Ndërlidhjet

Mattis nuk ka njohuri për vrasjen e mercenarëve rusë nga amerikanët


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, thotë se nuk ka njohuri se nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara janë vrarë dhjetëra ushtarë mercenarë rusë në Siri, megjithqë ai ka parë raporte në media për vrasjet e këtilla.

Pentagoni tha se nga sulmet në Deir al-Zor të Sirisë, javën e kaluar, janë sulmuar trupat qeveritare të Sirisë, që e kishin sulmuar një bazë të forcave amerikane dhe atyre opozitare siriane, duke i vrarë afro 100 sulmues.

“Kjo tash po raportohet në shtyp”, tha Mattis dhe ka shtuar se “nuk kam asnjë raport se disa rusë, që nuk janë ushtarë të Federatës Ruse, por kontraktorë rusë, ishin në mesin e viktimave”.

“Ne nuk e kemi marrë këtë njoftim në Komandën Qendrore ose në Pentagon”, tha Mattis.

Një zdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, po ashtu, ka thënë se nuk ka njohuri për ndonjë vrasje të rusëve në sulmin më 7 shkurt.

Por, mediat kanë raportuar se farefisi dhe kolegët e ushtarëve mercenarë rusë kanë thënë se dhjetëra rusë mund të jenë vrarë nga sulmet.

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se i kishte lansuar sulmet ajrore, pasi më se 500 sulmues e kishin filluar atë që duket se ishte sulm i koordinuar, kundër një baze të forcave opozitare siriane, të shoqëruara nga këshilltarët amerikanë në Deir al-Zor.

I pyetur mbrëmë gjatë një dëgjimi në Komitetin e Inteligjencës të Senatit të Shteteve të Bashkuara, nëse ka ndodhur ndonjë vrasje e mercenarëve rusë, drejtori i agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha pa elaboruar se “nga perspektiva e inteligjencës, ne kemi parë në shumë raste forcat e jashtme duke i përdorë mercenarët në beteja, që do të fillojnë tu qasen Shteteve të Bashkuara”.

Më herët, Pentagoni ka refuzuar t’i identifikojë 100 ushtarët, për të cilët tha se ishin vrarë nga sulmet ajrore amerikane.

“Nuk do të spekulojë për kompozicionin e kësaj force ose nën kontrollin e kujt ishte ajo”, tha gjeneral Jeffrey Harrigian, zëdhënës i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara dhe ka shtuar se “ne jemi të fokusuar në armikun e vetëm: IS-in”.

Mëtutje ai theksoi se “ushtria amerikane nuk synon luftë me dikë tjetër, por siç ka thënë sekretari Mattis javën e kaluar - nëse ju na kërcënoni ne, do të jetë dita juaj më e gjatë dhe më e vështirë”.

Gjatë fundjavës, janë paraqitur raporte në blogjet ruse dhe tjetër kund, se një numër i panjohur i ushtarëve rusë me kontratë janë vrarë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ka thënë se asnjëri prej ushtarëve të vet nuk ishte në atë territor dhe ka sugjeruar se luftëtarët e Qeverisë së Sirisë ndoshta kanë dështuar t’i koordinojnë aksionet e tyre me ushtrinë ruse.

Zyrtarët amerikanë thanë, po ashtu, se gjatë sulmit të tyre ata ishin në kontakt me ushtrinë ruse, nëpërmjet linjës speciale “të nxehtë” të krijuar nga të dy palët për evitimin e incidenteve armiqësore ndërmjet dy armatave.

Conflict Intelligence Team me seli në Moskë, që e monitoron përfshirjen ruse në konfliktet në Siri dhe Ukrainë, i ka identifikuar tre rusë, për të cilët tha se ishin në mesin e atyre që janë vrarë.

Organizata Cossack në Kaliningrad të Rusisë nëpërmjet postimit në mediat sociale, tha se një pjesëtar i vet është vrarë, po ashtu.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se intervenimi i Rusisë në Siri, që ka filluar në fund të vitit 2015, është në rënie e sipër dhe në dhjetor të vitit të kaluar ka urdhëruar që të tërhiqen ushtarët e uniformuar rusë.

Njëherësh, një numër i panjohur i rusëve, që punojnë për kompanitë private ushtarake, kanë shërbyer së bashku me trupat e rregullta ruse. Kompania, PWC Vagner, në Shën Petersburg, ishte njëra nga më të njohurat.

E përditshmja ruse, Novaya Gazeta, tha se 13 rusë ishin vrarë në sulm, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur.

Agjencia Bloomberg, duke i cituar dy rusë të paemëruar, ka raportuar se më tepër se 200 ushtarë me kontratë janë vrarë në sulm.

E përditshmja New York Times, e ka cituar një oficer ushtarak sirian, që ka thënë se afro 100 ushtarë rusë janë vrarë.

I pyetur për këto raporte, Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u tha dje gazetarëve në Moskë, se Qeveria ka njohuri vetëm për aksionet e ushtrisë së Rusisë në Siri.

“Ne nuk kemi informacion për rusët e tjerë, që mund të jenë në Siri”, tha Peskov.

Raportet për vrasjet e rusëve në një incident në Deir al-Zor, janë paraqitur në periudhën e tensioneve të vazhdueshme në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve për Sirinë dhe disa çështje të tjera.

Këto raporte u paraqitën edhe para zgjedhjeve presidenciale më 18 mars në Rusi, në të cilat gjërësisht pritet që Putin do ta sigurojë edhe mandatin e katërt të presidentit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG