Ndërlidhjet

Viktima e dhunës seksuale në Kosovë: Burrin e kam mbështetjen më të fuqishme


Ilustrim
Ilustrim

Hajdari nga rrethina e Klinës, dy herë në muaj, udhëton mbi 60 kilometra deri në Gjakovë, për t’ia mundësuar gruas dhe vajzës së tij shërbimet e Shoqatës “Medica Gjakova”. Kjo shoqatë ofron këshilla psiko-sociale dhe shërbime shëndetësore për gratë, të cilat, ndër të tjera, kanë qenë të abuzuara seksualisht gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Bashkëshortja e Hajdarit, Lulja, e cila atë kohë ishte shtatzënë, si dhe vajza e mitur Shpresa, janë dhunuar nga pjesëtarët e forcave paramilitare serbe.

Hajdari është një nga burrat e rrallë në Kosovë, i cili çdo ditë përpiqet ta ndihmojë bashkëshorten dhe vajzën e tij, pas asaj përvoje të hidhur.

Çfarë të bëj. Tashmë ka ndodhur kjo. Tash, kah t’ia mbaj? Nuk mund ta zhbëjë njeriu këtë që ka ndodhur dhe duhet të pajtohet edhe me të këqijat. Kështu na e ka shkruar Zoti”.

Lulja, e cila ishte viktimë e dhunimit nga pjesëtarët e forcave paramilitare serbe, thotë se bashkëshorti i saj e ka mbështetur pas gjithë asaj që i kishte ndodhur.

Gjithmonë e kam pasur përkrahje. Gjithmonë më ka ndihmuar, më ka folur dhe thënë shkurt, më ka mbajtur pavarësisht asaj që na ka ndodhur”, tha Lulja.

Ajo rikujton ngjarjen e kobshme për të dhe vajzën e saj, asokohe të mitur.

Lulja me bashkëshortin dhe vajzën e saj, gjatë luftës në Kosovë, netët i kalonin në afërsi të shtëpisë, duke besuar se ishte vend i sigurt. Lulja dhe vajza e saj Shpresa, atë mëngjes ishin nisur drejt shtëpisë së tyre për tu kujdesur për bagëtinë. Pas pak kishin arritur forcat paraushtarake serbe.

Vetëm kanë kërcitur dyert dhe janë futur brenda një mori prej tyre. mua më morën në njërën dhomë, e vajzën e kanë futur në dhomën tjetër. Ne u humbëm, nuk e dinim më as çfarë po ndodhë. Vetëm prisnim kur do të na e këpusnin kokën me thika. Nuk e mendonim atë që do të ndodhte, por thamë se kanë hyrë të na vrasin. Na ka humbur vetëdija. Nuk kemi ditur më gjë, vetëm kur jemi zgjuar e kemi parë veten të zhveshura. Ata (paramilitarët) kishin shkuar. Kishin humbur, më nuk i pamë. E pashë vajzën që kishte mbetur aty, pa vetëdije. I hodha ujë. Ja kam larë sytë, e kam veshur dhe jemi nisur”.

Më pas Lulja i kishte treguar bashkëshortit të saj se çfarë kishte ndodhur dhe e përlotur rikujton reagimin e tij, i cili i kishte thënë se “e rëndësishme është se ju jeni gjallë”.

Me vonë Lulja e kishte humbur foshnjën, ndërkaq që ngjarjen e hidhur e dinë vetëm familjarët.

Aktualisht, Lulja dhe vajza e saj Shpresa, po përgatiten të aplikojnë për pranimin dhe verifikimin e statusit të personave të abuzuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, në mënyrë që të realizojnë benificionet e caktuara.

Në kujtim të viktimave të krimeve seksuale gjatë luftës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:05 0:00

Besohet se gjatë luftës në Kosovë kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual. Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të tillë t’iu rregullohet statusi. Por, që atëherë, shteti ka shkelur çdo afat kohor për zgjidhjen e statusit të tyre.

Së fundmi ekzistojnë paralajmërime që Komisioni i Qeverisë për pranim dhe verifikim të statusit të viktimave të dhunës seksuale, i sapoformuar, do të fillojë punën në shtator.

Minire Begaj, kryesuese e këtij Komisioni, që ka mandat pesëvjeçar, shpreson se do të ketë interesim, me vetë faktin se një nga nismat ka ardhur pikërisht nga organizatat joqeveritare.

Qëllimi i ligjit ka qenë mbrojtja institucionale për këtë kategori të shoqërisë. Është bërë një barazim social, është një barazim me të gjitha kategoritë tjera. Po shpresojmë që do të ketë interesim të tyre. Është me interes që afati i aplikimit është pesë vjet. Ligji në fuqi e njeh një afat pesëvjeçar edhe përkundër faktit që është një proces kompleks, është një proces i ndjeshëm dhe gradualisht me kohë, me vite, mund të arrihet te një pajtim dhe te një vullnet që me të vërtetë duhet të aplikojnë”.

Begaj ka shtuar se vendimi për çdo rast do të merret brenda 30 ditësh.

Katër organizata joqeveritare, të cilat janë marrë me këtë çështje, do të ndihmojnë në procesin e aplikimit nga ana e viktimave të dhunës seksuale. Një nga këto organizata është edhe Shoqata “Medica” nga Gjakova.

Mirlinda Sada, drejtuese e kësaj shoqate, thotë se aktualisht rreth 300 gra, viktima të dhunës seksuale, i shfrytëzojnë shërbimet e kësaj organizate.

Deri para 3 vjetësh, kjo temë ka qenë tabu, deri në kohën kur ish presidentja Atifete Jahjaga formoi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale... Tash po flitet për këtë temë. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se po flitet për këtë temë, por stigmatizimi është shumë i madh. Ende na nevojitet shumë punë që të punojmë për adresimin e stigmatizimit”.

Sada ka shtuar se disa gra që kanë qenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, deri më tash kanë vdekur. Por, sipas saj, ka pasur edhe mjaft raste kur gra të tilla viktima, kanë tentuar të vetëvriten, për shkak se nuk kanë pasur mbështetje ose nuk kanë folur fare për atë që ka ndodhur.

Atifete Jahjaga ka ftuar të gjitha viktimat e dhunës seksuale ta shfrytëzojnë të drejtën që ua ofron ligji, e njëkohësisht u ka bërë thirrje familjeve të tyre të ofrojnë mbështetje.

“Me këtë, jo vetëm që do të mbështesin anëtarët e familjeve të tyre, por edhe sakrificën që këto viktima kanë bërë; ato kanë sakrifikuar trupin e tyre në mënyrë që ne të jemi këtu ku jemi sot, duke shijuar lirinë dhe pavarësinë. Faji dhe turpi nuk u takon këtyre viktimave, por atyre që kanë kryer këtë krim mizor ndaj popullatës së pafajshme”, ka thënë ish presidentja Jahjaga për Radion Evropa e Lirë.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, qendër kjo e cila gjithashtu do të ndihmojë në procesin e aplikimit të viktimave të dhunës seksuale, thotë se është e rëndësishme që personat e tillë të kenë pensione të dinjitetshme, të cilat do t’i ndihmonin. Sipas saj, i gjithë procesi i aplikimit bëhet në fshehtësi të plotë.

Për ato gra të cilat nuk i kanë ndarë rrëfimet e tyre me familjet e veta, kjo do të jetë sfidë”, thekson Rushiti. Ajo shton se tashmë janë duke u bërë përgatitjet për fushatë, e cila do ta ngrejë vetëdijen lidhur me këtë çështje.

Hajdari mendon se shteti është dashur ta zgjidhë çështjen e statusit të këtyre grave, para se të merrej me cilëndo kategori tjetër të luftës.

Lulja ndërkaq porosit të gjithë personat me përvojë të ngjashmë të shfrytëzojnë mundësinë që ua ofron ligji.

“Është mëkat për një grua të heshtë dhe të mos e bisedojë me të shoqin atë që e mundon. Si mund ta quajnë veten burra ata që nuk mbështesin gratë e tyre në atë gjendje? Mua më vinte turp të vija në këtë organizatë, por im shoq më ka nxitur të vij dhe të bisedoj me viktimat tjera”, thotë Lulja.

“Do të vazhdoj t’i sjell këtu derisa të mundem. Kur nuk mundem, do ta gjej dikë që mundet. Më pëlqen kur vijnë në këtë organizatë, sepse kur kthehen në shtëpi, vijnë krejt ndryshe, me disponim më të mirë. Dua t’i shoh të lumtura. Vetëm ashtu mund ta shijoj praninë e tyre”, thotë Hajdari.

Përgatiti: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG