Ndërlidhjet

Serbia dhe Rusia bashkëpunojnë në fushën e risive bërthamore


Ilustrim
Ilustrim

Agjencia për Energji Bërthamore e Rusisë, Rosatom, prezantoi të hënën planin e punës së saj në tregun e Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Departamentit për Zhvillim dhe Ndërmarrje Ndërkombëtare pranë Rosatom-it, Boris Arsejev, tha se kjo kompani është e gatshme t’i ofrojë Serbisë “përtej energjetikës”.

“Në radhë të parë bëhet fjalë për zhvillimin e potencialit shkencor dhe inovativ të Serbisë dhe zgjidhjet në fushën e mjekësisë bërthamore. Ne zhvillojmë gjithashtu energji alternative, burime të ripërtëritshme të energjisë", tha Arsejev në një konferencë për media në Beograd, së bashku me ministrin pa portofol në Qeverinë e Serbisë, përgjegjës për inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, Nenad Popoviq.

Ky i fundit u shpreh i bindur se “ky bashkëpunim me Rosatom-in “do të sjellë shumë mundësi të reja dhe shumë vende të reja pune”.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se cili do të jetë vëllimi i investimeve të Rosatom-it, Popoviq nuk dha përgjigje konkrete.

“Pas dhjetëra vitesh pa kontakte midis Rosatom-it dhe kompanive nga Serbia, institucioneve kërkimore shkencore, është herët të flitet për investime. Është e rëndësishme që është vënë kontakti i parë”, tha Popoviq.

Delegacioni i Rosatom-it ka shkuar në Beograd më pak se katër muaj pasi në Soçi të Rusisë, Popoviq dhe drejtori i përgjithshëm i korporatës shtetërore ruse Rosatom, Aleksej Lihachov, kanë nënshkruar një dokument për parimet e bashkëpunimit Rusi-Serbi në fushën e energjisë bërthamore, për qëllime paqësore.

Rosatom, siç thuhet në faqen e tij zyrtare, është i pranishëm në 44 shtete në gjithë botën – prej tyre, 16 në Evropë.

Përpara aplikimit të energjisë bërthamore në mjekësi, Rosatom është i njohur për ndërtimin e centraleve bërthamore. Në projekte të tilla, Rosatom po punon në Bullgari dhe Hungari. Realizimi i tyre nuk ka përfunduar, edhe pse themelet e bashkëpunimit janë ngritur vite më parë.

Projekti për rindërtimin e centralit bërthamor të Belenës në Bullgari është ende nën pikëpyetje.

Në qershor, Parlamenti bullgar ka miratuar një plan për rindërtimin e centralit bërthamor të Belenës, pesë vjet pasi projekti është pezulluar.
Në qershor, Parlamenti bullgar ka miratuar një plan për rindërtimin e centralit bërthamor të Belenës, pesë vjet pasi projekti është pezulluar.

Në qershor të këtij viti, Parlamenti bullgar ka miratuar një plan për rindërtimin e centralit bërthamor të Belenës, pesë vjet pasi projekti është pezulluar për shkak të problemeve financiare dhe shqetësimeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara se përmes tij do të rritet varësia energjetike e Bullgarisë nga Rusia.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka cilësuar si “projekt të shekullit” planin e zgjerimit të elektranës bërthamore Paksh në Hungari, në bashkëpunim me Rosatom-in. Marrëveshja mes tyre është arritur në vitin 2014, gjatë vizitës së Orbanit në Rusi.

Bashkimi Evropian ka dhënë dritën jeshile për zgjerimin e Pakshit në mars të vitit 2017.

Sipas një shkrimi në gazetën The Economist, të muajit gusht, Rusia e ka imponuar veten si lider në ndërtimin dhe eksportin e centraleve bërthamore, duke njohur potencialin e vet për të hyrë në tregjet që Perëndimi "i ka lënë pas dore". Këto janë, para së gjithash, vende që nuk janë në aleancë as me Federatën Ruse, as me Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG