Nga sheshi i protestës në alternativë politike, a do ta ndjekë Shqipëria modelin serb?

Një person duke valëvitur një flamur të Shqipërisë gjatë protestës antiqeveritare të 24 tetorit 2026 në Tiranë.
Një person duke valëvitur një flamur të Shqipërisë gjatë protestës antiqeveritare të 24 tetorit 2026 në Tiranë.

Prej afro gjashtë muajsh, protestuesit në Tiranë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas aktivistëve dhe analistëve, vazhdimësia e protestës ka ushtruar presion si mbi qeverinë, ashtu edhe mbi opozitën.

Protesta nisi në maj si një lëvizje qytetare, e njohur si “Revolucioni Flamingo”. Fillimisht, qytetarët dolën në rrugë për të kundërshtuar projektin turistik në Zvërnec të Vlorës, të lidhur me Jared Kushner. Në fillim të tetorit, protestës iu bashkuan studentët dhe më pas pedagogët. Me zgjerimin e saj, grupe të ndryshme qytetare shprehën edhe pakënaqësi të grumbulluara ndër vite me qeverisjen e kryeministrit Rama.

Që në ditët e para të protestës është diskutuar mundësia që prej saj të dalë një alternativë politike. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Protestuesit thonë se kanë ndjekur nga afër lëvizje të ngjashme në Serbi dhe në vende të tjera. Ata vënë në dukje ngjashmëritë dhe dallimet me këto lëvizje, si edhe vështirësitë që mund të ndikojnë në vijimësinë e protestës në Shqipëri dhe në atë që ajo mund të arrijë.

Çfarë shohin protestuesit në Tiranë te përvoja serbe?

Zhaklinë Lekatari, aktiviste për të drejtat e njeriut, është në protestë që prej ditës së parë. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se protestuesit kanë ndjekur me vëmendje mënyrën se si janë organizuar protestat e studentëve në Serbi: taktikat e bllokimit të rrugëve, format e vetëmbrojtjes, mënyrat e përcjelljes së mesazheve dhe strategjitë për të nxitur pjesëmarrje më të gjerë.

Por sipas Lektarit, interesi për modelin e Serbisë u shtua pas organizimit politik të studentëve në Serbi në Listën Studentore dhe përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një alternativë të re politike.

Lista Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.

Çfarë presin serbët pasi partinë e Vuçiqit e çuan në opozitë pas 14 vjetësh Çfarë presin serbët pasi partinë e Vuçiqit e çuan në opozitë pas 14 vjetësh

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

“U shtua vëmendja për të huazuar këtë lloj modeli të ri politik", thotë Lektari duke nënvizuar se emëruesi i tyre i përbashkët i grupimit të studentëve serbë ishte protesta kundër korrupsionit.

“E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, edhe këtu korrupsioni është emëruesi i përbashkët që ka bërë kaq shumë grupe interesi ideologjikisht kundër njëri-tjetrit dhe në opozitë me njëri-tjetrin, të qëndrojnë së bashku në shesh për pothuajse gjashtë muaj” thotë Lektari për REL.

Ajo thotë se me të njëjtin interes është ndjekur edhe zhvillimi i situatës në Serbi pas protestave, përfshirë hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve.

Sipas aktivistes, përvoja serbe duhet të shërbejë edhe si pikë referimi për organizimin e forumeve dhe ndërtimin e një strukture politike horizontale, në vend të një organizimi vertikal, ku vendimmarrja përqendrohet te drejtuesit. Ajo vlerëson veçanërisht përfshirjen e fakulteteve, pedagogëve dhe intelektualëve në procesin e artikulimit të një alternative të re politike.

Ngjashmëritë mes situatës politike dhe protestave në Shqipëri dhe në Serbi i evidenton edhe Ben Andoni, analist.

“E përbashkëta e situatës politike mes Shqipërisë dhe Serbisë lidhet me pushtetin e pamatë që ndërtoi Vuçiç me njerëzit e tij; kurse Rama me sistemin e ndërtuar klientelist, duke dhënë favore për një pjesë individësh dhe duke lënë pa shpresë shqiptarët e klasës së mesme dhe atë të varfër”, thotë Andoni.

Ai i referohet edhe të dhënave të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rreth 40% e popullsisë në Shqipëri është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, një tregues që, sipas tij, dëshmon thellësinë e problemeve sociale dhe ekonomike.

Kush mund ta çojë përpara protestën në Shqipëri?

Pavarësisht pikave të përbashkëta, protestuesit dhe analistët evidentojnë edhe dallime e vështirësi që mund të ndikojnë në vijimësinë dhe rezultatet e protestës në Shqipëri.

Lekatari mendon se protestës shqiptare i mungon një vizion politik, i cili duhet të artikulohet përtej kërkesës për largimin e qeverisë Rama.

“Ne kemi një zemërim dhe një frustrim shumë të madh, që më në fund arritëm ta kanalizonim në një veprim apo lëvizje politike. Por, në momentin që ti kritikon pushtetin, të cilin po kërkon që të largohet, pas protestave masive duhet të vijë patjetër faza e dytë, që është artikulimi i vizionit politik, verbalizimi i “Shqipërisë së re”, thotë ajo për REL.

Andoni e sheh dallimin kryesor te shkalla e organizimit dhe pjekuria e protestave.

“Ajo në Beograd dhe Novi Sad u kthye në Lëvizje dhe kulmoi me një Listë, e cila mori fitoren ndaj partisë në fuqi SNS në Serbi. Kurse kjo në Shqipëri është ende në muajt e parë dhe sfida është të vazhdojë, por që ende nuk ka premisa të bëhet Lëvizje", thotë Andoni.

Sipas tij, ndërsa në Serbi lëvizjen politike të dalë nga protestat e morën përsipër plenumet politike (organizime të brendshme të fakulteteve), “në Shqipëri studentët po kthehen në garniturë, sepse peshën kryesore po e marrin anarkia dhe opozita”, thotë Andoni për REL.

Jurgen Shpërdhea, student në vitin e dytë të masterit, mendon se protestuesit në Shqipëri duhet ta ndjekin modelin e njëjtë meqë janë lëvizjet studentore ato që duhet ta çojnë përpara energjinë e protestës dhe të punojnë për krijimin e një force të re politike.

Sipas tij, hapi i radhës duhet të jetë mobilizimi nëpër fakultete dhe propozimi i emrave të ekspertëve e personave që nuk kanë qenë pjesë e politikës së vjetër dhe që studentët do të dëshironin t'i kishin si përfaqësues.

“Do të jetë e vështirë. Është një proces që duhet të shkojë në çdo fakultet, për të folur me studentët dhe për të diskutuar emrat që mund të përzgjidhen si kandidatë”, thotë ai për REL.

Ai kundërshton publikimin e emrave të mundshëm përmes rrjeteve sociale, ku ditët e fundit janë shfaqur lista dhe sondazhe për persona që mund të përfaqësojnë një alternativë të re politike.

“Emrat kurrsesi nuk duhet të dalin në mediat sociale, por në auditore. Aty duhet të diskutohen emra të papërlyer me politikën e vjetër”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Lekatari vëren se protesta nuk ka pasur që prej fillimit mbështetjen e duhur nga intelektualët e pavarur, të cilët nuk janë të lidhur me dy partitë kryesore, Partinë Socialiste të Ramës dhe Partinë Demokratike të Sali Berishës.

“Ky ka qenë problemi më i madh së bashku me mungesën e një strukture institucionale studentore, që të mos organizohet nga studentët nga jashtë, por nga brenda, me pedagogë të cilët janë intelektualë vërtetë dhe e vënë në diskutim pushtetin dhe e thonë edhe në publik”, thotë Lekatari.

Më 20 tetor, protestës në Tiranë iu bashkuan edhe pedagogët. Megjithatë, ky zhvillim u shoqërua me debate dhe akuza mes grupimeve të ndryshme pjesëmarrëse.

Përfshirja e tyre u vu në pikëpyetje edhe për shkak të lidhjeve apo afërsive politike që u atribuoheshin disa prej pedagogëve, të cilat ngritën pikëpyetje mbi paanshmërinë e këtij angazhimi. Disa prej protestuesve shprehën shqetësimin se kjo përfshirje mund të sillte përçarje dhe të zhvendoste vëmendjen nga kërkesat e përbashkëta qytetare drejt interesave dhe qëndrimeve specifike të grupeve të veçanta.

Lekatari thotë se ky zhvillim pati pasoja edhe në raportet e besimit brenda protestës.

“Me hyrjen e pedagogëve, eskalimi i protestës, dhuna u zhbë, por bashkë me të edhe besimi. Mendoj që një ndër asetet më të mëdha me të cilat bota punon sot është pikërisht besimi”, thotë ajo.

Ndërkohë, ditët e fundit, PD ka organizuar tubime të veçanta, duke iu bashkuar më pas protestës së studentëve. Një pjesë e studentëve kanë këmbëngulur në ruajtjen e karakterit të pavarur të protestës së tyre, duke kundërshtuar përfshirjen dhe identifikimin e saj me aksionin politik të demokratëve.

Kodi Zgjedhor ‘rrethi vicioz i protestës’

Që në fillimet e saj protesta ka artikuluar pesë kërkesa. E para dhe kryesorja është dorëheqja e kryeministrit Rama. Gjithashtu u kërkua krijimi i një qeveri teknike tranzitore dhe jopartiake, ndryshime kushtetuese që të prekin edhe Kodin Zgjedhor, anulim të disa ligjeve, mes të cilëve dhe atë për zonat e mbrojtura si dhe një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Andoni thotë se ndryshimet që kërkohen kalojnë domosdoshmërisht përmes Parlamentit dhe, në thelb, varen nga dy partitë kryesore politike.

“Janë ato që duhet të ndryshojnë sistemin zgjedhor, duke iniciuar ndryshimet reale. Edhe qeveria teknike që kërkohet, nuk mund të bëhet pa e shpallur Parlamenti", thotë Andoni duke shtuar se ‘thembra e Akilit’ është marrëveshja për ndryshimet kushtetuese zgjedhore të vitit 2008.

Në vitin 2008, me një marrëveshje politike të arritur mes kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha dhe liderit të opozitës të asaj kohe, Edi Rama, u krye një reformë kushtetuese dhe zgjedhore. Ndryshimi kryesor ishte kalimi nga sistemi zgjedhor miks në sistemin proporcional rajonal, me lista kandidatësh të përcaktuara nga partitë politike.

Reforma u dha kryetarëve të partive më shumë kontroll mbi përzgjedhjen e deputetëve dhe favorizoi dy partitë e mëdha në dëm të forcave më të vogla politike. Marrëveshja u kundërshtua nga partitë e vogla, të cilat pretenduan se ishin përjashtuar nga procesi i negociimit dhe se ndryshimet cenonin pluralizmin politik.

“Dhe ky është domeni që e krijon ‘rrethin vicioz’ në vend”, thotë Andoni.

Edhe Shpërdhea e konsideron Kodin Zgjedhor një nga problemet kryesore që duhet të trajtohen, nëse synohet krijimi i kushteve për një garë të barabartë politike.

“Me këtë Kod është e sigurt se këdo që të ketë përballë, partia në pushtet i fiton zgjedhjet. Ne ndaj po kërkojmë jo vetëm dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij, por edhe një qeveri teknike, e cila duhet të garantojë këto ndryshime dhe rregulla të barabarta loje për një garë të drejtë”, thotë ai.

Andoni mendon se energjia e protestës duhet të kanalizohet drejt objektivave që mund të arrihen, për të shmangur konsumimin e saj në kërkesa që nuk kanë një rrugë të qartë realizimi, siç është edhe dorëheqja e Ramës.

Sipas tij, protestuesit duhet të qartësojnë mes tyre objektivat dhe strategjinë, si dhe të kalojnë gradualisht nga një organizim horizontal në një strukturë më të përcaktuar përfaqësimi. Kjo, sipas tij, do ta bënte lëvizjen më të organizuar, më institucionale dhe më të aftë për t'u përballur politikisht me qeverinë Rama.

Megjithatë, për Shpërdhean, mungesa e përfaqësuesve të përcaktuar është një nga zgjedhjet më të rëndësishme të protestës deri tani.

Ai argumenton se, nëse protesta do të kishte pasur përfaqësues zyrtarë, kërkesa e kryeministrit Rama për dialog mund të kishte çuar në negociata dhe, për pasojë, në shuarjen e protestës pa arritur ndryshimet e kërkuara.

Ndërsa protesta vijon dhe kërkesat për largimin e tij mbeten të pandryshuara, kryeministri Rama nuk ka dhënë sinjale për tërheqje. Në fjalën e mbajtur më 14 nëntor në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ai e cilësoi si iluzion largimin e tij me dhunë.

Rama deklaroi se qeveria i ka dëgjuar protestuesit, por theksoi se tashmë është radha e socialistëve të komunikojnë me qytetarët në çdo lagje dhe fshat. Ai pranoi se në protestë ka qytetarë me shqetësime reale, por foli edhe për praninë e elementëve të tjerë, të cilëve iu referua me shprehjen “duar të huaja”.

Protestat në Tiranë, që ende vazhdojnë, janë shoqëruar disa herë me tensione dhe përplasje të dhunshme me policinë, veçanërisht në fillim të tetorit.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, si dhe ka shoqëruar qindra persona në komisariat. Disa protestues kanë hedhur gurë dhe kokteje molotovi. Gjatë përplasjeve janë lënduar protestues dhe policë, ndërsa janë dëmtuar prona publike dhe private.

​
XS
SM
MD
LG