Ndërlidhjet

Seanca të jashtëzakonshme për përfitime politike


Më 15 janar është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për planet e atëhershme të Serbisë, për të mbajtur një referendum në territorin e Republikës së Kosovës.
Më 15 janar është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për planet e atëhershme të Serbisë, për të mbajtur një referendum në territorin e Republikës së Kosovës.

Dy seanca të jashtëzakonshme ka mbajtur Kuvendi i Kosovës deri më tash në janar - njërën të thirrur nga Qeveria, tjetrën nga opozita - ndërsa të tretën e ka paralajmëruar për datën 27 të këtij muaji.

Me rregulloren e Kuvendit, seanca e jashtëzakonshme mund të thirret nga Kryesia e Kuvendit për të shqyrtuar një çështje të ngutshme.

Sipas organizatave që monitorojnë punën e Kuvendit, seancat e tilla janë kryesisht joefikase dhe, në shumicën e rasteve, përfundojnë me miratimin e ndonjë rezolute.

Rezolutat përkufizohen si shprehje e vullnetit politik të Kuvendit për çështje të caktuara, por nuk kanë karakter obligues.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme për shtrenjtimin e pritshëm të energjisë elektrike, me kërkesë të opozitës.

Më 15 janar, me kërkesë të Qeverisë, është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për planet e atëhershme të Serbisë, për të mbajtur një referendum në territorin e Republikës së Kosovës.

Seanca e së hënës ka përfunduar pa kuorumin e nevojshëm për të votuar draft-rezolutën e propozuar nga partitë opozitare kundër rritjes së çmimeve të faturave të rrymës, ndërsa debati i 15 janarit ka përfunduar me miratimin e një rezolute jodetyruese, që kundërshtonte referendumin e Serbisë në Kosovë.

Të enjten, në seancë të jashtëzakonshme pritet të diskutohet për luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Arton Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet ”Çohu”, thotë se temat e diskutimit në seanca të jashtëzakonshme janë të rëndësishme, por, siç shton ai, tendencat që seancat e tilla të përfundojnë me rezolutë, janë të kota, pasi rezolutat janë joobliguese.

“Këto seanca mendoj se deputetët i mbajnë më shumë për përfitime politike në publik, sesa për qëllime financiare apo diçka të tillë”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se thirrja e seancave të jashtëzakonshme nuk është problematike në vetvete, por problemi, sipas saj, qëndron në atë se çka prodhojnë këto seanca.

“Debatet po ndodhin, mirëpo nuk po shohim një rezultat konkret. Të gjitha mocionet përmbajtjesore, që zakonisht propozohen në këto raste, nuk marrin mbështetje të plotë nga grupet parlamentare. Nëse propozohen nga shumica parlamentare, [ato] nuk i mbështet opozita, dhe anasjelltas”, thotë Haxhiu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Albert Krasniqit, nga Organizata Demokraci Plus (D+), praktika e thirrjes së seancave të jashtëzakonshme duhet të ndryshojë.

“Të mos keqpërdoren si instrument vetëm sa për të konsumuar debatin publik, por vërtet të kenë një qëllim të qartë dhe t’i parashohin masat që deputetët mendojnë se janë të duhura që të ndërmerren prej organeve të tjera”, thotë Krasniqi.

“Ka pasur raste kur janë keqpërdorur seancat e jashtëzakonshme prej partive të ndryshme, qoftë në pushtet apo opozitë, dhe janë mbajtur vetëm për hir të debatit dhe jo me një qëllim të qartë për ta zgjidhur atë problem për të cilin është thirrur seanca”, thotë Krasniqi, duke mos specifikuar më shumë.

Gjatë legjislaturës aktuale, e cila është konstituuar më 22 mars të vitit 2021 dhe udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, janë mbajtur gjithsej 38 seanca, prej të cilave: 27 plenare, nëntë të jashtëzakonshme dhe dy solemne.

Që nga konstituimi e deri në fund të dhjetorit, 2021, Kuvendi ka miratuar 23 ligje, ndërsa 86 i kanë mbetur në procedurë. Mungesa e kuorimit është përmendur shpesh si pengesë për moskalimin e ligjeve.

Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës mund ta bëjë presidentja e Republikës, kryeministri, një ose më shumë grupe parlamentare që përfaqësojnë jo më pak se një të tretën e deputetëve, dhe pastaj e thërret Kryesia e Kuvendit.

Kërkesa për mbledhje të jashtëzakonshme duhet të përmbajë çështjen që do të shqyrtohet dhe arsyetimin së përse është e ngutshme dhe e rëndësishme.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përveç pagës bazë, paguhen edhe për pjesëmarrje në seanca dhe komisione parlamentare.

Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1,547 euro në muaj ose 18,564 euro në vit.

XS
SM
MD
LG