Ndërlidhjet

Si na rrezikon privatësinë inteligjenca artificiale

5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.

Inteligjenca artificiale po e bën jetën më të lehtë, por njëkohësisht po e rrit edhe rrezikun për privatësinë e qytetarëve.

Brenda pak sekondash, algoritmet mund të mbledhin, të analizojnë dhe të profilizojnë të dhëna personale, duke e bërë vjedhjen e identitetit më të lehtë se kurrë më parë.

Për këtë arsye, sipas Krenare Sogojeva Dermakut, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, problemi nuk qëndron te vetë inteligjenca artificiale, por te mënyra se si njerëzit e përdorin atë.

"Duhet të dimë kujt dhe ku po ia japim të dhënat tona. Rreziku fillon aty, jo pse e përdorim inteligjencën artificiale, por si e përdorim atë", thotë Sogojeva Dermaku në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.

▶️ Shiko podkastin:

🎧 Dëgjo podkastin:

Si na rrezikon privatësinë inteligjenca artificiale
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:18:00 0:00

Ajo thekson se qytetarët shpesh ndajnë shumë më tepër informacion sesa e kuptojnë, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve, që shkojnë nga mashtrimet financiare deri te keqpërdorimi i identitetit.

"Sa më shumë që publikojmë, aq më shpejt algoritmet arrijnë të na identifikojnë. Rreziku më i madh është vjedhja e identitetit. Dikush mund ta përdorë emrin, fotografinë dhe të dhënat tona, për të vepruar në emrin tonë ose edhe për të kryer vepra penale", shprehet Sogojeva Dermaku.

Ngarkimi i një fotografie, i një dokumenti apo edhe i një bisede me chatbot-ët e inteligjencës artificiale mund të duket i padëmshëm. Por, sipas Sogojeva Dermakut, çdo informacion që u jepet këtyre platformave mbetet pjesë e sistemeve të tyre.

Komisionarja për Informim dhe Privatësi shton se ajo që dikur kërkonte muaj të tërë për të mbledhur të dhëna personale, sot mund të realizohet "brenda sekondës".

“Nuk pyetet ChatGPT për gjithçka. Nuk postohen në ChatGPT të gjitha”, paralajmëron ajo.

Si udhëheqëse e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Sogojeva Dermaku tregon se institucioni ka përfunduar së fundmi një raport vlerësues mbi gjendjen e Kosovës sa i përket inteligjencës artificiale dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Sipas saj, edhe vendet më të zhvilluara evropiane ende po përballen me vështirësi në zbatimin e rregullave për inteligjencën artificiale.

"Ne po bëjmë vlerësimin, që të dimë si t'i drejtojmë objektivat dhe prioritetet tona, në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur dhe të informuar, para së gjithash", thotë ajo.

Sogojeva Dermaku shton se Agjencia vazhdon të trajnojë dhe certifikojë zyrtarë publikë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për përdorimin e sigurt të teknologjive të reja.

Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.

Autore: Flaka Zogu | Realizimi teknik: Rrahman Osmani, Mahir Elshani | Producent: Trim Haliti
  • 16x9 Image

    Flaka Zogu

    Producente për multimedia e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG