Ndërlidhjet

Sërish protesta në Beograd, Vuçiq thotë se nuk do të lejojë kërcënime përmes dhunës


Serbi.

Protestuesit ne Serbi kanë marshuar sot për disa orë nëpër rrugët kryesore të Beogradit.

Para mesditës ata u mblodhën para Presidencës ku pritej që presidenti Aleksandar Vuçiq, t’i drejtohet kombit, lidhur me zhvillimet e fundit, përkitazi me eskalimin e situatës, kur një ditë më herët protestuesit hynë brenda objektit të Radio Televizionit të Serbisë.

Derisa jashtë protestohej, presidenti Vuçiq brenda ndërtesës së Presidencës tha se nuk do të lejojë askënd të kërcënojë përmes dhunës.

Duke komentuar protestat e mbrëmshme, kur protestuesit hynë me dhunë në objektin e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), presidenti Vuçiq tha se midis organizatorëve të protestës kishte nervozizëm për "një numër të vogël njerëzish që protestonin", ku sipas Vuçiqit mbrëmë të pranishëm në protestën përpara Televizionit Shtetëror ishin 1550 njerëz.

Vuçiq përsëriti se do të flasë me qytetarët, por jo edhe me udhëheqësit e opozitës, të cilët po marrin pjesë në protestë.

“Nuk do të lejojmë që një pakicë prej një, dy, pesë apo njëqind mijë persona të menaxhojnë më Serbinë sepse është e dhunshme, prandaj nuk do ta lejojmë kurrë këtë lloj ngjarjeje politike”, tha Vuçiq.

Mbëmë protestuesit u futën në ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë. Pjesëtarët e xhandarmërisë serbe i nxorën demonstruesit dhe disa udhëheqës të opozitës nga ndërtesa e RTS, ku demonstruesit ishin futur për të kërkuar që t'iu jepej hapësirë në televizionin publik.

Të shtunën mbrëma, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe i nxorën demonstruesit dhe disa udhëheqës të opozitës nga ndërtesa e Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ku u futën gjatë protestës “një në pesë milionë” në Beograd dhe kërkuan që organizatorëve të protestës t’iu jepet hapësirë në televizionin publik.

Duke komentuar protestën e mbrëmshme para RTS, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq tha se shteti nuk do të tolerojë dhunë.

"Ky vandalizëm tregon qartë se që nga dita e parë ata po planifikojnë të shkaktojnë çrregullime dhe të zëvendësojnë qeverinë e zgjedhur në mënyrë legjitime në mënyrë të dhunshme", tha Bërnabiq për Tanjug.

*Video: Protestuesit brenda televizionit publik të Serbisë

Protestuesit hyjnë në ndërtesën e Televizionit Shtetëror
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.

Protestuesit që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, kërkojnë më shumë hapësirë në televizionin publik, pastaj zbulimin e urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimin e “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Muajin e kaluar, Freedom House - organizatë ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut në botë - ka publikuar raportin vjetor, në të cilin e ka degraduar Serbinë nga kategoria e vendeve të lira në vend pjesërisht të lirë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG