Ndërlidhjet

SHBA-ja bën hapa drejt lehtësimit të bisedimeve bërthamore me Iranin


Reaktori Arak i Iranit. Fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara kanë hequr një ndalesë ndaj Iranit për të lejuar projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar bërthamor, teksa bisedimet indirekte midis Teheranit dhe Uashingtonit, që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore, kanë hyrë në fazë kritike.

Ndalesa që është hequr nga SHBA-ja, ishte vendosur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump i cili tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.

Departamenti amerikan i Shtetit në një raport dërguar Kongresit, ka shpjeguar se ky vendim do të ndihmojë bisedimet që po zhvillohen në Vjenë, për kthimin në marrëveshjen bërthamore.

“Heqja dorë nga kjo ndalesë për aktivitetet është bërë për të lehtësuar diskutimet që mund të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje për rikthimin e ndërsjellë të zbatimit të plotë të marrëveshjes bërthamore, por edhe për të hedhur bazat e kthimit të Iranit në përmbushjen e plotë të angazhimeve nga kjo marrëveshje”, u tha në raport, sipas një kopjeje që e ka parë agjencia Reuters.

“Ky vendim po ashtu është bërë për t’i shërbyer interesave të SHBA-së dhe sigurisë bërthamore dhe për të kufizuar aktivitetin bërthamor të Iranit”, u tha në raport.

Aktivitetet, sipas raportit, përfshijnë ridizajnimin e reaktorit ujor Arak të Iranit, përgatitjet dhe modifikimin e uzinës nëntokësore bërthamore Fordow dhe për shërbimet që kryen në termocentralin bërthamor të Iranit, Bushehr.

Heqja e kësaj ndalese do të lejojë diskutimet teknike, që janë kyçe për bisedimet për rikthimin në marrëveshje, tha një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Por, ky vendim, sipas këtij zyrtari nuk është sinjal që SHBA-ja është afër arritjes së një mirëkuptimi për t’u kthyer në marrëveshje.

“Ne nuk ia kemi lehtësuar sanksionet Iranit dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë, derisa Teherani të mos respektojë plotësisht zotimet e marrëveshjes”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Presidenti amerikan, Joe Biden është zotuar se do t’i ribashkohet marrëveshjes bërthamore, nëse Teherani e respekton plotësisht atë.

XS
SM
MD
LG