Ndërlidhjet

Lavrov: Trump po synon prishjen e marrëveshjes bërthamore


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump, për tentim të prishjes së marrëveshjes bërthamore në mes të Iranit dhe fuqive botërore, duke thënë se deklaratat e Trumpit mund të dërgojnë në anulimin e marrëveshjes.

Duke folur në një konferencë për media, për të prezantuar aktivitetin e diplomacisë ruse gjatë vitit të kaluar, Lavrov ka thënë se deklaratat e fundit të Trumpit kanë “pasur qëllim prishjen” e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 duke mos shtuar “optimizëm dhe stabilitet”.

“Ne nuk do të mbështesim atë që Shtetet e Bashkuara janë duke tentuar të bëjnë, duke ndryshuar fjalët për marrëveshjen dhe duke përfshirë gjëra të cilat janë absolutisht të papranueshme për Iranin”, ka thënë Lavrov.

“Fatkeqësisht, kolegët tanë amerikanë dëshirojnë që sërish të veprojnë duke u bazuar në diktate dhe ultimatum”, ka thënë ai, duke përsëritur një akuzë, e cila bëhet shpesh nga zyrtarët rusë.

“Ata nuk duan të dëgjojnë pikëpamjet politike të qendrave të tjera botërore, andaj ata nuk duan të pranojnë realitetin e formimit të një bote shumëpolare”, ka thënë Lavrov, i cili është ministër i Jashtëm rus nga viti 2004.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Shtëpinë e Bardhë. 10 maj, 2017
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Shtëpinë e Bardhë. 10 maj, 2017

Ashtu sikurse në të kaluarën, ai e ka veçuar SHBA-në për ta akuzuar në çështje të ndryshme dhe ka kërkuar që Rusia të portretizohet si fuqi konstruktive, e cila është duke kërkuar të rrisë stabilitetin dhe të zgjidhë konfliktet, në atë që ai e ka quajtur kokëfortësi perëndimore.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera akuzojnë Rusinë për dëmtim të stabilitetit rajonal dhe global, duke përfshirë ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, mbështetjen për Qeverinë siriane në luftën e atij vendi dhe ndërhyrjen e supozuar në zgjedhjet e vendeve Perëndimore.

Marrëveshja bërthamore, e nënshkruar nga Teherani dhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina, ka për qëllim sigurimin e asaj se Irani nuk po punon në krijimin e armëve bërthamore.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Teherani është pajtuar të ndalojë programin e saj bërthamor në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër Iranit.

Mirëpo Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga ky pakt nëse vendet evropiane që e kanë nënshkruar atë, nuk i rregullojnë “të metat e tmerrshme” të marrëveshjes.

Më 12 janar, Trump ka thënë se do të lehtësojë sanksionet për Iranin, duke mos e prekur momentalisht marrëveshjen.

Mirëpo ai ka thënë se dëshiron që pakti të fuqizohet me anë të një marrëveshjeje tjetër brenda 120 ditëve.

Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore dhe ka kundërshtuar ndonjë ndryshim të marrëveshjes së vitit 2015.

Vendet e tjera që janë pjesë e marrëveshjes, i kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të veprojnë në pajtueshmëri me të njëjtën.

Lavrov ka thënë se nëse bëhen ndryshime në këtë marrëveshje, Teherani nuk do të ndihet i obliguar për ta zbatuar atë.

Ai po ashtu ka thënë se shkatërrimi i marrëveshjes do ta bënte më të vështirë ballafaqimin në mes të Koresë Veriore dhe fuqive botërore, rreth programit të Phenianit për armë bërthamore dhe raketa.

Në mesin e ndryshimeve, Trump ka kërkuar që Irani të lejojë inspektim, siç është kërkuar nga Agjencia për Energji Atomike, si dhe eliminimin e të ashtuquajturave “klauzola”, të cilat pas një kohe, u japin fund kufizimeve të aktiviteteve bërthamore të Iranit.

Me këtë rast, Trump ka kërkuar që marrëveshja të përcaktojë, se përpjekjet bërthamore të Iranit dhe ato të programit të raketave janë të pandashme.

Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarë të tjerë, janë ankuar se programi i Iranit për raketa balistike, mundet që shumë shpejt të kthehet në përdorim bërthamor.

Presidenti iranian, Hasan Rohani, ka thënë gjatë ditës së djeshme se administrata e presidentit Trump ka “dështuar në prishjen” e marrëveshjes bërthamore, pavarësisht “përpjekjeve të vazhdueshme”.

Rohani e ka cilësuar marrëveshjen si “fitore afatgjatë për Iranin”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG