Ndërlidhjet

Rindërtimi i shtëpive në veri, në mëshirën e buxhetit dhe burokracisë lokale


Mitrovica e Veriut.
Mitrovica e Veriut.

Ramadan Istrefi dhe familja e tij gjashtë anëtarëshe, nga Mitrovica, që nga shtatori i vitit 1999, është duke bërë përpjekje që të kthehet për ta rindërtuar shtëpinë e tij në pjesën veriore të qytetit, e cila i ishte dëmtuar gjatë luftës në Kosovë. Por, përpjekjet e tij, për çdo vit, kanë qenë të kota, madje edhe pas krijimit të komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila është me popullatë shumicë serbe.

Istrefi ka rrëfyer për Radion Evropa e Lirë se pas përfundimit të luftës, në shtator të vitit 1999, ishte përpjekur të meremetojë shtëpinë e dëmtuar nga forcat serbe, e cila gjendet në lagjen "Kroi i Vitakut".

Por, përderisa ishte duke punuar, ishte sulmuar, siç thotë ai, nga serbët lokalë. Forcat e KFOR-it kishin arritur ta marrin nga oborri i tij, të pavetëdijshëm dhe ta bartnin në pjesën jugore të qytetit. Që atëherë, ai thotë që për çdo vit ka bërë përpjekje që të shkojë në pronën e tij, por që nuk ka arritur ta rindërtojë shtëpinë dhe të kthehet aty me familjen e tij.

“Prej 7 shtatorit të viti 1999 e deri më sot, gjithmonë kemi bërë përpjekje që të dalim në pjesën veriore, që të kthehemi në shtëpitë tona, në pronat tona dhe në vendin tonë. Por, kemi hasur në probleme prej serbëve, ndërkaq nuk e kemi pasur edhe aq përkrahjen as prej komunës dhe as prej qeverisë. Kemi mbetur kështu. Padrejtësia që na është bërë neve nuk i është bërë askujt në Kosovë”, theksoi Ramadan Istrefi.

Buxheti i pamjaftueshëm për rindërtimin e shtëpive

Fatin e ngjashëm sikurse të Ramdan Istrefit dhe familjes së tij, në Mitrovicën e Veriut e kanë edhe qindra familje të tjera, thonë zyrtarë lokalë të kësaj komune, të cilët përfaqësojnë qytetarët shqiptarë.

Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë që janë mbi 600 familje shqiptare të kësaj komune, të cilët nuk mund ta shfrytëzojnë pronën e tyre.

“Sa i përket numrit të objekteve apo shtëpive të djegura gjatë luftës, tani për tani, i kemi mbi 250 shtëpi të shqiptarëve dhe i kemi të uzurpuara rreth 400 banesa, të cilat gjenden nëpër objektet kolektive në veri të Mitrovicës”, theksoi Cimili.

Nazmi Ismajli nga “Këshilli i Veriut”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që buxheti për ndërtimin e shtëpive në katër komunat e veriut të vendit, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të jetë më i madh se sa buxheti paraprak.

“Ne kemi llogaritur deri në 2 milionë e gjysmë, që së paku 100 shtëpi të kryehen menjëherë. Por ato nuk janë ndarë. Janë ndarë rreth 500 mijë euro, sa kam informata. Por, në bazë të komisionit që ka qenë, ata kanë kërkuar që të çojmë edhe më shumë emra të banorëve që nuk kanë mundur të kthehen (në veri), në mënyrë që nga qeveria të kërkohen para më shumë. Kështu që i kemi përfshirë aty 350 shtëpi që nuk janë përfunduar në katër komunat e veriut”, thotë Ismajli.

Kod i ri buxhetor për shtëpitë në veri

Në buxhetin e Kosovës, të vitit 2020, për ndërtimin e shtëpive në komunat veriore të vendit, janë ndarë 500 mijë euro. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar në një seancë të Kuvendit të Kosovës se për ndërtimin e shtëpive në komunat veriore të vendit do të ketë edhe një kod të ri buxhetor.

“Atë që po bëjmë ne tash është një kod i ri buxhetor me një buxhet përkatës për ndërtimin e shtëpive në veri për t’i kthyer shqiptarët në ato pjesë të vendit. Do të punojmë edhe në ato katër komuna në veri që të sigurohemi që secili të ketë qasje atje në shtëpinë apo tokën që i takon”, ka thënë Hoti.

Ai e ka dhënë këtë përgjigje pas pyetjes së deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Murtezi, nëse kryeminsitri është në dijeni për projektin e ndërtimit të banesave ë reja për çiftet nga Serbia në Mitrovicën e Veriut dhe si do të veprojë lidhur me këtë çështje.

Kryeministri Hoti kishte thënë se “kjo çështje i takon pushtetit lokal në aspketin ligjor”.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit e Qeverisë së Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a janë futur në funksion mjetet e ndara nga buxheti i vitit 2020 për ndërtimin e shtëpive në komunat veriore dhe as për atë se sa është paraparë shuma e mjeteve për kodin e ri buxhetor për këtë çështje, për të cilin ka folur kryeministri Hoti.

Autoritetet lokale e bëjnë “të pamundur” rindërtimin e shtëpive

Por, pronarët shqiptarë të shtëpive, të cilat janë dëmtuar gjatë luftës në komunat veriore të vendit, shprehen skeptikë se rindërtimi i shtëpive të tyre do të kalojë pa probleme.

Sipas tyre, administrata e Komunës së Mitrovicës së Veriut, u ka kërkuar që të aplikojnë për të marrë lejen për rindërtimin e shtëpive të tyre të dëmtuara.

Këtë e konfirmon edhe Ramadan Istrefi, i cili thotë se procedurat për marrjen e lejes për rindërtimin e shtëpisë në komunën e Mitrovicës së Veriut janë tepër burokratike dhe “e bëjnë gati se të pamundur një gjë të tillë”.

“Kanë ardhur inspektorët e komunës, pjesë së veriut. I kishte dërguar (ish-kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran) Rakiq dhe na e kanë ndërprerë punën. Ata na thanë, ‘sillni dokumentet te ne dhe brenda javës keni për të filluar’. Ne e kemi dërguar të gjithë dokumentacinin. Besoni, më kurrë nuk na kanë ftuar. Askujt në Kosovë, që ia kanë djegur shtëpinë, nuk ia kanë kërkuar fletën poseduese dhe kopjen e planit, si dhe listën familjare. Neve na i kanë kërkuar ato. Dhe ne, disa i kemi dërguar e disa jo, por nuk e di askush se çfarë bëhet”, theksoi Ramadan Istrefi.

Se ajo që thotë Istrefi ndodh në Komunën e Mitrovicës së Veriut, këtë e konfirmon edhe nënkryetari i kuvendit të kësaj komune, Bashkim Cimili.

“Për shembull, një banori të veriut që i është djegur shtëpia gjatë luftës, pas luftës ka dëshiruar që ta ndërtojë, po i kërkohet një leje. Kur shkon ta kërkojë lejen në komunën veriore, aty leje nuk i japin. Është shumë interesante, sepse në tërë Kosovën, ku janë djegur gjithë ato shtëpi, secila nga to është rindërtuar dhe askujt nuk i është kërkuar leja e ndërtimit. Të vetmit janë shqiptarët e veriut, të cilëve u kërkohet ajo leje për rindërtim të shtëpisë së djegur”, thotë Cimili.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar zyrtarët e adminstratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ish-kryetarin e kësaj komune Goran Rakiq, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, për të marrë sqarimet lidhur me procedurat administrative për rindërtimin e shtëpive të djegura të shqiptarëve në këtë komunë. Por, ata ishin të paqasshëm.

Çështja e procesit të kthimit të qytetarëve në pronat e tyre në veri të vendit është lënë në duart e Grupit ndërministror të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë zyrtarët e të dy ministrive, të cilat drejtohen nga ministra nga radhët e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG