Ndërlidhjet

Samiti i Berlinit, një rast për heqjen e barrierave në dialogun Kosovë – Serbi


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një samiti në Sofje të Bullgarisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një samiti në Sofje të Bullgarisë.

Udhëheqësit më të lartë politikë nga Kosova dhe Serbia pritet të jenë të hënën në Samitin e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit të Berlinit, që udhëhiqet nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ndonëse takimi i radhës do të bashkëkryesohet edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Samiti, edhe pse joformal, ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës] në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Por, pritjet në Prishtinë e Beograd janë se në margjinat e Samitit, mund të ketë edhe bisedime rreth mundësive për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në samitet paraprake, zakonisht kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian. Në Berlin, në mungesë të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, BE-ja mund të përfaqësohet nga Përfaqësuesja e Lartë, Fedreica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Bazuar në deklaratat e krerëve politikë në Prishtinë dhe Beograd, pritjet nuk janë të mëdha, aq më tepër kur formati zyrtar i dialogut ndërmjet dy vendeve zhvillohet në Bruksel nën lehtësimin e Bashkimit Evropian. Por, as në Prishtinë dhe as në Beograd, nuk mohohet roli i madh në këtë proces që mund të luajnë shtetet si Gjermania apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fazën finale të bisedimeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj do të përfaqësojnë Kosovën në Samit, ka paralajmëruar se theks i veçantë në samit do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dy janë çështjet kryesore para se të fillojë ky samit. E para, që Gjermania dhe Franca të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe e dyta, që këto dy vende ta bëjnë të qartë se në dialogun Kosovë – Serbi, tema e ndryshimit të kufijve nuk mund të diskutohet.

“Diskutimi për kufij, për territore ka qenë gabim, ka mund të destabilizojë rajonin dhe është mirë që është tejkaluar edhe nuk guxojmë të vazhdojmë e ta mbajmë gjallë si temë, sepse vetëm sa e destabilizon rajonin”, ka thënë Haradinaj.

Por, përderisa kryeministri i Kosovës mendon se ndryshimi i kufirit si temë paraqet për të vijën e kuqe në negociata, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka tjera vija të kuqe, e që ndërlidhen me tarifat doganore 100 për qind, të cilat Prishtina zyrtare ua ka imponuar të gjitha importeve nga Serbia.

“Vijat tona të kuqe janë tarifat. Pra, Prishtina duhet të tërheqë vendimin për tarifat doganore në mënyrë që ne të vazhdojmë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë Brnabiq.

Për politologun nga Prishtina, Ramush Tahiri, dialogu duhet të vazhdojë, por sipas tij, suksesi në negociata arrihet vetëm nëse palët tërhiqen nga kushtet dhe barrierat e vendosura.

“Çështja qëndron se nëse Kosova e ka një platformë dhe Serbia e ka një platformë dhe nëse Kosova këtë platformë nuk mund ta ndryshojë jashtë Kuvendit, atëherë Ekipi negociator ose presidenti i kanë duart e lidhura sepse nuk mund të bisedojë asgjë përtej platformës. Pra, është shumë vështirë të pritet që Serbia e miraton platformën që e ka bërë njëra palë dhe është shumë vështirë të presësh që BE-ja të miratojë platformën që e ka bërë në këtë rast Kosova, sepse nëse platforma është e panegociueshme nuk ke nevojë fare të shkosh në bisedime, vetëm e dorëzon dokumentin dhe ai nënshkruhet edhe nga pala tjetër”, thekson Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në margjinat e këtij samiti, nuk është përjashtuar as mundësia që Merkel dhe Macron të diskutojnë më liderët kosovarë për mundësinë e pezullimit të taksës doganore, për t’i dhënë kështu shans vazhdimit të dialogut politik në Bruksel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndajnë mendime të ndryshme qoftë për idenë e ndryshimit të kufirit në kuadër të dialogut me Serbinë, apo edhe për pezullimin e taksës doganore. Përderisa presidenti Thaçi është treguar i hapur të diskutojë edhe për kufirin, por edhe për të pezulluar taksën, Haradinaj i ka përjashtuar të dy mundësitë për të cilat është angazhuar Thaçi.

Sidoqoftë, pak para nisjes për në Berlin, nga zyra e presidentit Thaçi dhe ajo e Haradinajt kanë deklaruar në Kosova nuk shkon në këtë samit për të bërë spektakël dhe se sipas tyre, do të ketë koordinim dhe nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit dhe kryeministrit.

Procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian. Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Nisur edhe nga parimet e zgjerimit të BE-së, zgjidhja e kontesteve bilaterale paraqet një synim dhe angazhim të madh të këtij procesi, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionet kufitare.

XS
SM
MD
LG