Ndërlidhjet

Meta: Shkëmbimi i territoreve shkatërron sigurinë


Presidenti Ilir Meta gjatë ligjëratës së tij në Qendrën Evropiane të Sigurisë “Xhorxh Marshall”, në Gjermani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vizituar të enjten Qendrën Evropiane të Sigurisë “Xhorxh Marshall” në Garmish të Gjermanisë, për të folur për çështjet e sigurisë dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit.

Kreu i shtetit shqiptar, Meta, gjatë ligjëratës së tij theksoi se zgjerimi i NATO-s dhe kompaktësia e Bashkimit Evropian kundrejt rajonit të Ballkanit Perëndimor mbeten kyç për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit.

“Ne jemi të interesuar për një rajon të paqtë, të qëndrueshëm dhe të sigurt, të ankoruar plotësisht në NATO si dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Duam të shohim një rajon që zhvillohet më tej dhe që përparon, në marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe që u përgjigjet qytetarëve të vet në secilën prej 6 vendeve”.

Presidenti Meta ka thënë se Shqipëria dhe shqiptarët kanë demonstruar një prirje të vendosur civile dhe politike për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në, si garantuesit më të besueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Me këtë rast ai theksoi se shqiptarët në Malin e Zi ishin një faktor përcaktues në miratimin e pranimit në NATO, si dhe referendumi në Maqedoni dëshmoi se shqiptarët ishin kompaktë në votim pro Marrëveshjes së Prespës dhe rrjedhimisht, në favor të hapjes së perspektivave të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Presidenti Ilir Meta
Presidenti Ilir Meta

Gjatë kësaj ligjërate, presidenti i Shqipërisë shprehu qartë kundërshtinë e tij rreth propozimit të fundit për një debat të ri mbi atë që do të përbënte “marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, i cili po konsumon shumë energji për objektivat e gabuara”.

“Ai (debati) as nuk e konsolidon dhe as nuk e paqton rajonin”, tha presidenti.

Ai theksoi se kjo retorikë politike po zhvillohet me një gjuhë të ashpër provokuese, duke ringjallur “nostalgjinë’ e regjimit të tmerrshëm të gjenocidit.

“Hapja e një debati të tillë në një kohë kur janë ngritur flamujt e kuq sinjalizues e paralajmërues nga SHBA-ja dhe BE-ja, për përfshirjen e aktorëve të tretë në rajon, e bën atë edhe më alarmues”, ka deklaruar Meta.

Presidenti nënvizoi se “kërkimi i normalizimit të marrëdhënieve nëpërmjet shkëmbimit të territoreve do të thotë të shkatërrosh e të çosh dëm një investim sigurie prej dy dekadash”, duke risjellë në vëmendje “se si ambiciet politike që u përpoqën të krijojnë shtete etnike homogjene në Ballkan, prodhuan tragjedi të tmerrshme njerëzore”, me mijëra viktima dhe persona të zhdukur, dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur forcërisht , që ishin pasojat e gjenocidit të Millosheviqit.

Meta ua përkujtoi pjesëmarrësve në ligjëratën e tij se kjo çoi në angazhimin e parë ushtarak të Aleancës Perëndimore në historinë e saj pesëdhjetëvjeçare dhe se “ndërhyrja vendimtare e NATO-s në Kosovë, krijoi një ekuilibër të ri në marrëdhëniet ndërmjet Ballkanit dhe Perëndimit”.

“Që prej atëherë, ky rajon është përfshirë në zotërimin e tyre të sigurisë si e vetmja antidotë për të pasur e gëzuar paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”, ka shtuar Meta.

Presidenti Meta ka thënë se modeli evropian i bashkëjetesës është i vetmi kusht i domosdoshëm për të ardhmen e Ballkanit dhe perspektivën e tij evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG