Ndërlidhjet

Seancat pa vendime të Kuvendit të Kosovës


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës nuk po arrin që të përmbyllë me ndonjë rezultat apo vendim asnjë nga seancat e jashtëzakonshme, të cilat po thirren qoftë nga Qeveria, qoftë nga opozita. Mungesa e një shumice parlamentare në Kuvend, po ndikon në vendimmarrje dhe në funksionimin e këtij institucioni.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të premten nga opozita, në të cilën ishte paraparë të diskutohej për politikën e jashtme, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe mospranisë së ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. Deputetët pjesëmarrës në seancë thanë se mbajtja e seancës pa praninë e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk ka kuptim.

Agnesa Haxhiu, hulumtuese dhe monitoruese e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se ka qenë periudhe kohore e mjaftueshme që kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të njoftohen dhe të marrin përgjegjësi që të jenë të pranishëm aty.

Sipas saj, ata janë të obliguar që t’i përgjigjen Kuvendit sa herë që ky i fundit e sheh të arsyeshme një gjë të tillë, normalisht duke respektuar afatet kohore për njoftim.

Haxhiu tha se nga ajo që është parë gjatë kësaj legjislature, kabineti qeveritar po i shmanget vazhdimisht këtij obligimi.

"Dështimi i kësaj seance ka ardhur edhe si rezultat i mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare dhe të Kryesisë së Kuvendit. Tash e disa herë është duke u përsëritur e njëjta situatë, ku seancat dështojnë sepse nuk ka pajtueshmëri mes grupeve parlamentare që ajo të mbahet në një datë të caktuar, por Kryesia i thërret ato”.

“Bojkotimi i dyanshëm që ka filluar të ndodhë me fillim të sesionit vjeshtor, ku në seancat që thirren me kërkesë të opozitës nuk marrin pjesë partitë në pushtet dhe anasjelltas, tashmë po shkon drejt normalizimit si praktikë dhe kjo normalisht që vetëm sa i kontribuon bllokadës, në të cilën gjendet Kuvendi tash e disa muaj", tha Haxhiu.

Me një mocion procedural, me 58 vota për, u vendos që Kryesia e Kuvendit të caktojë datën e ardhshme për mbajtjen e seancës së shtyrë. Deputetët e opozitës thanë se nuk është hera e parë që Qeveria u ikën përgjegjësive dhe nuk merr pjesë në seanca.

Propozuesi i seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se në mungesë të plot të deputetëve të koalicionit qeverisës dhe kabinetit qeveritar, Kryesia e Kuvendit duhet të caktojë në mbledhjen e radhës se kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme.

"Është obligim kushtetues i koalicionit qeverisës, jo i shumicës parlamentare, tani sepse nuk janë shumicë parlamentare, që të jenë prezent në seancë. Ne e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e temës dhe qëllimi i kësaj seance ka qenë - duke qenë se edhe kryesojmë Komisionin e Politikës së Jashtme - që të qartësojmë edhe më mirë politikën e jashtme karshi arritjes së objektivave që ka Republika e Kosovës. “Por, në mungesë të plotë të deputetëve të koalicionit qeverisës dhe të Qeverisë, kabinetit qeverisës, ne propozojmë që data kur mbahet kjo seancë të caktohet në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit", tha Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se me kohë është marrë një shkresë nga ana e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit që nuk do të mund të jenë të pranishëm në seancë për të diskutuar për çështjet e ngritura.

"Meqenëse situata është si është, nuk i kemi prezent, besoj që është e rrugës që, ashtu siç kemi biseduar edhe më parë, ta caktojmë (seancën) në një datë tjetër. Dhe është, po ashtu, e rëndësishme që kjo seancë, meqenëse trajton temën e politikës se jashtme, të caktohet pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, që duhet të ndodhë me datën 20", tha Krasniqi.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur të papërgjegjshme Qeverinë, e cila, pavarësisht faktit, që siç tha ajo, prej 10 ditësh e ka ditur datën e seancës, ata (Haradinaj e Pacolli) sërish nuk ishin të pranishëm në seancë.

Sipas Haxhiut, qytetarët duhet ta dinë të vërtetën për gjithçka që ndodh në politikën e jashtme.

"Kjo është një papërgjegjësi e Qeverisë kundrejt Kuvendit, ata e kanë obligim kushtetues që të jenë këtu dhe meqë nuk ka kuorum për të vendosur për një datë të saktë të seancës, se kur do të mbahet ky debat, ne jemi të pajtimit që Kryesia në mbledhjen e ardhshme të caktojë të njëjtin", tha Haxhiu.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se edhe kur është vendosur që të mbahet seanca, është treguar që kryeministri nuk do të mund të jetë i pranishëm.

Ai iu tha deputetëve të opozitës, se nuk kanë dashur të dëgjonin arsyetimin se pse nuk duhet të mbahet seanca.

"Nuk është dëgjuar arsyetimi, pse kemi kërkuar që të mos mbahet seanca këtë ditë", tha Isufi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli kishte njoftuar se nuk do të jetë i pranishëm në këtë seancë, meqë ka agjendë tjetër, e cila nuk mund të shtyhet.

Bëhet fjalë për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, që nis më 18 dhe vazhdon deri më 21 nëntor në Dubai.

Më shumë se një vit nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë, e veçanërisht që nga fillimi i këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të funksionojë si duhet dhe vazhdimisht është përballur me problematika të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG