Ndërlidhjet

Biden takon Putinin më 16 qershor në Gjenevë


Presidenti amerikan Joe Biden (majtas) dhe ai rus Vladimir Putin.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se një samit në mes të presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit rus Vladimir Putin do të zhvillohet më 16 qershor në Gjenevë.

“Liderët do të diskutojnë një mori çështjesh, teksa ne tentojmë të rikthejmë stabilitetin e marrëdhënieve SHBA-Rusi”, ka thënë Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate më 25 maj.

Kremlini ka thënë se dy presidentët do të diskutojnë për pandeminë e koronavirusit, konfliktet rajonale dhe stabilitetin strategjik bërthamor, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Biden, i cili në mars të këtij viti ka thënë se beson që Putin është “vrasës” - deklaratë që ka tensionuar marrëdhëniet mes dy shteteve – kishte propozuar mbajtjen e një samiti me presidentin rus në prill të këtij viti, ndërkohë që administrata e tij përgatitej për sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë, për herë të dytë në tre muaj të udhëheqësisë.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se janë duke finalizuar detajet e samitit.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare Jake Sullivan ka diskutuar detajet e takimit kur është takuar me homologun e tij rus Nikolay Patrushev.

Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se është duke synuar “marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme” me rusët, ndonëse ka kritikuar Putinin për ndërhyrjet e supozuara të rusëve në zgjedhjet e kaluara presidenciale.

Autoritetet amerikane po ashtu besojnë se Kremlini ka qenë mbrapa fushatës së hakimit – që shpesh i referohen si hakimi SolarWinds – në të cilin hakerët rusë kanë vënë një kod në softuerin e krijuar nga kompania amerikane SolarWinds, i cili më pas është shkarkuar nga disa institucione të qeverisë amerikane dhe korporata evropiane.

Administrata e Bidenit ka kritikuar Rusinë edhe për arrestimin dhe burgosjen e liderit opozitar Aleksei Navalny.

Biden dhe Putin janë takuar në të kaluarën, mirëpo jo prej kur Biden ka marrë pozitën e presidentit të SHBA-së, në muajin janar.

XS
SM
MD
LG