Ndërlidhjet

Familjarë e të zhdukurve në Kosovë edhe njëherë kanë kërkuar nga autoritete kompetente të angazhohen më tepër për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, e sidomos në identifikimin e mbetjeve mortore.

Me këtë rast, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar se do të angazhohet që çështja e personave të pagjetur të mbyllet “shpejt dhe drejt ky kapitull për të gjithë ne”.

Ai ka thënë se është e papranueshme që për gati dy dekada, nuk është zbardhur fati i të gjitha viktimave.

President Thaçi shtoi se si protagonist i zhvillimeve politike në vend, por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbetet i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet me urgjencë.

Në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, më temën “Sfidat në identifikim” presidenti Thaçi ka thënë se “bashkëpunimi që keni në mes vete, tejkalimi i ndasive përgjatë vijave etnike, kuptimi se kemi dëshira të njëjta, janë shembull për të gjithë ne”.

Duke parë shembullin tuaj, jam bindur për nevojën për të iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe për Pajtim në Kosovë”, ka thënë Thaçi .

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, njëherësh kryetar i Qendrës Burime për Personat e Zhdukur, ka thënë se është kërkuar “ndryshimi i strategjisë së punës për personat e pagjetur, por kjo ende nuk ka ndodhur”.

Kurse Milorad Trifunoviq, nënkryetar i kësaj qendre, njëherësh përfaqësues i Shoqatës se të zhdukurve serbë në Kosovë, duke folur për sfidat e identifikimit të mbetjeve mortore, ka thënë se “në vitin 1999- 2000, shumica e personave janë varrosur në formën klasike, pa analiza të AND-së”.

Për këtë ai ka ftuar të gjithë familjarët e të zhdukurve apo të varrosurve që të pranojnë edhe një herë të bëjnë analiza, në mënyrë që të vërtetohet se në varreza gjenden familjarët e tyre.

Edhe presidenti Thaçi ka thënë se është i njoftuar edhe me sfidën e identifikimit të mbetjeve mortore.

Presidenti Thaçi është shprehur se “këtë dhimbje e ndajmë të gjithë, sikur që ndajmë edhe përkushtimin që të identifikohen të gjitha viktimat, të gjitha mbetjet e gjetura, porse kjo çështje kërkon maturi, durim dhe dhembshuri nga të gjithë ne”.

Sipas shënimeve zyrtare edhe rreth 1600 persona konsiderohen të zhdukur që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG