Ndërlidhjet

Mbi katër milionë ukrainas i kanë ikur luftës


Disa familje duke i ikur luftës në Ukrainë.

Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se katër milionë ukrainas kanë ikur nga vendet e tyre, si pasojë e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë ka shprehur shqetësim më 30 mars se disa sulme të forcave ruse në Ukrainë mund të përbëjnë krime lufte.

Sipas kësaj Agjencie, numri total i refugjatëve deri më 29 mars ka qenë 4.02 milionë, dhe rreth gjysma e tyre kanë bërë rrugën fillestare në Poloni.

“Numri i refugjatëve nga Ukraina tani ka shkuar në katër milionë, pesë javë pas nisjes së sulmeve ruse”, ka thënë Komisionari i Lartë i OKB-së për Refugjatë, Filippo Grandi.

Më shumë se gjashtë milionë ukrainas besohet se janë zhvendosur brenda shtetit.

Para nisjes së pushtimit rus, Ukraina ka pasur një popullsi prej 37 milionë banorësh në rajonet që kanë qenë nën kontrollin qeveritar, duke përjashtuar Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe rajonet në lindje, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Çfarë e ndryshoi qasjen e Evropës ndaj refugjatëve?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:11:24 0:00

Komisionarja e Lartë e OKB-së për të Drejta të Njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë më 30 mars se Ukraina është përballur me “ankth” prej kur ka nisur pushtimi rus.

“Jetët e miliona njerëzve janë përmbysur teksa detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre apo të fshihen nëpër bodrume, ndërkohë që qytetet shkatërrohen nga bombardimet”, ka thënë ajo.

Bachelet ka thënë se zyra që drejton ajo, ka pranuar supozime të besueshme se forcat e armatosura ruse kanë përdorur municione në zonat e populluara në të paktën 24 raste.

Zyra e saj ka verifikuar edhe 77 incidente ku janë dëmtuar objekte mjekësore.

“Sulmet pa dallim ndalohen sipas ligjit ndërkombëtar dhe mund të përbëjnë krime lufte”, ka thënë Bachelet.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG