Ndërlidhjet

Të zhvendosurit nga Kosova, ‘u kthyen dhe ikën shpejt’


Një nga shtëpitë e braktisura në fshatin Dërsnik, Komuna e Klinës, rreth 70 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Milomir Ribaq është një nga organizatorët e kthimit kolektiv të serbëve të zhvendosur në Dërsnik të Klinës, të cilët pas luftës në vitin 1999, janë larguar për në Serbi.

Në periudhën prej vitit 2000 e deri në vitin 2005, në Dërsnik janë ndërtuar 41 shtëpi për të kthyerit serbë, por aktualisht në këtë fshat jetojnë rreth 10 persona.

“Ata u kthyen, e më pas shumë shpejt kanë shkuar”, thotë Ribaq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës për komunitete dhe kthim, në territorin e Komunës së Klinës jetojnë rreth 1,500 serbë, por realiteti në terren është tjetër. Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë drejtoresha e Zyrës për komunitete dhe kthim në këtë vetëqeverisje lokale, Silvija Rashkoviq.

“Kemi të dhëna të ndryshme. Ata e lajmërojnë për kthim të gjithë familjen, ndërkaq ne realisht kemi 250 njerëz dhe kjo është një diferencë drastike kur bëhet fjalë për numrat”, tha Rashkoviq.

Ajo thekson që nuk mund t’i mbajnë me detyrim të kthyerit dhe sqaron që kryesisht kthehen të moshuarit, familjet e të cilëve edhe më tej jetojnë në Serbi.

“Ky është vullneti i tyre. Ata në fillim betohen që dëshirojnë të qëndrojnë këtu dhe pastaj, një vjet më pas thonë që nuk mund të jetojnë këtu”, thotë Rashkoviq.

Procesi dydekadësh

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë ka nisur pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kur paraprakisht ishin kthyer mbi 800,000 shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin dëbuar gjatë luftës dhe në të njëjtën kohë kishte pasuar edhe zhvendosja e serbëve.

Bazuar në legjislacion, të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë që të kthehen në Kosovë dhe për këtë u ndihmon vet shteti.

Ministria për Komunitete dhe Kthim është formuar në vitin 2005 dhe edhe më tej ekziston.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Urosh Staletoviq, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thekson që pas konfliktit në Kosovë, në qershor të vitit 1999, rreth 226,400 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, romë dhe nga komunitetet tjera, e kanë braktisur shtëpitë e tyre. Ndërkaq, deri më sot, në Kosovë janë kthyer rreth 28,500 qytetarë.

Megjithatë, bazuar në të dhënat që disponon Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë – UNHCR, nga viti 2016 jashtë Kosovës llogaritet se janë rreth 107 mijë të zhvendosur. Prej tyre, 88 mijë janë në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe rreth 617 persona në Maqedoni.

Cilat janë kushtet për kthim?

Disa prej kushteve të mëhershme për kthimin e familjeve të zhvendosura kanë qenë që të posedojnë pronësi që është shkatërruar dhe krahas kësaj të mos kenë pronësi tjetër dhe të mos kenë shitur asgjë. Ministria gjithashtu u ka ofruar të ashtuquajturën pako të ndihmës, e cila parasheh rindërtimin e shtëpisë varësisht nga numri i anëtarëve të familjes, orenditë shtëpiake, ushqimet për një periudhë të caktuar dhe ndihmë socio-ekonomike.

Qeveria e Kosovës, në vitin 2018, përderisa ishte kryeministër Ramush Haradinaj, kishte miratuar dekretin “për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme”, që kishte të bënte me krijimin e kushteve të domosdoshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, e të cilët janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në periudhën prej 28 shkurt, 1998 e deri më 31 mars, 2004.

Aktorët kryesorë për procesin e kthimit janë Ministria për Komunitete dhe Kthim, zyrat komunale për komunitete dhe kthim, si dhe të gjithë partnerët tjerë relevantë, të cilët e mbështesin procesin e kthimit dhe riintegrimit.

Rregullorja parasheh ndërtimin e njësive të banimit për të kthyerit dhe të zhvendosurit e brendshëm, prona e të cilëve vlerësohet se ka dëme të konsiderueshme ose dëmtim të tërësishëm. Ata që janë në kategorinë e rëndë marrin material ndërtimor dhe ndihmë për t’u punësuar, ndërkaq atyre që janë në kategorinë e mesme u takon materiali ndërtues ose një pjesë e pakos së ndihmës, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Personave të zhvendosur, gjatë kthimit u sigurohet mbulimi i shpenzimeve për kyçje në energji elektrike, në ujë, kanalizim dhe të tjera.

Procedura e aplikimit për ndihmë për personat e zhvendosur fillon me plotësimin e formularit të aplikimit për ndihma, që është i qasshëm në faqen e internetit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Aplikacioni mund të dorëzohet në Zyrën komunale për komunitete ose përmes ndonjë organizate relevante në Kosovë. Në aplikacion theksohen të dhënat nga dokumentet personale, arsimimi, punësimi, statusi socio-ekonomik dhe familjar, informacionet për zhvendosjen dhe vendosjen, si dhe statusi pronësor.

Çështja e të zhvendosurve, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel

Çështja e personave të zhvendosur, sipas paralajmërimeve, do të duhej të ishte një nga temat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili ka rinisur më 16 korrik.

Zëdhënësi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Staletoviq, thekson që kjo ministri i gëzohet faktit që një nga temat në kuadër të dialogut do të jetë edhe çështja e personave të zhvendosur.

“Problemi më i madh i të zhvendosurve dhe kthimit të tyre eventual është çështja e uzurpimit të pronës. Sinqerisht besoj që çështja e pronës do të gjendet në kuadër të kësaj teme. Ajo që është me rëndësi esenciale në këtë moment është fakti që dialogu po vazhdon. Kur kemi dialog kemi edhe mundësi që të bisedojmë për problemet dhe që ato përmes dialogut të zgjidhen”, tha Staletoviq.

Ai ka shtuar që zgjidhja e çështjes së të zhvendosurve është me rëndësi të veçantë për përparimin e një shoqërie “e cila për vite me radhë po përballet me këtë problem”.

“Secili e meriton që të jetojë në vendin prej ku është zhvendosur, në qoftë se shpreh dëshirën për diçka të tillë. Ne, sot kemi të zhvendosur, të cilët madje nuk munden as për një ditë t’i vizitojnë pronat e tyre, e lëre më që të kthehen në vendet prej ku janë zhvendosur”, tha Staletoviq.

Sipas tij, ky pozicion i personave të zhvendosur duhet të ndryshojë.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, Miodrag Miliqeviq, vlerëson që çështja e personave të zhvendosur nuk do të zgjidhet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse kanë kaluar 20 vjet nga konflikti dhe se kthimi nuk ka ndodhur asnjëherë. Ai thotë që ky kthim mund të reduktohet në një gabim statistikor.

Sipas tij, çështja e personave të zhvendosur është në fakt çështje politike dhe se kthimi i qëndrueshëm nuk do të ndodhë pa vullnet politik.

“Është e domosdoshme që të sigurohet mbështetja e qëndrueshme politike, në mënyrë që kthimi të ketë vazhdimësi dhe që të arrijë në pikën që quhet kthim i qëndrueshëm”, tha Miliqeviq.

Gjithashtu, Kosova deri më sot nuk ka arritur që të zgjidhë as çështjen e kthimit të plotë të shqiptarëve të zhvendosur nga pjesa veriore e vendit, e cila është banuar me shumicë serbe.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG