Ndërlidhjet

Maqedoni e V.: Rritet numri i të vdekurve me COVID-19, ulet i të infektuarve


Ilustrim.
Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të martën 27 të vdekur me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19 si dhe 1,129 të infektuar.

Numri më i madh i viktimave, gjithsej 12, janë regjistruar në Shkup, nga tre në Ohër dhe Manastir ndërsa nga dy të vdekur janë regjistruar në Kumanovë dhe Tetovë.

Në pesë qytete tjera është regjistruar nga një viktimë.

Në Shkup gjithashtu është regjistruar numri më i madh i të infektuarve, gjithsej 458 persona.

Instituti i Shëndetit Publik ka prezantuar raportin javor lidhur me viktimat dhe të infektuarit për periudhën 5-11 prill.

Sipas të dhënave, numri i viktimave gjatë kësaj periudhe ka shënuar rritje në krahasim me periudhën e një jave më parë.

Janë regjistruar 276 të vdekur, shifër kjo për 6.2 për qind më e lartë sesa në javën paraprake.

Sa i përket moshës së viktimave, 238 janë mbi 60 vjeç, të tjerët janë nën këtë moshë, ndërsa tre janë të moshës prej 30-39 vjeç.

Sipas raportit të Institutit të Shëndetit Publik, në shtatë ditët fundit janë infektuar 6.867 persona në 35 qytete në Maqedoni të Veriut, shifër kjo më e ulët për 13.4 për qind krahasuar me javën e kaluar.

Pozitive janë edhe të dhënat për rritjen e numrit të personave të shëruar për 25.7 për qind.

Ndërkohë në shumë qytete ka vazhduar imunizimi i popullatës dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri të martën janë vaksinuar mbi 26 mijë persona kurse rreth 160 mijë të tjerë presin radhën për t’u vaksinuar.

Megjithatë, Ministria Shëndetësisë ka raportuar se rreth 3,500 qytetarë nuk janë paraqitur për vaksinim në afatin e paraparë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hezitojnë për t’u vaksinuar si mundësi e vetme për përballje me virusin vdekjeprurës.

Edhe Bashkia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje besimtarëve, që agjërojnë Muajin e Ramazanit, se mund të vaksinohen pasi marrja e vaksinës nuk ndikon në kryerjen e ritualeve fetare.

XS
SM
MD
LG