Ndërlidhjet

SHBA: Kryesuesi Ryan dëshiron lëvizje më të shpejtë për sanksionet ruse


Paul Ryan
Paul Ryan

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, ka thënë se dëshiron lëvizje më të shpejtë për legjislacionin e Senatit, me të cilin imponohen sanksione të reja kundër Rusisë dhe Iranit, derisa komitetet e Kongresit punuan për zgjidhjen e çështjes proceduarale që e kishte bllokuar këtë dokument.

Ne vetëm dëshirojmë që të lëvizim”, u tha gazetarëve zoti Ryan, republikan nga Viskonsini, dhe ka shtuar se “i mbështes sanksionet”.

Mëtutje ai theksoi se kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, Ed Royce, “ka indikuar se dëshiron të lëvizet shpejtë dhe ne dëshirojmë ta respektojmë këtë”.

Ky legjislacion në Senat ka kaluar bindshëm: 98 vota për dhe vetëm dy kundër, por hasi në pengesë në Dhomën Përfaqësuese këtë javë, kur ligjvënësit gjetën se me këtë dokument shkelet parimi në Kushtetutën amerikane se çfarëdo legjislacioni, me të cilin rriten të ardhurat e Qeverisë, duhet ta ketë origjinën në Dhomë.

Ndihmësit në Kongres thanë se sanksionet ose gjobitjet kundër vendeve të tjera, sikur ato në këtë legjislacion, mund të interpretohen se kanë ndikim në të ardhurat e Qeverisë amerikane.

Zoti Ryan tha se çështja procedurale duhet të zgjidhet para se Dhoma të ndërmarrë aksion për këtë legjislacion.

Republikani Kevin Brady, kryesues i Komitetit për mënyrat dhe mjejet e Dhomës Përfaqësuese, u tha gazetarëve se Senatit i ka dërguar sugjerim për ndryshim në legjislacion, i cili do ta zgjidhë problemin procedural.

Sipas tij, ndryshimi do t’i lejoj Senatit fillimin “e një procesi shumë të thjeshtë për ta tërhequr prapa legjislacionin, ta ndryshojë atë dhe pastaj ta dërgojë për procedurë të mëtejshme”.

Liderët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit thanë se ndryshimet nuk duket se e ndryshojnë në mënyrë substanciale legjislacionin dhe se ekipet e tyre po e rishqyrtojnë atë për të vendosur se si të lëvizet përpara.

Disa ligjvënës thanë se Shtëpia e Bardhë ishte e shqetësuar për dispozitën në legjislacionin e Senatit sekërkohet që presidenti, Donald Trump, të sigurojë miratim të Kongresit, para se eventualisht t’i lehtësojë çfarëdo sanksionesh kundër Rusisë.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, javën e kaluar, ka kërkuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të siguroj se pakoja e sanksioneve i mundëson zotit Trump fleksibilitet për harmonizim të sanksioneve, nëse përmirësohet sjellja e Rusisë në Ukrainë, Siri ose hapësirat e tjera, që janë në shënjestër të sanksioneve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se administrata synon të punojë me Kongrsin për disa pjesë të legjislacionit.

Por, demokratët janë shprehur kundër zbutjes së legjislacionit, me të cilin synohet ndëshkim i Moskës për dyshime lidhur me përzierje në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar dhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe armatimin e Sirisë.

Përpjekjet e republikanëve në Dhomë për ta penguar dhe dobësuar legjislacionin dypartiak për sanksione kundër Rusisë në Senat, nuk është vetëm papërgjegjësi; kjo e rrezikon sigurinë tonë kombëtare dhe e kërcënon demokracin tonë”, tha liderja demokrate në Dhomën Përfaqësuese, Nancy Pelosi.

Zoti Ryan tha se ai nuk e din nëse Dhoma do ta dërgojë legjislacionin nëpërmjet një debati formal të korrigjimit dhe procesit të amandamentimit.

Një proces i tillë do të zgjaste disa muaj.

Dhoma Përfaqësuese ka të drejtë që ligjvënësit eventualisht ta përpilojnë një legjislacion të tyre, nëse e dëshirojnë një gjë të tillë.

Së bashku me imponimin e sanksioneve kundër Rusisë, për dyshime lidhur me përzierjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, pastaj për ndërhyrjet në Ukrainë dhe Siri, legjislacioni i Senatit do t’i forcojë sanksionet ekzistuese kundër Rusisë, duke i shndërruar në ligj.

Ky legjislacion, po ashtu, do të impononte sanksione të detyrueshme kundër njerëzve të përfshirë në programin e raketave balistike iraniane dhe zbatimin e sanksioneve për terrorizëm kundër njësiteve të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG