Ndërlidhjet

Rusët “kanë spiunuar ushtarët ukrainas" që po trajnohen në Gjermani


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Forcat gjermane të sigurisë kanë “indikacione” se shërbimet sekrete të Rusisë kanë spiunuar ushtarët ukrainas që po qëndrojnë në Gjermani për t’u trajnuar si të përdorin armët e Perëndimit, ka raportuar revista gjermane, Spiegel të premten.

Forcat ushtarake gjermane kanë identifikuar disa pajisje të dyshimta jashtë dy qendrave të trajnimit.

Dronë të vegjël janë përdorur po ashtu për të fluturuar jashtë qendrave të trajnimit dhe më pas janë larguar, ka thënë Spiegel pa cituar burimet e veta.

Ushtarët ukrainas janë duke u trajnuar në landin perëndimor, Rajnland Patatinate si dhe në Bavari, ku ushtria amerikane është duke mësuar ukrainasit si të përdorin sisteme të artilerisë.

Burime të sigurisë kanë pohuar se shërbimet ruse kanë përdorur skanerë teksa kanë tentuar të fitojnë qasje në telefonat mobilë të ushtarëve ukrainas, është thënë në artikullin e revistës.

Gjermania është duke gjykuar të dyshuarit për spiunim për shtetin e Rusisë.

Vitin e kaluar, një gjykatë në Gjermani ka dënuar një burrë rus me burgim të përjetshëm, pasi ka qëlluar për vdekje një komandant çeçen në një park në Berlin.

Prokurorët kanë thënë se Moska e ka dhënë urdhrin për vrasje.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

XS
SM
MD
LG