Ndërlidhjet

SHBA: Inteligjenca thotë se Putin i ka urdhëruar sulmet kibernetike


Vladimir Putin
Vladimir Putin

Agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kishin konkluduar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka urdhëruar fushatën e sulmeve kibernetike për ta ndihmuar republikanin, Donald Trump, dhe për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në një raport të ri të fshehtë, të publikuar mbrëmë nga Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, thuhet se përpjekjet synonin ta ndihmonin zotin Trump, duke e diskredituar rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit.

Ne vlerësojmë se presidenti rus,Vladimir Putin, ka urdhëruar një fushatë ndikuese në vitin 2016 në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara”, theksohet në raportin prej 25 faqeve dhe shpjegohet se “qëllimet e Rusisë ishin për ta shkatërruar besimin publik në procesin demokratik të Shteteve të Bashkuara, për ta denigruar sekretaren Clinton, dhe për ta dëmtuar zgjedhshmërinë e saj dhe presidencën potenciale”.

“Ne më tutje, vlerësojmë se Putini dhe Qeveria ruse e kanë zhvilluar një preferencë të qartë për presidentin e zgjedhur Trump”, theksohet në raport dhe shtohet se “ne kemi besim të lartë në këto gjykime”.

Rritje e alarmit në Uashington

Ky raport u publikua në periudhën e rritjes së alarmit në mesin e politikë-bërësve dhe ligjvënësve në Uashginton për fushëveprimin dhe qëllimin e depërtimeve kibernetike ruse, gjatë fushatës zgjedhore amerikane, vitin e kaluar.

“Kur në Moskë ishte konsideruar se sekretarja Clinton me gjasë do t’i fitonte zgjedhjet, fushata e ndikimit rus kishte filluar më tepër të fokusohet në shkatërrimin e presidencës së saj të ardhshme”, thuhet në raport.

Më tutje, në këtë dokument, shkruan se inteligjenca ruse kishte depërtuar në disa sisteme të bordeve zgjedhore shtetërore dhe lokale. Por, Departamenti i sigurisë së brendshme kishte konluduar se sistemet që ishin në shënjestër ose të rrezikuara, nuk ishin të involvuara në numërimin e votave.

Në raport, po ashtu, konstatohet se mediat shtetërore ruse, përfshirë agjencinë e lajmeve, Sputnik, dhe rrjetin televiziv ndërkombëtar RT, “kishin kontribuar në fushatën për ndikim” duke e promovuar Trumpin dhe “duke shërbyer si platformë për mesazhet e Kremlinit tek audienca ruse dhe ndërkombëtare”.

Për këtë raport nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga Kremlini, megjithqë zyrtarët rusë, në të kaluarën, disa herë kanë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Linjat telefonike me Ambasadën e Rusisë në Uashington ishin të zëna gjatë ditës së djeshme, ndërsa një zëdhënës nuk është përgjigjur menjëherë në një email të korrespondentëve të Radios Evropa e Lirë për koment.

Trump: Gjueti politike e shtrigave

Nga ana tjetër, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, që ka marrë një qëndrim ofensiv në çështjen e sulmeve kibernetike ruse, e cila e ka ndjekur atë prej se ka fituar në zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, në nëntor të vitit të kaluar, ka shprehur përkushtim për ndërmarrje të aksionit agresiv për ndaljen e sulmeve kibernetike.

Pas një informimi të mbrëmëshëm nga zyrtarët e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, për konkluzën e tyre se Rusia kishte ndërmarrë sulme kibernetike kundër zgjedhjeve amerikane, zoti Trump tha se ka kërkuar nga ekipi i tij që ta zhvilloj një plan gjatë 90 ditëve të para të presidencës së tij, që fillon më 20 janar, me qëllim “të luftës agresive dhe ndaljes së sulmeve kibernetike”.

Mëtutje ai theksoi se “metodat, mjetet dhe taktikat” e sigurisë nuk duhet të jenë “diskutim publik, nga i cili do të përfitonin ata që synojnë” t’i dëmtojnë Shtetet e Bashkuara.

Në kumtesën e tij, zoti Trump ka pranuar se “Rusia, Kina dhe vendet e tjera, grupe të jashtme dhe njerëz të tjerë” në mënyrë të vazhdueshme përpiqen të depërtojnë në rrjetet amerikane, përfshirë Komitetin Kombëtar Demokratik (DNC). Por, ai nuk e ka përmendur ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Emailat e vjedhur nga DNC-ja më vonë janë publikuar nga faqja në Internet, WikiLeaks, dhe çdokund tjetër, duke i zemëruar pa masë udhëheqësit e lartë patriakë demokratë. WikiLeaks i ka hedhur poshtë pretendimet se dokumentet i ka marrë nga Rusia.

Zoti Trump, në një intervistë, e ka kritikuar shqetësimin në Uashignton lidhur me akuzat ndaj Rusisë, duke i cilësuar ato si “gjueti politike e shtrigave”.

Në një intervistë për të përditshmen, New York Times, zoti Trump ka thënë se shtetet e tjera, ose individët, mund të kenë pasur dorë në sulme.

“Kina, relativisht kohëve të fundit, ka ndërhyrë në 20 milionë emra qeveritarë”, i ka thënë Trump gazetës, duke iu referuar vjedhjes së miliona dosjeve të personelit të qeverisë federale në vitet 2014 dhe 2015.

“Si ka ndodhur që askush bile nuk flet për këtë; kjo është gjueti politike e shtrigave”, i tha Trump gazetës, New York Times.

Kjo intervistë është dhënë para publikimit të raportit të inteligjencës amerikane dhe pak kohë para se zoti Trump e kishte pasur një takim me zyrtarët më të lartë të inteligjencës, përfshirë drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper.

Në kumtesën pas takimit, zoti Trump ka vlerësuar se takimi ishte “konstruktiv”.

Megjithatë, ai specifikisht nuk është marrë me gjetjet se qeveria e Rusisë i ka drejtuar sulmet kibernetike. Në vend të kësaj, ai kumtoi vetëm se Rusia, Kina, dhe të tjerët, “në mënyrë të vazhdueshme janë përpjekur të depërtojnë në institucionet e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.

Absolutisht nuk ka pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve, përfshirë faktin se nuk ka pasur ndërhyrje të çfarëdo lloji në makinat e votimit”, tha Trump.

Clapper: Përpjekje direkte dhe agresive

Raporti i agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, po ashtu, sugjeron se mësimet që zyrtarët rusë i kanë marrë nga sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara, me gjasë do të përsëriten në të ardhmen, e kjo mund të ndodhë në zgjedhjet kryesore evropiane, të planifikuara të mbahen këtë vit.

Më 5 janar, zoti Clapper ka dëshmuar para njërit prej tri komiteteve të Senatit amerikan, që po zhvillojnë hetime për akuzat ndaj Rusisë, duke thënë se zyrtarët e inteligjencës ishin edhe më tepër të “vendosur” për konkludimet e tyre, tash se sa ishin në tetor të vitit të kaluar, kur ishte publikuar vlerësimi i parë publik.

“Nuk mendoj se ndonjëherë deri tash ne kemi hasur në përpjekje më direkte dhe më agresive për të ndërhyrë në proceset tona zgjedhore se kësaj radhe”, tha James Clapper, në dëgjimin në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG