Ndërlidhjet

Senatorët amerikanë akuzojnë Kinën për dezinformata rreth koronavirusit


Uashington, 15 mars, 2020.
Uashington, 15 mars, 2020.

Katër senatorë republikanë në Shtetet e Bashkuara e akuzuan Kinën për përhapje të dezinformacioneve në lidhje me origjinën e koronavirusit, i cili tani kërcënon jetën e dhjetëra-mijëra njerëzve në gjithë globin.

Senatorët republikanë – të gjithë anëtarë të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë – thanë se zyrtarët e Partisë Komuniste të Kinës dhe media shtetërore atje janë duke përhapur akuza se Ushtria e Shteteve të Bashkuara e ka dërguar virusin në qytetin kinez, Vuhan, ku edhe kanë nisur rastet e para me koronavirus, dhjetorin e kaluar.

“Dezinformimi i Partisë Komuniste të Kinës tregon se kjo parti do të ketë gjithmonë prioritet reputacionin e saj, përballë së mirës së komunitetit ndërkombëtar. Kjo nuk është udhëheqje globale”, thanë përmes një deklarate senatorët: Jim Risch, John Barrasso, Marco Rubio dhe Cory Gardner.

Risch është kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Kina e ka ditur qysh në dhjetor se COVID-19, një lloj i ri i koronavirusit, është vdekjeprurës dhe përhapet shpejt, por ajo i ka heshtur mjekët dhe gazetarët.

Edhe pas përhapjes së lajmeve, Partia Komuniste e Kinës ua ka vonuar hyrjen në vend anëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që do të studionin sëmundjen.

Senatorët thanë në deklaratën e tyre se "këto gabime kanë kontribuuar në situatën e rëndë, me të cilën përballet i gjithë globi sot".

Koronavirusi ka infektuar mbi 182,000 njerëz në botë – prej tyre, mbi 100,000 jashtë Kinës.

Deklarata e senatorëve vjen pas disa kritikave të Pekinit kundër republikanëve në SHBA. Zyrtarët kinezë kanë thënë se përfaqësuesit amerikanë po e politizojnë pandeminë duke e përshkruar sëmundjen si “koronavirus të Kinës” ose “koronavirus të Vuhanit”.

Përfaqësuesi republikan, Kevin McCarthy, e ka përdorur termin “koronavirus i Kinës” në një postim në Twitter, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, po ashtu republikan, e ka quajtur sëmundjen “koronavirus i Vuhanit”.

*Video nga arkivi: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Muajin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka paralajmëruar qeveritë dhe mediat kundër përdorimit të termeve “virus i Vuhanit”, “virus i Kinës”, apo “virus i Azisë”.

Përfaqësuesi demokrat në SHBA, Ted Lieu, i ka kritikuar po ashtu kolegët e tij republikanë për përdorimin e termit “koronavirus i Kinës”, duke thënë se kjo frazë “është po aq budallallëk” sikur edhe përdorimi i frazës “koronavirus italian”.

Pas Kinës, Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi, me gati 28,000 njerëz të infektuar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG