Ndërlidhjet

Rusia, kanceri, bombat e NATO-s...


Beograd, 1999.
Beograd, 1999.

Marrëveshja midis Rusisë dhe Serbisë për luftë të përbashkët kundër kancerit nuk iu referohet efekteve të mundshme të bombardimeve të NATO-s në Serbi, dy dekada më parë, me gjithë pretendimet e tilla të mediave serbe që me sa duket bazohen në deklaratat e ambasadorit rus në Beograd.

Kundërthëniet u shfaqën pasi Instituti për Onkologji dhe Radiologji, i udhëhequr nga shteti serb, bëri marrëveshje me institutin homolog rus, në muajin shtator, për bashkëpunim më të ngushtë në kërkime dhe aktivitete të tjera.

“Do të bëjmë gjithçka të mundur për bashkëpunim sa më të mirë të mundshëm”, u tha ambasadori rus në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, të pranishmëve në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, raportoi atëbotë e përditshmja serbe, Blic.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan Kharchenko.
Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan Kharchenko.

Ai shtoi se Rusia “është po ashtu e gatshme t’i hetojë pasojat e bombardimeve të NATO-s, që duken qartë te pacientët me kancer”.

Disa zyrtarë serbë kanë argumentuar se ekziston një lidhje midis bombardimeve të NATO-s në Serbi dhe shkallës së sëmundjeve malinje dhe çrregullimeve të tjera te fëmijët, që kanë qenë të ekspozuar në vendet e bombardimeve - edhe pse provat mjekësore e dëshmojnë të kundërtën.

Moska i ka kundërshtuar ashpër sulmet e NATO-s në Serbi, që është vendi më i afërt i saj aleat në Ballkan. Ajo po ashtu ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s në ish-Bllokun Lindor, duke thënë se një gjë e tillë paraqet kërcënim të madh për interesat e Rusisë.

NATO ka pranuar në radhët e veta ish-republikat jugosllave të Sllovenisë, Kroacisë dhe, në vitin 2017, Malin e Zi. Maqedonia e Veriut është miratuar po ashtu si anëtare dhe pritet t’i bashkohet zyrtarisht NATO-s në vitin 2020.

Bombardimi i Jugosllavisë ka nisur në mars të vitit 1999 dhe ka pasur për qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

Instituti i Onkologjisë dhe Radiologjisë në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka kryer ndonjë studim mbi pasojat shëndetësore të bombave të NATO-s.

Ai shtoi se "nuk është i përfshirë në mënyrë aktive në shqyrtimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s".

Por, zyrtarë të Institutit nuk pranuan të japin detaje të marrëveshjes së tyre me Qendrën Kombëtare të Radiologjisë për Kërkime Mjekësore, e cila është nën kujdesin e Ministrisë ruse të Shëndetësisë.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë siguroi këto ditë një kopje të marrëveshjes së shtatorit, pas një thirrjeje drejtuar komisionarit të Serbisë për informacione që kanë rëndësi për publikun.

Teksti i angazhon nënshkruesit rusë dhe serbë të bëjnë kërkime të përbashkëta dhe aktivitete si: seminare, shkëmbime të studentëve e të tjera.

Palët gjithashtu detyrohen "të mbajnë informacione konfidenciale në lidhje me aktivitetet e tyre".

Aty nuk përmendet fushata e NATO-s e vitit 1999.

Uraniumi i shterur

Politikanët dhe aktivistët serbë kanë bërë përpjekje të shumta - disa prej tyre përmes institucioneve shtetërore - për të ndjekur dyshimet rreth efekteve të mundshme shëndetësore që mund të lidhen me bombardimet e NATO-s.

Dyshimet hidhen te përdorimi i municioneve që përmbajnë uranium.

Ligjvënësi serb, Darko Llaketiq, i cili kryeson Komisionin parlamentar për Hulumtimin e Ndikimeve në Shëndet të Bombave të NATO-s, ka thënë në muajin mars se një studim i grupit të tij, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik Batut, ka treguar se fëmijët e lindur pas vitit 1999 u janë ekspozuar substancave të mbetura mes rrënojave.

Megjithatë, shumë ekspertë mjekësorë thonë se nuk ka asnjë lidhje midis uraniumit të shterur dhe kancerit.

Zoran Radovanoviq, epidemiolog dhe kryetar i Komitetit të Etikës, pranë Shoqatës Mjekësore të Serbisë, ka mohuar vitin e kaluar se ka pasur rritje të numrit të rasteve me kancer në vendet ku ka sulmuar NATO-ja.

Sipas tij, serbët shpesh janë të frikësuar për një epidemi të kancerit që nuk ekziston.

NATO-ja ka thënë se rreth 3,000 bomba kanë rënë në caqet në Kosovë dhe në Serbi gjatë fushatës.

Disa nga municionet përmbanin uranium të shterur, që është produkt i mbetur nga procesi i pasurimit të uraniumit.

Ai përdoret në armë për shkak të ngurtësisë së tij ekstreme, që i lejon të depërtojë në caqe të blinduara dhe ndërtesa të fortifikuara.

NATO-ja ka përsëritur vazhdimisht se kjo substancë nuk ka lidhje me njerëzit që vuajnë nga problemet shëndetësore.

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, ka thënë për Balkan Insight vitin e kaluar se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kombet e Bashkuara kanë konstatuar se uraniumi i shterur nuk përbën rrezik serioz për shëndetin.

Radioaktiviteti i tij është shumë më i ulët se ai i formës së tij origjinale, por, megjithatë, ai ende konsiderohet toksik dhe nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA cilësohet si "rrezik për shëndetin kur ndodhet brenda trupit".

Mediat në Serbi shkruajnë për lidhje midis rasteve me kancer dhe bombave të NATO-s.
Mediat në Serbi shkruajnë për lidhje midis rasteve me kancer dhe bombave të NATO-s.

Shumë media në Serbi e kanë lidhur marrëveshjen e shtatorit me pretendimet kundër NATO-s, duke cituar edhe ambasadorin rus.

"Rusia gjithashtu do të ndihmojë Serbinë në ekzaminimin e pasojave të bombardimeve të NATO-s", sepse, sipas ambasadorit, "pasojat për shëndetin e njeriut janë të dukshme", tha RTS duke cituar Botsan-Kharchenkon.

"Rusia po kërkon bashkëpunim për të hetuar pasojat e bombardimeve të NATO-s në nivel shteti", shkroi gazeta Veçernje Novosti.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG