Ndërlidhjet

Salvini kërkon zgjedhje të parakohshme në Itali


Lideri i Partisë Liga, Matteo Salvini

Lideri i Partisë italiane, Liga, Matteo Salvini, ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se dallimet brenda partnerëve të koalicionit, nuk mund të tejkalohen.

Një tentim i dështuar i Lëvizjes Pesë Yjet për të prishur planet rreth një autostrade, ka treguar se ky koalicion nuk mund të qeverisë më, ka shtuar ai.

Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio, ka thënë se partia e tij nuk frikësohet nga zgjedhjet e reja.

Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio.
Lideri i Lëvizjes Pesë Yjet, Luigi Di Maio.

Bazuar në sondazhe, partia e Salvinit gëzon dukshëm më shumë përkrahje, kryesisht për shkak të qasjes së tij kundër migrimit ilegal.

Në zgjedhjet e vitit të kaluar, Lëvizja Pesë Yjet ka fituar dy herë më shumë vota sesa Partia Liga, mirëpo sondazhet parashikojnë se gjendja tani është ndryshe.

Giuseppe Conte, profesori apartiak që shërben si kryeministër i koalicionit, ka thënë se Salvini duhet ta arsyetojë para Parlamentit thirrjen e tij për zgjedhje.

Përplasjet politike për një projekt të një autostrade që do të lidhte qytetin italian, Turin dhe atë francez, Lion, kanë shtyrë kryeministrin Conte që të pezullojë për pak kohë tenderët.

Kjo lidhje që do të kushtonte disa miliarda euro, përfshin edhe hapjen e një tuneli 56 kilometra nën Alpe.

Tuneli i hapur më 1905, që lidh Zvicrën me Italinë.
Tuneli i hapur më 1905, që lidh Zvicrën me Italinë.

Andaj, ky plan është kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Pesë Yjet si për shkak të çështjeve të lidhura me ambientin, ashtu edhe ato financiare.

Mirëpo, Partia Liga, në anën tjetër, ka thënë se ky projekt do të stimulonte vendet e punës dhe rritjen ekonomike.

Përveç kësaj, mbështetësit e planit kanë thënë se kjo rrugë do të shkurtonte në dy orë udhëtimin mes dy qyteteve.

Ky tunel, po ashtu, do të mundësonte udhëtimin nga Parisi në Milano për katër orë, për dallim nga rreth shtatë sa është tani.

Ky projekt është thënë të jetë nisur 20 vjet më parë dhe një pjesë e tunelit tashmë është gërmuar, por punimet janë planifikuar të zgjasin deri më 2025.

Shpenzimet fillimisht ishte planifikuar se do të arrinin në 8.6 miliardë euro, mirëpo ministri italian i Transportit, Danilo Toninelli, anëtar i Lëvizjes Pesë Yjet, ka thënë se shpenzimet do të arrijnë shifrën mbi 20 miliardë euro.

Bashkimi Evropian ishte zotuar për të financuar 40 për qind të shpenzimeve.

“Le të shkojmë drejt në Parlament dhe të themi se nuk ka më shumicë e t’iu kthehemi votuesve”, ka thënë Salvini, i cili ka pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

Mirëpo, Di Maio, që po ashtu është zëvendës-kryeministër i është përgjigjur shpejt duke thënë, “Ne jemi gati, ne nuk jemi të interesuar për të zënë pozitat qeveritare sepse nuk kemi qenë kurrë”.

Ndonëse Partia Liga është parti e vogël në koalicion, ajo ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane në muajin maj, duke fituar më shumë se një të tretën e votave në Itali.

Megjithatë, kërkesa e Salvinit për zgjedhje të reja nuk nënkupton se ato do të mbahen në një të ardhme të afërt.

Presidenti Sergio Mattarella ka mundësi që të formojë një qeveri teknike dhe të shtyjë zgjedhjet e reja për në vitin e ardhshëm.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG