Ndërlidhjet

Senatori: Nxitje “djallëzore” ruse lidhur me protestat sportive


Lojtarët duke qëndruar të gjunjëzuar gjatë ekzekutimit të himnit amerikan
Lojtarët duke qëndruar të gjunjëzuar gjatë ekzekutimit të himnit amerikan

Provokuesit rusë në Internet po e shfrytëzojnë kundërthënien lidhur me protestat e lojtarëve zezakë amerikanë kundër dhunës policore për t’i thelluar përçarjet në Shtetet e Bashkuara, ka thënë senatori, James Lankford, republikan nga Okllahoma, anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan.

Duke folur mbrëmë në një dëgjim, ai theksoi se shfrytëzuesit e paguar të mediave sociale, të cilët ai i ka quajtur si “djaj”, duke i mbështetur të dy palët e debatit të nxehtë publik, që filloi ditëve të fundit pasi disa lojtarë zezakë të futbollit amerikan, në shenjë proteste kundër incidenteve të raportuara të dhunës policore kundër personave të dyshuar zezakë se kanë bërë krime, janë gjunjëzuar derisa është ekzekutuar himni kombëtar i Shteteve të Bashkuara, gjatë së cilit rregullisht njerëzit ngriten në këmbë në shenjë nderimi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë ditëve të fundit i ka kritikuar lojtarët, duke thënë se “nuk e kanë respektuar vendin tonë” dhe u ka bërë thirrje pronarëve të ekipeve të Ligës Kombëtare Futbollistike, që t’i përjashtojnë ose suspendojnë futbollistët të cilët kanë qëndruar në gjunjë.

Senatori Lankford tha se provokuesit rusë, për të cilët ndihmësit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara thonë se ishin detektuar nga agjencitë e Inteligjencës amerikane dhe i kishin informuar anëtarët e komitetit, nuk po anojnë për asnjerën palë në këtë mosmarrëveshje, por po synojnë ta rrisin zemërimin e shprehur nga njerëzit e të dy grupeve.

Ata u drejtoheshin të dy palëve gjatë fundjavës së kaluar, dhe janë përpjekur në mënyrë djallëzore për ta shtuar nivelin e zhurmës në Amerikë dhe për ta zmadhuar këtë çështje që të duket shumë më e madhe”, tha senatori Lankford gjatë dëgjimit në Komitetin e sigurisë së brendshme dhe të punëve qeveritare në Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Komiteti i inteligjencës i Senatit është njëri prej disa paneleve të Kongresit, që po zhvillon hetime për përpjekjet e dyshuara ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara.

Ndihmësit në Kongres thanë se hetuesit kanë gjetur dëshmi se përpjekjet për ndikim kanë vazhduar edhe këtë vit.

Rusia i ka hedhur poshtë pohimet se janë bërë çfarëdo përpjekjesh për të ndikuar në zgjedhje ose në debatin publik.

Hetuesit privatë, të cilët e gjurmojnë propagandën ruse dhe fushatat e dizinformimeve, thanë se akuzat e senatorit Lankford janë të besueshme.

Një faqe në Internet e themeluar së bashku nga hetuesit që punojnë për Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, i cili është projekt dypatriak transatlantik për ta kundërshtuar fushatën e dezinformimeve ruse, i tregon postimet në Twitter, që i mbështesin të dy palët e debatit futbollistik nga profilet e ndryshme, për të cilat thuhet se ishin përdorë për ta përhapur propagandën ruse në rrjetin Twitter.

Clint Watts, kërkues që ka ndihmuar në krijimin e kësaj faqeje që e gjurmon propagandën ruse në mediat sociale, i tha agjencisë AP se fushata e përshkruar nga senatori Lankford, është e ngjashme me fushatat propaganduese të cilat ishin mirë të dokumentuara, sikur ajo që ishte shfrytëzuar në rrjetin Facebook, për të përhapur mesazhe në favor dhe kundër lëvizjes Jetët e Zezakëve Janë të Rëndësishme.

Zoti Watts tha se përpjekjet e fundit të propagandës ruse janë të ngjashme me fushatat “me masa aktive” të periudhës ish-sovjetike, kur Moska ishte angazhuar në luftën informative të paraparë për t’i destabilizuar demokracitë perëndimore nga brenda.

Qëllimi është që të shkaktojnë përçarje në Amerikë”, tha Wattts.

Njëherësh, Komiteti i inteligjencës në Senat dhe ai në Dhomën Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, kanë kërkuar nga kompanitë gjigante teknologjike, siç janë Google, Facebook dhe Twitter, që të flasin për përvojat e tyre me organizatat ruse, që postojnë shpallje në rrjetet e tyre, gjatë një dëgjimi publik në javët e ardhshme.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG