Ndërlidhjet

Të shtëna vdekjeprurëse në një shkollë në Teksas


Policia amerikane pranë shkollës ku ndodhën të shtënat në Teksas.
Policia amerikane pranë shkollës ku ndodhën të shtënat në Teksas.

Katërmbëdhjetë fëmijë dhe një mësues u vranë gjatë të shtënave në një shkollë fillore në Teksas të martën, tha guvernatori Greg Abbott.

Sulmuesi, 18-vjeçar po ashtu ka vdekur, tha guvernatori. Sulmuesi, një banor lokal, hapi zjarr në shkollën fillore Robb në Uvalde, qytet që gjendet afër 136 kilometra në perëndim të San Antonios.

“Ai qëlloi me armë dhe vrau në mënyrë të pakuptueshme 14 nxënës dhe një mësues”, tha guvernatori.

Një punëtore e shkollës në Uvalde duke biseduar me nënën e një prej nxënësve të kësaj shkolle ku ndodhën të shtëna. Teksas, 24 maj 2022.
Një punëtore e shkollës në Uvalde duke biseduar me nënën e një prej nxënësve të kësaj shkolle ku ndodhën të shtëna. Teksas, 24 maj 2022.

Sulmuesi, banor lokal, hyri në shkollë duke bartur një armë zjarri, me gjasë një pushkë, dhe hapi zjarr, tha Abbott. Ai tha se sulmuesi me gjasë u vra nga zyrtarët policorë, por ende janë duke u zhvilluar hetime për të qartësuar këtë ngjarje.

Spitali Uvalde Memorial tha më herët se 13 fëmijë ishin transportuar me ambulancë ose autobus dhe një tjetër spital tjetër raportoi se një grua 66 vjeçe ishte në gjendje kritike. Ende është e paqartë sesa persona janë të plagosur nga të shtënat.

Shkolla ku ndodhi të shtënat ka afër 600 nxënës. Autoritetet thanë se të gjitha shkollat në këtë zonë u mbyllën pas të shtënave.

Të shtënat në Teksas vijnë më pak se dy javë pasi një sulmues hapi zjarr në një supermarket në Bufallo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 afrikano-amerikanë. Autoritetet thanë se sulmi në Nju Jork ishte krim i urrejtjes.

Qyteti Uvalde në Teksas është shtëpi e 16,000 banorëve. Ky qytet gjendet rreth 120 kilometra larg kufirit me Meksikën.

XS
SM
MD
LG