Ndërlidhjet

SHBA dërgon trupa për të evakuuar stafin e ambasadës në Afganistan


Ambasada amerikane në Kabul.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa ushtarake për të evakuuar një pjesë të stafit nga ambasada në Kabul, për shkak të avancimit të shpejtë të talibanëve në Afganistan.

Ku njoftim ka ardhur disa orë pasi trupat afgane kanë braktisur qytetin e tretë më të madh në shtet, Heratin.

Ushtria amerikane tashmë ka rreth 650 trupa në Afganistan, për të garantuar sigurinë diplomatike, përfshirë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar, Hamid Karzai.

Qeveria ka humbur pjesën më të madhe të veriut, jugut dhe perëndimit të Afganistanit javën e kaluar, dhe tani kontrollon kryeqytetin, Kabulin dhe një numër të qyteteve, që po ashtu janë në rrezik.

“Ne do të zvogëlojmë prezencën civile në Kabul, pas ndryshimit të situatës së sigurisë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Prince, ndonëse ka theksuar se ambasada do të mbetet e hapur.

Prince u ka thënë gazetarëve se Shtetet e Bashkuara do të realizojnë fluturime ditore për të evakuuar përkthyesit afganë dhe persona tjerë që u kanë ndihmuar forcave amerikane dhe tani shqetësohen për jetët e tyre.

Pas disa javëve të rrethimit, forcat qeveritare janë larguar të enjten nga Herati, qytet në afërsi me kufirin iranian.

“Na është dashur të largohemi nga qyteti për të parandaluar shkatërrim më të madh”, është cituar të ketë thënë një zyrtar i lartë për agjencinë e lajmeve, AFP.

Një zëdhënës i talibanëve, ka thënë në Twitter se “ushtarët kanë lënë armët dhe u janë bashkuar muxhahedinëve”.

Në orët e para të së enjtes, Ministria e Brendshme ka konfirmuar edhe rënien e Gaznit, rreth 150 kilometra nga Kabuli.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

XS
SM
MD
LG