Kur predhat e raketës balistike ruse, Oreshnik fluturonin natën afër Kievit më 24 maj, disa video incizuan një detaj të pazakontë. Pavarësisht një sërë goditjesh të dukshme dhe me objektet që përplaseshin përtokë, nuk kishte shkëndija shpërthyese që rëndom shoqërojnë një sulm me raketa.
Video, që nuk ofrojnë pamje të qartë, të incizuara gjatë dy sulmeve paraprake me këtë armë, në Dnipro në nëntor të vitit 2024 dhe në Lviv në janar të vitit 2026, treguan një mungesë të ngjashme të shpërthimeve fillestare.
“Duket se ato [raketat] nuk bartin eksploziv”, tha për Radion Evropa e Lirë, Pavel Podvig, hulumtues i lartë në Institutin e Kombeve të Bashkuara për Hulumtime të Çarmatosjes. Predhat hipersonike që lëshohen nga Oreshnik-u, që shkëlqejnë nga nxehtësia e rihyrjes në atmosferë, “me gjasë janë objekte të rënda, me idenë që forca shkatërruese të vijë nga energjia kinetike”, shtoi ai.
Konrad Muzyka, analist i mbrojtjes në Rochan Consulting, tha se sulmet me Oreshnik duket se kryhen me rreth 36 “depërtues kinetikë”, që dalin nga gjashtë mjete rikthimi që lëshohen nga raketa gjatë harkut të fundit të fluturimit të saj. Këto predha, tha ai, “mbështeten në shpejtësi jashtëzakonisht të lartë të goditjes për të shkatërruar apo depërtuar në objektivë, në vend që të bartin ngarkesa të mëdha shpërthyese”.
Por, me një kosto që vlerësohet dhjetëra miliona dollarë për çdo raketë, shumë komentatorë – përfshirë edhe rusë – kanë vënë në pikëpyetje dobinë e hedhjes së copave hipersonike të metalit apo prej betoni drejt caqeve në Ukrainë.
“Thjesht, pajisje jashtëzakonisht të shtrenjta të përplasura në tokë”, shkroi blogeri rus, Vladimir Romanov në Telegram, postim të cilit ia bashkëngjiti video të sulmeve të fundit me Oreshnik. “E gjithë kjo për hir të një pamjeje të bukur që nuk e beson askush [përveç pensionistëve]”, shtoi ai.
Oreshnik (apo në shqip pemë lajthie) është një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, që vlerësohet të jetë rreth 12 metra e gjatë. Ka një rreze veprimi prej rreth 5.000 kilometrash dhe me një ngarkesë të raportuar prej më shumë se një tonësh. Kjo armë transportohet me një mjet relativisht të vogël dhe është emëruar për aftësinë e saj për t’u zhdukur nga pamja, sikurse një pemë në pyll.
Raketat balistike, sikurse Oreshnik, që lëshojnë koka bërthamore nga lartësi të mëdha, njihen për vështirësinë që kanë për të goditur me saktësi. Ky aspekt është kryesisht i parëndësishëm në rastin e një sulmi bërthamor me rreze të madhe shkatërrimi, por predhat kinetike mund të mos arrijnë madje as të dëmtojnë objektiva të mëdhenj.
Një hetim, me burime të hapura, lidhur me ndikimin e sulmit me Oreshnik më 2024 në Dnipro, që kishte për cak një fabrikë të raketave të epokës sovjetike, gjeti se predhat e Orshenik-ut mund të mos e kenë goditur fare fabrikën.
Fotografitë e bëra në Dnipro disa orë pas sulmit të vitit 2024 shfaqën dëme të mëdha në çatinë e një ndërtese të paidentifikuar, por pjesa tjetër e ndërtesës dukej e paprekur.
Muzyka i tha Radios Evropa e Lirë se në rastin e sulmit të 24 majit, pamjet “duket se shfaqin elemente goditëse mbi një zonë relativisht të gjerë”. Analisti ushtarak tha se beson se kjo “mund të tregojë një shpërndarje të qëllimshme në disa pika shënjestrimi ose potencialisht kufizime të mëdha sa i përket saktësisë" të kësaj arme.
Pas sulmit në Bila Tserkva, një bloger ushtarak ukrainas identifikoi atë që ai pretendoi se është vendi i goditjes të njërës prej predhave. Ai e krahasoi kraterin, që kishte madhësinë e një pishine, me fuqinë shkatërruese të një predhe të artilerisë.
Më herët, shërbimet emergjente të Ukrainës kishin publikuar pamje që tregonin garazhe të dëmtuara dhe një zjarr të vogël në Bila Tserkva. Nuk është e qartë çfarë ishte shënjestruar në qytet, por Bila Tserkva është shtëpi e një aerodromi të epokës sovjetike.
Ekspertët besojnë se qëllimi i sulmeve me Oreshnik në Ukrainë është kryesisht psikologjik. “Sulmet duken më shumë se janë një sinjal strategjik sesa përpjekje për të shënuar suksese të rëndësishme [në terren]”, tha Muzyka për Radion Evropa e Lirë.
Podvig shprehu vlerësim të ngjashëm. “Teknikisht, ndoshta mund të shkaktohet ndonjë dëm me shumë predha kundër objektivave të pambrojtura, por sipas mendimit tim kjo ka më shumë të bëjë me dërgimin e sinjalit”.
Pak para sulmit me Oreshnik më 24 maj, Kremlini i kishte bërë thirrje ushtrisë të përgatiste “propozime” për mënyrën e hakmarrjes ndaj asaj që e përshkroi si një sulm ukrainas me dron ndaj një konvikti studentor, ku mbetën të vrarë të paktën 18 persona.
Oreshnik-u është shndërruar në një pikë kyç të propagandës së Kremlinit, i cili ka promovuar shpejtësinë dhe rrezen e tij të veprimit – në të gjithë kontinentin evropian – si dhe aftësinë e armës për bartur koka bërthamore. Mediat shtetërore ruse kanë publikuar kohët e supozuara të fluturimit që u duhen kokave të Oreshnik-ut për të arritur objektiva nëpër Evropë – 20 minuta deri në Londër dhe Paris, 12 minuta deri në Varshavë.
Kjo aftësi bërthamore, dhe një sërë lëshimesh të ngjashme të raketave balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, duket se kanë çuar në përdorimin e raketës. Më 20 nëntor 2024, një ditë para lëshimit të parë të Oreshnik-ut drejt Ukrainës, SHBA-ja dhe disa ambasada të tjera perëndimore u mbyllën papritur për shkak të “rritjes së rrezikut nga sulmet ajrore”.
Një ditë para sulmit me Oreshnik më 24 maj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke u thirrur në informacione të inteligjencës nga SHBA-ja dhe Evropa, tha se Rusia po përgatitej ta godiste Ukrainën me këtë raketë të avancuar.
Rusia pretendon se i jep “automatikisht” SHBA-së një paralajmërim 30-minutësh para lëshimeve të raketave Oreshnik. Pentagoni ka konfirmuar se ishte njoftuar “shkurtimisht” para sulmit të nëntorit 2024, por Podvig tha se ka gjasa që komunikimi mbi synimet ruse të jetë ndarë me palën amerikane disa orë më herët.
“Është një marrëveshje për lëshimin e raketave balistike që daton nga viti 1988, të cilën të dyja vendet vazhdojnë ta respektojnë dhe pakti kërkon njoftim 24 orë përpara”, tha eksperti i armëve. “Teknikisht, ajo mbulon vetëm raketat balistike ndërkontinentale, por mund ta imagjinoj që për të qenë në anën e sigurt, Rusia dërgon njoftime në mënyrë që këto lëshime të mos interpretohen si lëshime të raketave balistike ndërkontinentale”.
Aktualisht, Amerika ka në fuqi doktrinën bërthamore të quajtur “lëshim pas paralajmërimit”, që do të thotë se SHBA-ja mund të kryejë sulme “hakmarrëse” sapo të detektohen raketat e lëshuara nga një palë tjetër, para se ato të godasin territorin amerikan.