Ndërlidhjet

Regresi shqetësues i të drejtave të komunitetit LGBT në Evropën Lindore


Disa njerëz duke fotografuar një tullumbace me ngjyrat e komunitetit LGBT në Budapest. Korrik 2021.
Disa njerëz duke fotografuar një tullumbace me ngjyrat e komunitetit LGBT në Budapest. Korrik 2021.

Duke nisur nga sulmet fizike, abuzimet online dhe ndryshimet në legjislacion, komuniteti LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor) në Evropën Lindore dhe atë Qendrore ka pasur pak momente të lumtura më 2021.

Qeveritë populliste në Poloni, Hungari dhe vende tjera, kanë shfrytëzuar situatat jostabile, zemërimin dhe frikën – të nxitura edhe nga udhëheqësit fetarë apo pandemia e koronavirusit – për të çuar përpara legjislacione kundër komunitetit LGBT.

Megjithatë, sipas Evelyne Paradis, drejtore ekzekutive në degën evropiane të Asociacionit Ndërkombëtar për këtë komunitet (IGLA), ky trend është parë edhe në disa pjesë tjera të Evropës.

“Polonia dhe Hungaria nuk përbëjnë anomali. Në vitin që po e lëmë pas, ne kemi parë më shumë shtypje politike kundër komunitetit LGBT, rritje të vështirësive socio-ekonomike dhe përhapje të urrejtjes, qoftë në rrugë apo edhe në formatin online”, ka thënë Paradis në disa komente dërguar Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike.

Një sulm ndaj një qendre të këtij komuniteti në kryeqytetin bullgar, Sofje, i udhëhequr nga një lider i djathtës ekstreme, që ka kandiduar edhe në zgjedhjet presidenciale; një ligj i ri në Hungari që ndalon mësimet të cilat promovojnë homoseksualitetin dhe ndryshimin e gjinisë; vende në Poloni të ashtuquajtura “zona të lira nga ideologjia LGBT”.

Të gjitha këto kanë ndodhur më 2021.

Zemërim i madh është vërejtur ndaj një legjislacioni hungarez, i cili sipas kritikëve e barazon homoseksualitetin me pedofili, mirëpo sipas kryeministrit Viktor Orban i mbron fëmijët dhe familjen.

Liderët e BE-së kanë dënuar legjislacionin hungarez dhe vetë Komisionarja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen e ka quajtur “të turpshëm”.

Mirëpo pothuajse të gjithë liderët e Evropës Lindore, ish-komuniste, nuk kanë pranuar që të nënshkruajnë një letër që dënon ligjin.

Gjithë kjo situatë ka krijuar përplasje në kontinent, pasi disa analistë kanë thënë se po krijohet një “Bashkim i Evropës Lindore” duke u bazuar në pozicione që janë të kundërta me ato të BE-së për sundim të ligjit, të drejta të njeriut, të drejta të mediave dhe të drejta të komunitetit LGBT.

“Mendoj se e gjithë kjo qasje është shumë kundër Evropës. Shfaq shenja të krijimit të një lloj Perdeje të Hekurt”, ka thënë Marko Millosavljeviq, profesor i gazetarisë dhe mediave në Universitetin e Lubjanës, në disa komente për agjencinë e lajmeve Reuters.

Dikur përparimtarë, tani të fundit në listë

Jo shumë kohë më parë gjërat kanë qenë ndryshe.

Në kohën e rrëzimit të Murit të Berlinit më 1989, Evropa Qendrore dhe ajo Lindore kanë mirëpritur pjesëtarët e komunitetit LGBT.

Në kthim edhe më madh në kohë, shumë shtete në rajon kanë qenë shumë më të avancuara në përmirësim të këtyre të drejtave, të paktën në letër.

“Në ish-Bllokun Lindor, këto shtete kanë qenë përparimtare për të drejtat e komunitetit LGBT. Polonia, për shembull, e ka dekriminalizuar homoseksualitetin më 1932”, ka thënë Agnieszka Koscianska, profesoreshë në Shkollën e Oksfordit për Studime Globale, gjatë një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Hungaria e ka dekriminalizuar homoseksualitetin më 1961, ashtu sikurse Çekosllovakia e atëhershme.

Bullgaria ka vepruar njëjtë shtatë vjet më vonë, më 1968.

Shtetet tjera po ashtu.

Në Rumani, personi i fundit që është burgosur pse ka qenë homoseksual dhe ka ecur lirshëm në rrugë, është raportuar më 1998.

Tri vjet më vonë, më 2001, ky shtet ka dekriminalizuar homoseksualitetin dhe i ka harmonizuar ligjet me ato të BE-së për të fituar anëtarësimin.

Ish-Jugosllavia ka nisur po ashtu atëkohë që të shfuqizoj ligjet kundër homoseksualve.

Megjithatë, homoseksualiteti ka vazhduar që të jetë i paligjshëm në Serbi dhe Kosovë deri më 1994, në Maqedoni deri më 1996 dhe në Bosnje-Hercegovinë deri më 1998.

Ndryshimi në qasje

Banorët e Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore dallojnë në qëndrime sa i përket komunitetit LGBT, tregojnë disa sondazhe.

Shumica e respodentëve në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore kanë mbështetur martesat mes personave të gjinisë së njëjtë, sipas të dhënave të Institutit Pew.

Në pothuajse të gjitha vendet e Evropës Lindore – me përjashtim të Republikës Çeke – shumica kundërshtojnë diçka të tillë.

Këto ndasi thellohen sa më shumë që një person niset drejt lindjes, ka thënë Jacob Poushter, drejtor në departamentin për pikëpamje globale në Pew.

“Mbështetja e pozicionit se homoseksualiteti duhet të pranohet nga shoqëria, vërehet më së shumti në Evropën Perëndimore. Në Gjermani, mbështetja shkon në 86 për qind, në Holandë 92 për qind, ndërsa në Spanjë është 89 për qind. Mirëpo sapo të kalojmë zonën e ndasive këto shifra ulen derisa të arrijmë te Rusia”, ka thënë Poushter në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të përpiluara më 2020, Poushter ka treguar se 47 për qind e personave në Poloni dhe 49 për qind e tyre në Hungari kanë thënë se homoseksualiteti duhet të pranohet.

Në Bullgari, këto shifra bien në 32 për qind.

Në Rusi, 14 për qind. Edhe në Republikën Çeke – më liberale se të tjerat – mbështetja shkon në 59 për qind.

Të përbashkëtat eventuale të fushatës kundër komunitetit LGBT dhe asaj kundër vaksinimit?

Ndonëse qëndrimet e përgjithshme mund të ndryshojnë, ndjenjat kundër komunitetit LGBT janë të lidhura kryesisht me lëvizjet e të djathtës ekstreme, si në Evropën Lindore, ashtu edhe atë Perëndimore, ka thënë, Heleen Touquet, udhëheqëse për vlera evropiane në Universitetin e Antverpit.

Policia duke u përleshur me protestues të së djathtë ekstreme pas mbajtjes së një marshi për barazi të komunitetit LGBT në Poloni. Tetor 2018.
Policia duke u përleshur me protestues të së djathtë ekstreme pas mbajtjes së një marshi për barazi të komunitetit LGBT në Poloni. Tetor 2018.

“Pjesëtarët e partive të së djathtës ekstreme kanë shfaqur qasje konservatore, heteronormative dhe binare sa i përket gjinisë dhe seksualitetit, që gjë e kufizon seriozisht të vetëshprehurit dhe lirinë e pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe personave që duan të sfidojnë ato që konsiderohen si norma tradicionale apo familjare. Kjo është diçka që ka të përbashkët e djathta ekstreme në Evropën Perëndimore me politikanë si (kryeministri sllovak) Janez Jansha, (kryeministri hungarez) Viktor Orban dhe partia udhëheqëse në Poloni, Ligji dhe Drejtësia”, ka thënë Touquet për Radion Evropa e Lirë.

Mesazhe negative të nxitura nga Rusia

Ndoshta jo edhe aq toksike, por qasja armiqësore ndaj komunitetit LGBT nuk është e kufizuar vetëm në klasën politike në Evropës Lindore.

Në muajin korrik, 17 nga 27 liderët e vendeve të BE-së, kanë nënshkruar një letër të hapur, në të cilën është kritikuar legjislacioni i ri i Hungarisë.

Estonia, Lituania dhe Letonia kanë qenë të vetmet vende ish-komuniste që e kanë nënshkruar atë.

Në mesin e ndryshimeve në Kushtetutën Hungareze, të kryera në dhjetor të vitit 2020 është përfshirë edhe definicioni i familjes, duke e definuar atë si “martesë dhe marrëdhënie mes prindit dhe fëmijës”.

Aty po ashtu është theksuar se “nëna është gruaja dhe babai është burri”.

Millosh Zeman, president i Republikës Çeke, i ka thënë televizionit CNN Prima më herët gjatë këtij vitit se transgjinorët e “neveritin”.

Presidenti çek, Millosh Zeman.
Presidenti çek, Millosh Zeman.

Dunja Mijatoviq, Komisionare për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, ka thënë në një shkrim të botuar në muajin gusht se komuniteti LGBT është duke u shënjestruar vazhdimisht nga politikanët popullistë.

“Fajësimi i minoritetit LGBT është kthyer në taktikë nga ultra-konservatorët dhe politikanët nacionalistë të cilët e shpërfaqin veten mbrojtës të të ashtuquajturave 'vlera tradicionale' për të fuqizuar bazën e tyre apo për të qëndruar në fuqi. E kam vërejtur se stigmatizimi i komunitetit LGBT është vënë më shumë në pah gjatë proceseve zgjedhore”, ka thënë Mijatoviq.

Në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, Rusia mund të jetë duke ushqyer këtë ndjenja, ka thënë drejtorja ekzekutive e Asociacionit Prano, Teodora Ion Rotaru.

Grupet anëtare të këtij Asociacioni e organizojnë Festivalin vjetor të Krenarisë në Bukuresht.

“Ne e shohim në media dhe media sociale një ndërhyrje të konsiderueshme të Rusisë, me qëllim të nxitjes së konfliktit. Ne e kemi parë këtë gjë kohën e fundit dhe me fushatën kundër vaksinimit, e cila ka disa elemente të njëjta me fushatat kundër të drejtave të komunitetit LGBT, sa u përket njerëzve dhe burimeve”, ka thënë Rotaru për Radion Evropa e Lirë.

“Ne duhet ta kuptojmë se ekspertë të sigurisë veçse e shohin këtë lloj sjelljeje si pjesë të luftës hibride të Rusisë kundër BE-së, duke e sulmuar bllokun në vlerat themelore - liri, demokraci, sundim të ligjit dhe barazi”, ka shtuar ajo.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG