Ndërlidhjet

Shërbime të veçanta shëndetësore për viktimat e dhunës seksuale


Nga instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Nga instalacioni “Mendoj për ty” i artistes Alketa Xhafa-Mripa, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kosova është vendi i katërt që do të nisë së zbatuari projektin për shërbime të veçanta shëndetësore për gra të dhunuara gjatë luftës, por edhe ato që në ditët e sotme kanë përjetuar apo përjetojnë dhunë në baza gjinore. Bosnje e Hercegovina, Iraku dhe Afganistan tashmë janë duke e zbatuar një projekt të ngjashëm.

Për zbatimin e këtij projekti është nënshkruar edhe një memorandum ndërmjet Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe organizatës “Medica Gjakova”, e cila u ofron ndihmë psiko-sociale viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe atyre që përjetojnë dhunë mbi baza gjinore.

Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, tha për Radion Evropa e Lirë se së shpejti do të trajnohen 16 mjekë dhe teknikë mjekësorë për t’i trajnuar më pas edhe 100 mjekë e infermierë të tjerë, në mënyrë që ata të avancohen në trajtimin e rasteve të ndjeshme ndaj stresit dhe traumës për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ky projekt zbatohet në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe përkrahet nga Qeveria gjermane. Projekti parasheh përmirësimin e jetës dhe mundësive për gratë që kanë përjetuar dhunë në baza gjinore dhe dhunë seksuale gjatë luftës. Ato kanë të drejtë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ndaj traumës dhe stresit”, tha Sada.

*Video nga arkivi: Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës

Dy rrëfime dhunimesh gjatë luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00

Bazuar në deklaratat e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, llogaritet se janë rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-99. Por, për shkak të paragjykimeve, janë vetëm raste të rralla kur personat që kanë përjetuar këtë dhunë kanë folur për historitë e trishta të tyre.

Ndër to, ishte edhe Vasfije Krasniqi-Goodman. Ajo përveç në Kosovë, ka folur për tmerrin që ka përjetuar edhe para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Shteteve të Bashkuara. Krasniqi-Goodman ka treguar se më 14 prill të vitit 1999, një zyrtar serb ka kërkuar për babanë dhe vëllezërit e saj dhe meqë ata nuk ishin në shtëpi, policët i kanë kërkuar Vasfijes që të shkonte bashkë me ata në stacionin policor për të dhënë deklaratë për burrat e asaj shtëpie.

“Më kujtohet gjithçka. Ai më ka drejtuar armën, më ka abuzuar dhe dhunuar disa herë. Kam qenë e shokuar dhe kam humbur vetëdijen. Kur më është kthyer vetëdija kam qarë pa kontroll dhe e kam lutur atë që të më vras. Ai më tha thënë: ‘Jo. Nuk do të të vras sepse kështu do të vuash më shumë'", ka thënë mes tjerash Krasniqi-Goodman.

Histori si kjo e Vasfije Krasniqi-Goodman kanë edhe gra tjera të dhunuara, të cilat presin që sado pak të kenë një përkujdesje institucionale nga institucionet shëndetësore të Kosovës.

Krahas viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, shërbime të veçanta parashihen edhe për kategoritë e dhunës mbi baza gjinore.

Vitin e kaluar, autoritetet e rendit kishin raportuar për më shumë se 1,130 raste të dhunës në familje, në të cilat pjesa më e madhe e viktimave janë femra.

Zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu bëri të ditur se tashmë është bërë edhe marrëveshje mirëkuptimi me shoqatën “Medica Gjakova”, për kujdesin shëndetësor për kategorinë që përfshin gratë që përjetojnë trauma të dhunës fizike dhe asaj seksuale.

Ai tha se projekti do të fillojë së zbatuari fillimisht në spitalin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës. Kurse për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Fazliu tha se ndonëse ka kaluar kohë e gjatë, traumat, sipas tij, zgjasin dhe ky nuk është projekti i parë i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që mbështet këtë kategori të shoqërisë.

“Shërbimet që i kanë marrë më herët kanë qenë shërbime shëndetësore e që kanë qenë me prioritet. Ndërkaq, ky memorandum jep mundësi që shërbimet shëndetësore, por edhe shërbimet tjera, siç është edhe nevoja për psikologë... Pra që ta kenë qasjen më të lehtë për trajtim nga aspekti psikologjik”, tha Fazliu.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin i cili ua njeh viktimave të dhunës seksuale statusin e viktimës, duke u mundësuar atyre disa përfitime të caktuara dhe një pension prej 230 euro në muaj.

Deri më tani, më shumë se 1000 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Ky status u është pranuar 406 personave, prej të cilëve 394 janë gra dhe 12 meshkuj.

XS
SM
MD
LG