Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Sektori i sundimit të ligjit iu nënshtrohet reformave


Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka nisur procesin e rishikimit të sektorit të sundimit të ligjit. Ky proces po mbështetet nga krerët më të lartë të institucioneve, si dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë do realizojë një analizë të përgjithshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ka thënë ministri Abelarad Tahiri,duke shtuar se sundimi i ligjit përbën një nga parimet themelore të një shoqërie demokratike dhe një kusht të domosdoshëm për një rend demokratik dhe shtet ligjor.

“Në terma konkret rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është i bazuar në disa parime të përcaktuara nga Qeveria e Republikës se Kosovës, më mes të cilave janë; identifikimi dhe përcaktimi i objektivave strategjike për sundimin e ligjit më fokus në rritjen e efikasitetit të institucioneve në zbatimin e tij. Rishikimi i kornizës ligjore që rregullon sundimin e ligjit si dhe të proceseve dhe bashkëpunimit në mes institucioneve në përgjithësi në këtë fushë” ka thënë Tahiri.

Mbështetje këtij procesi i kanë dhënë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ai ka thënë se rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit është i rëndësishëm për funksionimin e një shteti ligjor.

“Sundimi i ligjit është obligim kushtetues dhe parakusht themelor për të siguruar që secili qytetar i Republikës së Kosovës është i barabartë para ligjit. Kjo në të njëjtën kohë është vlerë dhe parim, bazë i rendit tonë kushtetues".

“Përmes këtij procesi institucionet e Republikës së Kosovës dëshmojnë aftësinë dhe vullnetin për t’u ofruar qytetarëve një sistem funksional, transparent e mbi të gjitha efikas të sundimit të ligjit”, tha presidenti Thaçi

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se prioritet i Qeverisë mbetet sundimi i rendit dhe ligjit.

“Sundim i ligjit është prioritet i Qeverisë. Këtë e kemi dëshmuar me kohë. Ky rishikim është në linjë me objektivat tona strategjike dhe në funksion të zbatimit të obligimeve të Republikës së Kosovës ndaj proceseve integruese", theksoi Haradinaj

Fillimin e këtij procesi e kanë përshëndetur dhe përkrahur edhe përfaqësuesit ndërkombëtar në Kosovë. Zëvendës shefja e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Colleen Hyland tha se është me rëndësi që ministria në këtë projekt ka përfshirë të gjitha institucionet e drejtësisë.

Ajo potencoi se “gjyqësori është i pavarur dhe ashtu duhet respektohet”.

Ndryshe, ky proces në sektorin e sundimit të Ligjit po bëhet për të përmirësuar sistemi e drejtësisë, duke përfshirë këtu ngritjen e përformances së gjyqësorit, rritjen e transparencës së sistemit të drejtësisë, rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në tërësinë e tij.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG