Ndërlidhjet

Irani akuzon SHBA-në për "pandershmëri" në shkeljen e marrëveshjes bërthamore


Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, foto nga arkivi

Ministri i Jashtëm Iranian, Mohammed Javad Zarid, e ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump për “shkelje të pandershme” të marrëveshjes bërthamore të Iranit, pas deklaratave të Trumpit se ai do të largohet nga marrëveshja brenda disa muajsh nëse nuk bëhen ndryshime.

Njoftimi i Trumpit është “përpjekje e dëshpëruar për të minuar një marëveshje të shumëanshme”, ka thënë ministri Zarif përmes një postimi në Twitter.

Ai ka cituar disa pjesë të marrëveshjes, të cilat sipas tij është duke i shkelur SHBA-ja, duke kërkuar ndryshime në çështje për të cilat tashmë është pajtuar Irani dhe pesë fuqi të tjera botërore.

Marrëveshje “nuk është e rinegociueshme”, ka thënë ai.

“Në vend të përseritjes së një retorike të lodhshme, SHBA-ja duhet të krijojë një pajtueshmëri të plotë, sikurse Irani”, ka shtuar Zarif.

Trump ka thënë më herët se do të zgjaste lehtësimin e sanksioneve amerikane për Iranin, siç kërkohet me marrëveshjen bërthamore në shëmbim të zvogëlimit të aktiviteteve nukleare nga ana e Iranit, mirëpo ai synon të largojë SHBA-në nga kjo marrëveshje, në rast se e njëjta nuk forcohet brenda këtyre muajve.

Presidenti ka thënë përmes një deklarate më 12 janar se ai është duke hequr dorë nga sanksionet për 120 ditë të tjera për “herën e fundit”, derisa ka kërkuar negociata me fuqitë evropiane për të ndryshuar marrëveshjen, me anë të të cilave ai propozon ndalimin e përhershëm të aktiviteteve bërthamore të Iranit.

“Sot jam duke hequr dorë nga disa sanksione, mirëpo vetëm të siguruar marrëveshjen e aleatëve tanë evropiane që të rregullojnë të metat e tmerrshme të marrëveshjes bërthamore me Iranin”, ka thënë Trump përmes deklaratës.

“Kjo është mundësia e fundit. Në mungesë të një marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga sanksionet në mënyrë që të jenë pjesë e marrëshjes bërthamore. Dhe nëse në ndonjë rast do të vlerësojë se kjo marrëveshje nuk është duke u zbatuar, unë do të largohem nga e njëjta menjëherë”, ka shtuar Trump.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Raybkov, ka thënë sot në Moskë se është “alarmuar” nga hapat e fundit të SHBA-së, duke shtuar se Rusia beson se “Shtetet e Bashkuara tashmë kanë marrë vendim të brendshëm”, për t’u larguar nga marrëveshja me Iranin.

“Ky mund të jetë një nga gabimet e mëdha të politikës së jashtme të Uashingtonit, dhe një nga kalkulimet më të gabuara të saj”, ka thënë Ryabkov.

Administrata e Trumpit ka njoftuar më 12 janar, për sanksione të reja për 14 persona dhe organizata iraniane, për “abuzime serioze të të drejtave të njeriut”, dhe çëshje tjera jo të lidhura me armët bërthamore”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Thesarit.

Emrët më të zëshëm që janë përfshirë në listën e sanksioneve ka qenë udhëheqësi i gjyqësorit në Iran, Sadeq Larjani dhe vëllai i tij, Ali Larjani, i cili është udhëheqës i parlamentit Iranian.

Sipas këtyre sanksioneve, çdo pronë të cilën e kanë këta persona nën juridiksionin e SHBA-së do t’iu ndalohet, si dhe këta persona nuk kanë të drejtë të bëjnë biznes me SHBA-në.

Irani ka premtuar më 13 janar se do të hakmerret kundër sanksioneve të Larjanit.

“Hapi armiqësor i regjimit të Trumpit ka kaluar vijat e kuqe në komunitetin ndërkombëtar dhe ka shkelur ligjin ndërkombëtar, andaj padyshim se do të ketë përgjigje serioze të Republikës Islamike”, ka thënë ministria e Jashtme e Iranit, përmes një deklarate.

Duke vënë një afat të fundit deri në muajin maj për Kongresin amerikan dhe fuqitë evropiane për të fuqizuar marrëveshjen bërthamore, deklarata e Trumpit i ka bërë presion Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë nënshkruar këtë marrëveshje me Iranin.

Irani ka përsëritur disa herë se nuk dëshiron të rinegociojë marrëveshjen.

“Une kam qenë shumë i qartë kur kam dhënë mendimin tim për marrëveshjen”, ka thënë Trump më 12 janar.

“Kjo marrëveshje i ka dhënë Iranit shumë, që ky vend të japë në shkëmbim shumë shumë pak”.

Irani ka thënë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore të përdorimit.

Sipas këtij vendi, i njëjti do t’i përmbahet marrëveshjes për aq kohë sa do të jenë të gatshme edhe vendet e tjera, mirëpo ka paralajmëruar se do të prishë marrëveshjen, nëse largohet Uashingtoni.

Vendet evropiane që po ashtu kanë nënshkruar marrëveshjen, i kanë bërë presion SHBA-së të jetë pjesë e saj.

Ministria e Jashtme gjermane ka thënë se Berlini do të konsultohet me partnerët evropianë, pas deklaratave të Trumpit, mirëpo shteti “do të vazhdojë fushatën per zbatimin e plotë të marrëveshjes bërthamore”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG