Ndërlidhjet

Sëmundjet më vrastare në Kosovë, ato të zemrës dhe kanceri


Fotografi ilustruese

Zyrtarë shëndetësorë i kanë radhitur sëmundjet kardiovaskulare si shkaktarin e parë të vdekjeve në Kosovë.

Ndërkaq, sëmundja që po merr jetë njerëzish, si e dyta me radhë është renditur kanceri.

Megjithëkëtë, Kosova nuk ka sistem të referimit, që do dihej saktë se sa njerëz kanë probleme me sëmundje të caktuara dhe sa është numri i njerëzve që vdesin nga sëmundje të caktuara.

Gani Bajraktari, kryetar i Shoqatës së Kardiologëve në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë, se numri i qytetarëve me problemet shëndetësore me zemrën është në rritje çdo vit.

Ai shton se shtimin e numrit të pacientëve me probleme kardiovaskulare kryesisht dominon infarkti akut, si patologjia më e shpeshtë dhe më vdekjeprurëse në Kosovë, siç ndodh edhe në vendet tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim.​

“Edhe në Kosovë, si edhe në shumë vende në zhvillim dhe ato të zhvilluara, sëmundjet kardiovaskulare mbesin si sëmundjet e para dhe shkaktar të vdekjeve”.

“Në Kosovë kemi akoma për të bërë që standardet të jenë konform standardeve evropiane. Këtë vit, Kosova është futur për herë të parë në atllasin e shoqatës evropiane të kardiologjisë dhe treguesit e trajtimit të këtyre sëmundjeve akoma mbesim për të dëshiruar”, tha Bajraktari.

Bajraktari shton se trajtimi emergjent mbetet i vonuar në Kosovë.

“Trajtimi paraqet vështirësi, pasi në Kosovë nuk arrihet që për dy orë, aq sa parashihet nga fillimi i dhimbjes deri te hapja koronare , dhe tek ne kjo është mangësi dhe si pasojë kemi edhe humbje të jetëve të njerëzve”, tha Bajraktari.

Të paktën 17 milionë njerëz në botë vdesin çdo vit nga sëmundjet e zemrës, flasin shifrat zyrtare të institucioneve shëndetësore.

Profesionistët shëndetësorë thonë se pjesa më e madhe e sëmundjeve kardiovaskulare mund të parandalohet nëpërmjet adresimit të qartë të rrezikut, si duhanpirja, dieta jo e shëndetshme dhe obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit.

Në anën tjetër, Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se ndonëse është rritur numri i pacientëve me kancer, kjo nuk paraqet rritje reale, por vetëdijesim të qytetarëve për ta hetuar më herët sëmundjen.

“Viti 2016 është përmbyllur me 1236 raste të reja me kancer, derisa në vitin 2017, ka pasur 1550 raste të reja. Viti 2017 ka shënuar rritje, ndonëse nuk tregon saktë rritje, por rritje të vetëdijes së qytetarëve”, ka thënë Hyseni.

“Nëse krahasohet ky numër me popullatën e njëjtë në regjion, na del se jemi me numrin më të vogël të të sëmurëve me kancer. Kjo flet se kemi moshë të re të popullatës në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Hyseni ka folur edhe për cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Cilësia e shërbimeve shëndetësore është në nivel, por ka vend edhe për ngritje të cilësisë. Ne kemi shërbime për kimioterapi, radioterapisë ku deri në 300 pacientë frekuentojnë dhe marrin në ditë këto shërbime’’, ka thënë Hyseni.

Ta mposhtësh kancerin...
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Por, janë edhe sëmundjet ngjitëse në Kosovë, ku në vit rreth 100 mijë njerëz infektohen me sëmundje ngjitëse.

Sipas epidemiologëve në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse, është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

E infektologët thonë vitin 2017, si sëmundje ngjitëse e kanë karakterizuar ethet e minjve si dhe fruthi.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG