Ndërlidhjet

Pompeo u bën thirrje vendeve të përballen me "tiraninë" e Kinës


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u bëri thirrje vendeve aleate të kundërshtojnë aspiratat "hegjemoniste" të Partisë Komuniste të Kinës.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara "nuk mund të injorojnë më ndryshimet themelore politike dhe ideologjike midis vendeve tona".

Në një fjalim, Pompeo tha se Kina nuk mund të trajtohet më si një "vend normal".

"Ne, kombet e lira të botës, duhet të nxisim ndryshime në sjelljen e Partisë Komuniste kineze, sepse veprimet e Pekinit kërcënojnë popullin tonë dhe prosperitetin tonë," tha Pompeo në një fjalim në Bibliotekën Nixon, në vendlindjen e ish-presidentit amerikan, Richard Nixon, në Yorba Linda të Kalifornisë.

Nixon ishte president në vitet 1969-74 dhe hapi rrugën për krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Kinën komuniste më 1979.

"[Ish-presidenti] Richard Nixon kishte të drejtë kur shkroi në vitin 1967 se ‘bota nuk mund të jetë e sigurt derisa Kina të ndryshojë’. Tani ne duhet t’i dëgjojmë me vëmendje fjalët e tij", tha Pompeo.

Pompeo tha se angazhimi me dekada në raportet më Kinën nuk kishte prodhuar rezultatet e pritura të bashkëpunimit dhe një Kinë më demokratike.

"Bota e lirë duhet të triumfojë mbi këtë tirani të re", tha Pompeo.

Tensionet në rritje mes SHBA-së dhe Kinës

Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë tensionuar në lidhje me trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e Kinës, të drejtat dhe liritë e njeriut në Hong Kong, mosmarrëveshjet tregtare dhe pretendimet e Pekinit mbi Detin e Kinës së Jugut.

Më 22 korrik, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kinës që të mbyllë konsullatën e saj në Hjuston të SHBA-së. Pekini tha se e dënon këtë veprim dhe paralajmëroi hakmarrje.

Pompeo tha se konsullata në Hjuston ka qenë "një qendër e spiunimit dhe vjedhjeve të pronës intelektuale".

Mediat lokale kanë raportuar se, të martën në mbrëmje në oborrin e konsullatës, janë djegur dokumente.

Kundërpërgjigja e Kinës nuk ka vonuar.

Të premten, Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jugperëndimor të Chengdu.

Kina tha se masa ishte një "përgjigje e nevojshme" për SHBA-në.

"Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk dëshiron ta shohë, dhe SHBA-ja mban të gjithë përgjegjësinë për këtë", thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Konsullata amerikane në Chengdu, e cila është themeluar në vitin 1985 dhe aktualisht ka më shumë se 200 anëtarë të stafit, ka një rëndësi strategjike për shkak të afërsisë së saj me Tibetin.

Çështje e hapur mes Perëndimit dhe Kinës është edhe teknologjia 5G, por edhe mbrojtja e pronësisë intelektuale, veçanërisht pasi Departamenti i Drejtësisë në SHBA njoftoi se ishte ngritur aktakuzë kundër dy hakerëve të lidhur me Qeverinë kineze.

Autoritetet e SHBA pretendojnë se këta hakerë, morën pjesë në një fushatë shumëvjeçare të spiunazhit kibernetik.

Sipas aktakuzës, hakerët gjithashtu shënjestruan kompani që zhvillojnë vaksina kundër koronavirusit, dhe ata arritën të vidhnin pronën intelektuale dhe sekrete tregtare nga kompani në të gjithë botën, vlera e të cilave vlerësohet në qindra miliona dollarë.

Uashingtoni gjithashtu ka rritur presionin ndaj Kinës për shkeljen e të drejtave të njeriut në rajonin e Xinjiang, ku Kina ka po i mban më shumë se 1 milion myslimanë ujgurë dhe grupe të tjera, në kampe internimesh dhe burgje.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG