Ndërlidhjet

Shëndeti oral i fëmijëve, nën nivel


Ilustrim
Ilustrim

Shëndeti oral tek fëmijët në Kosovë nuk është në nivelin e kënaqshëm. Në hulumtimin e bërë këtë vit nga projekti “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, mbi gjendjen e shëndetit oral tek grupmoshat dy deri në tetë vjet, rezultatet, thuhet se janë shqetësuese.

Xheladin Ujkani, udhëheqës i këtij projekti thotë se tash e disa vite ka hyrë në fuqi projekti për kontrollime sistematike te fëmijët për shëndetin oral.

“Fëmijëve të cilëve ua kemi kontrolluar dhëmbët, e që janë fëmijë të moshës 2 deri në 8 vjet, tek të cilët janë ende të pranishëm shumica e dhëmbëve të qumështit, në mesatare kanë mbi 7 dhëmbë të prishur të qumështit. Prej tyre, 9 fëmijë kanë dhëmbë të shëndoshë, 56 fëmijë kanë nga 1-5 dhëmbë të prishur, 58 fëmijë kanë nga 6-10 dhëmbë të prishur, 33 fëmijë kanë nga 6-10 dhëmbë të prishur, 33 fëmijë kanë nga 16-20 dhëmbë të prishur, ndërsa 2 fëmijë kanë nga 20 dhëmbë të prishur”, tha Ujkani.

Në Ditën ndërkombëtare të shëndetit oral flasin edhe vetë fëmijët se sa ata dinë të kujdesen për dhëmbët e tyre.

Tuana Krasniqi, 8-vjeçare thotë se di mjaft se si duhet mbrojtur dhëmbët nga dëmtimet.

“Unë kujdesem për shëndetin oral shumë mirë. Dy herë në ditë i pastroj dhëmbët. Një herë në mëngjes dhe një herë në mbrëmje. Por, nganjëherë edhe tri herë në ditë, varësisht prej nevojës”, thotë ajo.

Edhe Arona e cila vijon mësimin në klasën e parë, ka mësuar se dhëmbët mbrohen edhe përmes ushqimit. Ajo tregon çka duhet të hanë fëmijët që të kenë dhëmbë të shëndoshë.

“Duhet të hamë ushqime të shëndetshme, siç janë uji, qumështi, çaj kamomili, pemë e perime të freskëta. Por, nuk duhet t’i hamë ëmbëlsirat, farat me krip dhe biber, bonbonet, çipsat, pasi që dëmtohen dhëmbët”, thekson ajo.

Stomatologët thonë se duhet vetëdijesim më i madh i prindërve për t’u kujdesur për shëndetin oral të fëmijëve të tyre.

Shpresa Beka-Zakuti, stomatologe, tha për Radion Evropa e Lirë se në bazë të frekuencës së prindërve me fëmijët e tyre në ordinancën e saj, shihet se është një kategori e prindërve që kanë kulturën e shëndetit oral.

“Lidhur me higjienën gojore, mendoj se ka prindër që kujdesen për fëmijët e tyre. Vërehet se ka interesim në bazë të frekuencës që kam. Bëjnë vulosje të dhëmbëve dhe e parandalojnë kariesin, e që është shumë e rëndësishme. Fëmijët, sidomos 7-vjeçar e kanë kohën kur u prishen dhëmbët dhe vizitat dhe trajtimet i mbrojnë shumë. Iu preferoj të gjithëve që tri herë në ditë që t’i pastrojnë dhëmbët, e sidomos fëmijët, pasi u ndihmon shumë në ruajtjen e tyre”, tha Beka-Zakuti.

Për shëndetin oral flasin edhe vetë nënat e fëmijëve, të cilat thonë se me aq sa kanë mundësi iu kushtojnë kohë dhe kujdes dhëmbëve të fëmijëve të tyre, duke e marrë parasysh rëndësinë e shëndetit oral. Kështu thotë Valbona Mazreku, nënë e dy fëmijëve.

“Personalisht si fëmijë u kam kushtuar shumë rëndësi dhëmbëve. Kjo tregon që kam qenë fanatike e dhëmbëve të pastër dhe këtë kujdes jam munduar t’ua lë në trashëgimi edhe fëmijëve të mi të cilët kanë stomatologët e vetë, dhe i vizitojmë shpesh”, tha Mazreku.

Për një higjienë të rregullt gojore dhe dhëmbë të shëndoshë, stomatologët preferojnë që dhëmbët të pastrohen në mëngjes, gjatë ditë sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit.

XS
SM
MD
LG