Ndërlidhjet

Lufta civile në Siri: Tensione të larta midis SHBA-së dhe Rusisë


Gjenerali amerikan, Joseph Dunford
Gjenerali amerikan, Joseph Dunford

Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Joseph Dunford, tha se SHBA-ja është duke punuar për rivendosjen e komunikimit me ushtrinë e Rusisë.

Moska tha se i ka ndërprerë kontaktet me ushtrinë amerikane rreth Sirisë, pasi një avion amerikan rrëzoi të dielën një avion luftarak të ushtrisë siriane.

Edhe SHBA-ja, edhe Rusia kryejnë sulme ajrore në Siri kundër, siç thonë, grupeve terroriste.

E ashtuquajtura linjë e komunikimeve për parandalimin e përplasjeve ajrore midis tyre u ndërpre po ashtu.

Ne do të punojnë në mënyrë diplomatike dhe ushtarake në orët në vijim për të rivendosur komunikimin dhe për të ulur tensionet”, tha gjenerali Joseph Dunford.

Gjëja më e keqe që ne mund të bëjmë tani është ta hiperbolizojmë situatën”, shtoi ai.

Dunford tha se qëllim i ushtrisë amerikane është të shkatërrojë grupin ekstremist Shteti Islamik.

"Federata Ruse ka deklaruar se qëllimi i saj në Siri, ashtu sikurse i yni, është mposhtja e Shtetit Islamik, andaj në orët e ardhshme do të shohim nëse kjo është e vërtetë ", tha Dunford.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më herët ka thënë se ka pezulluar linjën e komunikimeve me Shtetet e Bashkuara, pasi Pentagoni nuk e ka shfrytëzuar atë përpara se ta rrëzonte aeroplan luftarak sirian, më 18 qershor.

Pavarësisht këtyre pretendimeve nga ana e Rusisë, Dunford tha se linja komunikuese është përdorur "gjatë orëve të fundit".

Rusia gjithashtu ka paralajmëruar se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore do të fillojnë identifikimin e të gjithë aeroplanëve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri. Kjo ka bërë që Pentagoni t’i zhvendosë disa aeroplanë.

"Ne kemi marrë vendime të matura për të ripozicionuar aeroplanët në Siri, në mënyrë që të vazhdojmë luftimin e forcave të Shtetit Islamik, duke garantuar sigurinë e aeroplanëve tanë", tha zëdhënësi i Pentagonit, Adrian Rankine-Galloway.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se Shtetet e Bashkuarado të bëjnë atë që munden në mënyrë që të mbrojnë interesat e vendit”, duke shtuar se Uashingtoni do të mbajë linjë të hapur të komunikimeve me rusët.

"Përshkallëzimi i armiqësive në mesin e shumë fraksioneve që veprojnë në këtë rajon, nuk do të ndihmojë askënd", tha Spicer.

Moska ka kërcënuar me heqjen e linjës së komunikimeve edhe pas sulmit raketor të SHBA-së në një bazë ajrore të Sirisë, më 7 prill. SHBA ka vepruar atëbotë pas dyshimeve se Qeveria siriane ka kryer sulm kimik kundër civilëve.

Linja e komunikimit shihet si mjet jetik dhe është krijuar prejse Rusia është bërë pjesë e luftës civile në Siri, në fund të vitit 2015, në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Linja komunikuese lidh zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe homologët e tyre rusë që veprojnë në Siri, në një qendër të Katarit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

XS
SM
MD
LG