Serbisë”, thuhet në letrën e Haradinajt të cilën e ka postuar edhe në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Në fund të vitit 2018, qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Haradinaj, vendosi taksën ndaj mallrave serbe, për shkak të siç kishte thënë "fushatës agresive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe lobimit kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare".

Beogradi menjëherë pezulloi pjesëmarrjen në bisedimet për normalizimin e raporteve me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, kryeministri Kurti tha se qeveria e tij, nuk i vë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike, por edhe arsye aktuale.

“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti me 5 shkurt, gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.

Një ditë pasi që Kuvendi i Kosovës votoi për formimin e qeverisë së re me Albin Kurtin kryeministër, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG