Ndërlidhjet

SHBA-ja përcjell rastin e dyshuar të murtajës në Rusi

Sipas raportimeve, një punonjës laboratori theu aksidentalisht një epruvetë që përmbante bakterin që shkakton murtajën pneumonike, teksa po punonte në një institut në Irkutsk të Siberisë.
Sipas raportimeve, një punonjës laboratori theu aksidentalisht një epruvetë që përmbante bakterin që shkakton murtajën pneumonike, teksa po punonte në një institut në Irkutsk të Siberisë.

Shtetet e Bashkuara po përcjellin raportimet për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike në Rusi, pasi një punonjëse 28-vjeçare laboratori vdiq në rajonin siberian të Irkutskut.

Rasti nxiti disa politikanë amerikanë të kërkojnë kufizime të gjera të udhëtimit nga dhe drejt Rusisë.

“Jemi në dijeni të raportimeve për një rast të dyshuar të murtajës pneumonike me pasojë vdekjen në rajonin e Irkutskut, në Rusi”, tha më 4 tetor një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Po e ndjekim nga afër situatën, në koordinim me Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe agjencitë e tjera partnere”, tha ai.

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje autoriteteve ruse që “të ndajnë informacione të sakta, shpejt dhe në mënyrë transparente”.

Ai theksoi se murtaja mund të trajtohet me antibiotikë që janë gjerësisht të disponueshëm, veçanërisht nëse trajtimi nis herët.

Edhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore konfirmoi se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) po bashkëpunojnë me Departamentin e Shtetit.

Sipas tij, siguria e qytetarëve amerikanë mbetet “prioriteti më i lartë” i departamentit.

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë se po bashkëpunojnë me Departamentin e Shtetit, pas raportimeve për një vdekje nga murtaja në Rusi.
Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë se po bashkëpunojnë me Departamentin e Shtetit, pas raportimeve për një vdekje nga murtaja në Rusi.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi, po ashtu, se po ndjek zhvillimet dhe masat e karantinës të ndërmarra nga Rusia.

Zyrtarë të lartë të administratës u thanë gazetarëve se Qeveria është në dijeni të raportimeve dhe se po shqyrton mënyrat e mundshme të reagimit.

Aktualisht nuk ka fluturime të drejtpërdrejta komerciale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ndërsa Uashingtoni nuk ka njoftuar masa shtesë për kufizimin e udhëtimeve për shkak të rastit të dyshuar.

Shqetësimet rriten

Raportimet kanë nxitur shqetësime te disa ligjvënës, përfshirë edhe për shkak të historisë së Rusisë me kërkimet për armë biologjike.

Kongresisti republikan nga Nebraska, Don Bacon, anëtar i lartë i Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, i ndërlidhi raportimet me pretendimet e kahershme të Rusisë se laboratorët në Ukrainë, të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të përfshirë në kërkime për armë biologjike.

“Mbaj mend se dëgjoja nga zërat kundër Ukrainës për të ashtuquajturit laboratorë biologjikë. Ishin operacione dezinformuese ruse në formën e tyre më të mirë. Por, në të vërtetë, është Rusia ajo që ka laboratorë biologjikë”, shkroi Bacon në rrjetet sociale.

Rusia ka akuzuar prej kohësh Uashingtonin dhe Kievin se udhëheqin objekte për zhvillimin e armëve biologjike në Ukrainë.

Të dyja qeveritë i kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe hetimet e pavarura nuk kanë gjetur prova që i mbështesin ato.

Bashkimi Sovjetik, megjithatë, kishte një program të gjerë ofensiv të armëve biologjike gjatë Luftës së Ftohtë, pavarësisht se ishte palë e Konventës së vitit 1972 për Armët Biologjike.

Dëshmitë e personave që u larguan nga Bashkimi Sovjetik dhe hetimet e mëvonshme dokumentuan kërkime ushtarake me patogjenë, përfshirë bakterin e murtajës, si dhe përpjekje për zhvillimin e varianteve rezistente ndaj antibiotikëve.

Kjo histori është bërë edhe pjesë e debatit politik rreth rastit në Irkutsk.

Megjithatë, nuk ka prova publike se laboratori i përfshirë në incidentin aktual po zhvillonte murtajën si armë, apo se vdekja e punonjësit kishte lidhje me ndonjë program ofensiv të armëve biologjike.

Çfarë ndodhi në Irkutsk?

Në qendër të rastit është Darya Shipilova, një teknike laboratori 28-vjeçare në Institutin kundër Murtajës në Irkutsk.

Mediumi i pavarur siberian “Lyudi Baikala” raportoi se Shipilova kishte thyer aksidentalisht një epruvetë që përmbante bakterin e murtajës pneumonike, më 25 shtator, derisa po punonte në institut.

Sipas raportimit, gjendja e saj shëndetësore më pas u përkeqësua dhe ajo vdiq më 2 tetor.

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar publikisht këtë version të ngjarjes.

Instituti Kërkimor kundër Murtajës në Irkutsk.
Instituti Kërkimor kundër Murtajës në Irkutsk.

Çfarë është murtaja pneumonike?

Murtaja shkaktohet nga Yersinia pestis, një bakter që zakonisht qarkullon mes brejtësve të egër dhe pleshtave.

Forma pneumonike e sëmundjes prek mushkëritë dhe mund të transmetohet nga një person te tjetri përmes pikëzave respiratore gjatë kontaktit të afërt.

Sëmundja mund të përparojë me shpejtësi, por antibiotikët modernë mund të jenë shumë efektivë nëse trajtimi nis në kohë.

Përgatiti: Valona Tela
​
XS
SM
MD
LG