Ndërlidhjet

Separatisti katalanas Puigdemont arrestohet në Itali


Lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont.
Lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont.

Lideri separatist i Katalonjës, Carles Puigdemont, është arrestuar në ishullin italian, Sardinia, me një urdhër-arrest spanjoll, katër vjet prej ikjes nga Spanja, pas një referendumi për pavarësi, të cilin Madridi e ka shpallur joligjor.

Puigdemont pritet të dalë para gjykatës më vonë gjatë 24 shtatorit, në një seancë dëgjimore, në të cilën mund të meret vendim për esktradimin e tij në Spanjë për t’u përballur me akuzat për kryengritje, ka thënë avokati i tij.

Ish-banori i Katalonjës, një nga rajonet më të pasura të Spanjës, ka ikur nga shteti pas referendumit të vitit 2017.

Ai ka jetuar më pas në Belgjikë dhe ka ulëse në Parlamentin Evropian.

Puigdemont fillimisht ka pasur imunitet nga ndjekja penale, pas sigurimit të një ulëseje në Parlament më 2019, mirëpo më pas atij i është hequr imuniteti në muajin mars.

Referendumi i vitit 2017 ka nxitur krizë politike në Spanjë, pasi Parlamenti rajonal i Katalonjës pati shpallur pavarësi nga shteti dhe Madridi pati vendosur regjim direkt në rajon.

Zyra e Puigdemont ka thënë se ai është arrestuar në aeroportin Algjero më 24 shtator, pasi është ndalur nga policia kufitare e Italisë.

Ai ka shkuar atje për të marrë pjesë në një festival të folklorit tradicional të Katalonjës, ka thënë avokati i tij.

Presidenti i Katalonjës, Pere Aragones, po ashtu separatist, e ka dënuar atë që e ka quajtur “persekutim dhe shtypje gjyqësore” ndaj Puigdemont.

Qeveria spanjolle ka thënë se arrestimi i Puigdemont “përbën procedurë gjyqësore të vazhdueshme, që zbatohet për çdo qytetar të BE -së që duhet t'iu përgjigjet gjykatave".

XS
SM
MD
LG