Ndërlidhjet

Rusia: Sanksionet janë fajtore për mbylljen e gazsjellësit


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Rusia ka paralajmëruar se nuk do të rikthejë furnizimet me gaz në Evropë, derisa të hiqen sanksionet.

Moska ka fajësuar shtetet e Perëndimit për vendimin që ka marrë që të mos rihapë gazsjellësin Rrjedha Veriore 1.

Ky gazsjellës fillimisht është ndalur për tri ditë, për shkak të, siç kanë thënë autoritetet ruse, punimeve për mirëmbajtje.

Kur është pyetur nëse furnizimet do të rikthehen nëse sanksionet hiqen, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka pohuar me siguri.

Çmimet e gazit janë rritur sërish të hënën, për shkak të shqetësimeve në rritje për furnizime me energji.

Evropa është duke akuzuar Rusinë se po përdor gazin për shantazhim të shteteve evropiane, pas sanksioneve që i janë vënë Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.

Moska, në anën tjetër, hedh poshtë diçka të tillë.

“Problemet në pompa janë nxitur nga sanksionet e vëna ndaj shtetit dhe kundër disa kompanive”, ka thënë të hënën Peskov.

“Nuk ka arsye tjera që do të krijonin probleme me furnizim”.

Kompania shtetërore e energjisë në Rusi, Gazprom, ka thënë se një rrjedhje në turbinë në gazsjellësin, Rrjedha Veriore 1, është arsye e mbylljes së sistemit.

Megjithatë, kjo përgjigje është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian dhe kompania gjermane, Siemens, e cila mirëmban turbinën.

“Rrjedhje të tillë nuk ndikojnë zakonisht në funksionim të turbinës dhe mund të rregullohen”, ka thënë Siemens përmes një deklarate.

Disa qeveri në Evropë tashmë kanë prezantuar plane për t’iu ndihmuar bizneseve dhe konsumatorëve që të përballen me rritje të çmimeve të energjisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

XS
SM
MD
LG