Ndërlidhjet

Rusët depërtuan në Mariupol, ndërkaq banorët kërkojnë ndihmë


Forcat ruse në pjesën jugore të Mariupolit, më 19 mars.
Forcat ruse në pjesën jugore të Mariupolit, më 19 mars.

Forcat ruse kanë avancuar më thellë në qytetin port ukrainas të Mariupolit, i cili ishte i rrethuar dhe i dëmtuar, ku për shkak të luftimeve rtë ashpra është mbyllur fabrika e madhe e çeliku, ndërkaq që autoritetet lokale po bëjnë thirrje për më shumë ndihmë nga Perëndimi.

Në rast se do të binte Mariupoli, qytet ky i cili ka qenë skenë e vuajtjeve më të këqija të luftës, do të shënonte përparim të madh për rusët, të cilët kryesisht kanë ngecur jashtë qyteteve të mëdha, për më shumë se tre javë që nga nisja e pushtimit më të madh tokësor të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Po vdesin fëmijët, personat e moshuar. Qyteti është shkatërruar dhe po fshihet nga faqja e dheut”, tha zyrtari policor në Mariupol, Michail Vershnin, i cili u është drejtuar liderëve perëndimor parme një videoje të regjistruar në rrugët e shkatërruara të këtij qyteti.

Forcat ruse tashmë e kanë shkëputur qytetin nga Deti Azov dhe rënia e tij do të lidhë Krimenë me Rusinë, të cilën Moska e aneksoi në 2014.

Ky do të shënonte një avancim të rrallë në dritën e rezistencës së fuqishme ukrainase që ka shuar shpresat e Rusisë për të shënuar një fitore të shpejtë.

Forcat ukrainase dhe ruse kanë luftuar për fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol, tha të shtunën Vadym Denysenko, një këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës.

“Një nga uzinat më të mëdha metalurgjike në Evropë, në fakt, është shkatërruar”, tha Denysenko në një fjalim televiziv.

Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas, tha se forcat më të afërta që mund të ndihmojnë mbrojtësit e Mariupolit, tashmë po luftojnë kundër “forcës superiore të armikut” apo në një distancë prej të paktën 100 kilometrash.

“Aktualisht, nuk ka zgjidhje ushtarake për Mariupolin”, tha ai të premten vonë.

“Nuk është vetëm mendimi im, është mendimi i ushtrisë”.

Rusia filloi pushtimin në Ukrainë më 24 shkurt.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG